28 Prill 2024

Inciativa për të bërë biznes në tranzicion

Shkruar nga Fidan Kosumi

Globalizimi ekonomik përceptohet si proces i rritjes së ndërvarësisë ekonomike ndërmjet shteteve në mbarë botën dhe mundësimit të lëvizjes së lirë dhe të shpejtë të mallrave, shërbimeve, teknologjisë dhe kapitalit.

Me fjalë të tjera, ky proces nënkupton vendosjen e rregullave të tregut në një treg unik botëror i cili duhet të stimulojë konkurrencën dhe zhvillimin. Organizata Botërore e Tregtisë si organizatë ndërkombëtare e cila merret me nxitjen dhe vënien në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare në masë të madhe ka ndihmuar këtë proces.

Globalizimi si fenomen duhet të stimulojë shtetet të hapin kufijtë e tyre në mënyrë që tregtia dhe investimet ndërmjet tyre të rriten.

Sipas kësaj, përkrahësit e këtij procesi e shohin globalizimin si fenomen kyç për zhvillim ekonomik të mbarë botës ndërsa kundërshtarët e këtij procesi pohojnë se korporatat multinacionale përdorin kapitalin e fituar për të pamundësuar paraqitjen e konkurrentëve të rinj me të cilët do duhej të ndanin tregun.

Ndonëse shumë teoricientë të ekonomisë globalizimin e shohin si një thikë me dy presa ai është një proces tashmë i fuqizuar i cili nuk mund të zhbëhet.

Për vendet të cilat kanë pasur ekonomi të centralizuar, si ish vendet socialiste, rruga e cila çon kah globalizimi është tranzicioni. Me fjalë të tjera ajo që bëhet gjatë tërë procesit të tranzicionit derdhet në rrjedhën e quajtur “globalizim”.

Tranzicioni është transformim shoqëror që përfshin të gjitha sferat e shoqërisë por nga pikëpamja ekonomike përceptohet si proces i kalimit nga ekonomia e planifikuar apo e centralizuar në ekonomi të tregut.

Ai duhet të çojë kah fuqizimi i pronës private dhe institucioneve të bazuara në pronë private. Mbi të gjitha tranzicioni nënkupton zhvillimin e bazuar në lirinë ekonomike dhe në decentralizim, duke i dhënë më shumë rëndësi vetëqeverisjeve lokale, komunave apo qyteteve.

Në përgjithësi, këtë proces njerëzit e kanë pranuar më lehtë dhe më shpejtë pikërisht për shkak të pakënaqësisë me sistemin e vjetër i cili nuk ka qenë efikas. Ky ka qenë një faktor bindës i cili ka ndikuar që ky fenomen të pranohet më shpejtë dhe masovikisht.

Në zemër të tranzicionit është ndryshimi i ekonomisë, gjegjësisht në vend të pronës shtetërore duhet të mbizotërojë prona private. Ky proces është dashur të mbarojë me privatizim, por a ka mbaruar procesi i privatizimit?

A kanë kaluar ish vendet socialiste në ekonomi të tregut? Si do të konkurrojnë këto vende në një ekonomi globale? Këto janë pyetje të cilat nuk kanë përgjigje të thjeshtë sepse influencohen nga shumë faktorë.

Fillimisht procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore në botë ka filluar viteve të 80-ta të shekullit të kaluar në Britani të Madhe dhe pastaj ka vazhduar në tërë botën. Do të thotë, privatizimi nuk ka të bëjë vetëm me vendet në tranzicion por ka filluar dhe ndodhë edhe në vendet më të zhvilluara të botës, për shkak të joefikasitetit të pronës shtetërore.

Ajo çka ka qenë unike në ish Jugosllavi, në krahasim me sistemet tjera socialiste në botë ka qenë prona shoqërore. Mbetjet e këtij sistemi mund të gjenden ende edhe në Kosovë. Domethënë ka ekzistuar një formë e pronësisë e cila nuk ka ekzistuar askund tjetër në botë e cila i është referuar pronës kolektive por në esencë ka qenë shumë konfuze.

Në fakt, prona shoqërore është definuar si: gjithçka e gjithkujt dhe asgjë e askujt. Nga kjo kuptohet se vetë baza e strukturës së ekonomisë ka qenë e paqartë.

Në rrethana të tilla është e pakuptimtë të pritet përmbushja e dy kritereve fundamentale të ekonomisë: efektivitetit dhe efikasitetit.

Në anën tjetër, duke marrë parasysh se ndërmarrjet nuk kanë pasur pronarë të qartë pasiqë prona ka qenë shoqërore, ajo nuk është respektuar mjaft, madje është abuzuar në masë të madhe.

