28 Prill 2024

Gjarprinjtë e Gjakut një roman përmasash universale

Shkruar nga Avdullah Hasani


Botimi, apo më mirë ta them ribotimi i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” ka korresponduar me vlime letrare e politike, qëkur pa dritën e botimit.

Për herë të parë në dy numra (1 dhe 2/1958) të revistës prestixhioze letrare “Jeta e re” (si dhe botim i veçantë i saj po atë vit), udhëhequr me dekada nga i paharruari Esad Mekuli, kontribuesi i jashtë­zakonshëm për zhvillimin e penave të reja dhe i letërsisë shqip­tare të ndarë padrejtësisht nga trungu më 1912 e më tutje, me gjithë ato traktate, konferenca, luftëra e marrëveshje të fshehta e të hapura. 

(Ri)botimi vjen në vitin e 100-vjetorit të shpalljes së Pava­rësisë së Shqipërisë, por edhe pas 55 vjetësh qëkur romani u shkrua për t’iu dorëzuar me ethet e një të riu, për fatin e krijimit të vet, tek revista “Jeta e re” dhe personi më dasha­mirës i letërsisë, siç u tha më lart, Esad Mekuli.

 Të rinjtë e lindur në vitet e internetit dhe të perandorisë dixhitale do të mahniten me risjelljen e botës së romanit “Gjarpinjtë e gjakut”, reflektimin largpamës të gjenisë së autorit, atëbotë moshatar yni, derisa përpëlitej mes së resë me lirinë e krijimit dhe relikteve të nënshtrimit çnjerëzor.

Pavarësisht faktit se romani në tërësinë e vet kishte (dhe ka) mesazhin e qartë, simbolikën dhe metaforat e denja për një kryevepër përmasash botërore, në vete ruajti universalitetin etno-kulturor, i cili sa është i veçantë për një mjedis të caktuar, një kohë e cila është emëruese e të gjitha kohëve – përse të mos e them: e robërisë – ai  është i kudondodhshëm dhe në këtë këndvështrim del vërtet i jashtëzakonshëm.
 
Këtu edhe qëndron paradoksi, kur burgu i gjatë i një shkrimtari e shndërron atë në kërkuesin dhe mbrojtësin e ekzistencës së rrezikuar etnike, për ta shmangur syrin mediatik nga vepra tek individi, i burgosuri politik.

Duket se ia ka vlejtur që vepra, romani “Gjarpinjtë e gjakut”, të