Prandaj, prona private është parë si zgjidhje e vetme dhe më e mirë, më efikase sepse një gjë është e qartë: askush nuk mund ta vjedhë vetëveten.

Motivet themelore të biznesit privat janë profiti dhe rritja e pasurisë. Askush nuk abuzon me pronën e vetë private sepse nëse e bën një gjë të tillë vetë do të vuajë pasojat.

Duke u nisur nga këto parime, mund të nxjerrim edhe një konkludim tjetër shumë me rëndësi të cilin sjellë tranzicioni. Është fjala për individualizmin.

Tranzicioni thekson individualizmin, gjegjësisht ndryshon përceptimin e gjërave dhe botës duke kaluar nga fusha e përceptimit kolektiv në atë individual.

Në qendër të këtij sistemi nuk është më kolektivi por individi, prona e tij private, dëshira, guximi për t’u marrë me biznes si dhe motivi permanent për profit.

Kjo ndikon edhe në personalitetin e njerëzve duke i bërë ata më egoistë në drejtim të arritjes së të ardhurave apo profitit sa më të madh.

Pse procesi i privatizimit si gjenerator i tranzicionit ecë ngadalë? Sigurisht se janë një sërë faktorësh fillimisht të natyrës teknike të cilët ngadalësojnë këtë proces, siç janë përgatitja e ndërmarrjes për privatizim, vlerësimi i pronës së saj e tj.

Përveç kësaj qëllimi i çdo qeverie është që ndërmarrjet shtetërore apo shoqërore t’ua shesë “blerësve të duhur”, të cilët janë të gatshëm të paguajnë më së shumti pasiqë kjo qeverisë i sjellë më shumë të hyra në buxhet.

Përveç kësaj ky proces ka çuar në një çrregullim tjetër, të natyrës socio-ekonomike sepse pas privatizimit, ndërmarrjet zakonisht nuk kanë vazhduar aktivitetin e tyre, ndërsa punëtorët kanë mbetur pa punë.

Nëse një ndërmarrje e cila privatizohet, nuk vazhdon më aktivitetin e vetë, pushon punëtorët nga puna, nuk përmbushë kërkesat e tyre, atëherë ajo nuk sjellë asgjë të mirë për ekonominë e vendit.

Në këtë rast nuk mund të flitet për privatizim por për një shkatërrim me paramendim sepse esenca e privatizimit është efikasiteti i pronës, efikasiteti i ekonomisë.

Procesin e privatizimit në masë të madhe e ngadalëson edhe jostabiliteti politik në vend por ajo çka më së tepërmi e vështirëson janë keqpërdorimet dhe joefikasiteti. Entuziasmi i privatizimit të shpejtë duhet të shoqërohet me ndershmëri në punë dhe efikasitet.

Përveç kësaj, ndërmarrjet shoqërore të cilat kanë falimentuar zakonisht gjenden në gjendje të dobët infrastrukturore dhe si të tilla nuk mund të jenë interesante për investitorët potencialë.

Përveç infrastrukturës së dobët, ato ndërmarrje ende kanë detyrime të vjetra, gjë që i bën të padëshirueshme dhe i lënë jashtë fushës së interesimit. Investitorët potencialë më të arsyeshme e kanë të ndërtojnë infrastrukturë krejtësisht të re sesa të blejnë një ndërmarrje të vjetër me borxh të grumbulluar shumëvjeçar i cili e tejkalon vlerën e pronës së saj.

Tani parashtrohet pyetja, a duhet t’i ipet më shumë rëndësi privatizimit apo ndërmarrësisë? Përgjigja është se këto dy procese duhet të vazhdojnë më tej por duhet pasur parasysh disa gjëra faktike të cilat i favorizojnë apo i mënjanojnë ato.

Pasiqë vendet janë orientuar kah ekonomia e tregut, atëherë ato maksimalisht duhet të stimulojnë zhvillimin e biznesit privat apo ndërmarrësinë. Domethënë këtij procesi duhet dhënë më tepër rëndësi sepse është vizion i së ardhmës.

Në anën tjetër ndërmarrjet shoqërore duhet të privatizohen por interesi i privatizimit është më tepër i natyrës politike sesa i asaj ekonomike. Qëllimi është që në strukturën e ekonomisë së vendit të mbizotërojë prona private por duhet theksuar se sot në shumë vende të botës në veprimtari të caktuara është atraktiv edhe partneriteti publiko-privat.

Përveç të lartpërmendurave tranzicioni nënkupton që tani edhe shteti të luaj një rol tjetër. Nga një planifikues i aktiviteteve ekonomike që ka qenë, shteti duhet të shndërrohet në mbështetës të zhvillimit të sektorit privat.

Përveç kësaj shteti duhet të krijojë administratë më fleksibile, më të përshtatshme, të ndërtojë rrjet të përshtatshëm infrastrukturor, të tërheqë investitorë të huaj e tj.

Për të stimuluar zhvillimin e ndërmarrësisë dhe për të mundësuar zbutjen e papunësisë shtetet në tranzicion duhet të mësojnë nga vendet e zhvilluara.

Një nga mundësitë të cilat kanë identifikuar këto shtete për të arritur qëllimet e lartpërmendura janë “qendrat e inkubatorit të biznesit”.

Në këto qendra ndërmarrësve të rinj u ipet hapësira e nevojshme fizike për biznesin e tyre në një kohë të caktuar dhe këshilla menaxheriale/administrative rreth menaxhimit të biznesit.

Periudha e qëndrimit të bizneseve në inkubator zakonisht zgjatë dy deri në tre vjet. Statistika në Shtetet e Bashkuara ka treguar se norma e ekzistimit të kompanive të reja Start Up ka qenë 35%, ndërsa për ndërmarrjet të cilat kanë nisur biznesin në kuadër të inkubatorit ka qenë 87%, por këtu duhet pasur parasysh edhe rrethanat tjera, Ceteris paribus.

Iniciativa për zhvillimin e biznesit privat, gjegjësisht për hapjen e ndërmarrjeve private duhet të nisë nga vetë qytetarët, prandaj, çdo qytetari që ka ide për të bërë biznes duhet t’i mundësohet që ta realizojë atë. Kjo është në interes të shtetit ndërsa për të mbështetur këtë iniciativë shteti duhet të krijojë fonde dhe kushte adekuate.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme paraqesin boshtin kurrizor të ekonomive bashkëkohore por këtu tani paraqitet një problem tjetër: si të ballafaqohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me konkurrencën globale, sidomos me ndërmarrjet e mëdha?

Kjo është një sfidë e vërtetë, por një gjë duhet pasur parasysh, këtë nuk duhet parë vetëm si kërcënim por edhe si shans. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të mbështesin korporatat apo fabrikat e mëdha. Shpeshherë këto ndërmarrje janë pjesë e aktivitetit të ndërmarrjeve të mëdha duke prodhuar gjëra apo elemente të nevojshme për ato ose duke ofruar shërbime.

Arsyeshmëria ekonomike i shtynë ndërmarrjet e mëdha që të përdorin shërbimet e ndërmarrjeve të vogla (outsorcing). Kjo e përforcon nevojën për ekzistimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Si shumë vende të tjera në tranzicion, Kosova nuk posedon mjaft kapacitete vetanake për të financuar rritjen dhe zhvillimin ekonomik dhe për të zvogëluar disparitetin ekonomik në vend. Për këto arsye ajo duhet të fokusohet në përdorimin e mjeteve të huaja të cilat konsiderohen si faktor thelbësor për vendet në tranzicion.

Do të thotë, me rëndësi është të tërheqen investimet e huaja direkte dhe ato të alokohen në mënyrë racionale me qëllim që të sigurohet një zhvillim i balancuar i vendit, jo të ketë zona apo qytete të zhvilluara dhe të stërngarkuara me biznese dhe me njerëz ndërsa në anën tjetër qytete të pazhvilluara dhe pothuajse krejtësisht të boshatisura.

Për të mundësuar këtë, qeveria duhet të ketë strategji për përdorimin e mjeteve për zhvillim të balancuar të vendit.

Në përpilimin e kësaj strategjie duhet të përfshihen shoqatat e afaristëve, firmat lokale, odat ekonomike, agjencionet për zhvillim, ekspertët, diplomatët, investitorët potencialë, organizatat joqeveritare, qytetarët e tj.

Dispariteti ekonomik ndërmjet komunave duhet të zvogëlohet sepse nga shkaqet ekonomike tani lindin shumë probleme të tjera sociale, demografike e tj.

Përveç kësaj, me qëllim të tërheqjes së investitorëve të huaj vendi duhet të bëjë marketing agresiv në mediat e huaja, por ai marketing duhet të bartë mesazhe të qarta dhe reale.

Sigurisht se promovimi i vendit si parajsë do të ishte marketing i gabuar dhe joreal. Biznesi kërkon realitet ndërsa për të tërhequr investitorët e huaj ambienti afarist në vend duhet të jetë aq i përshtatur saqë ata të ndjehen si në vendin e tyre.


                           
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)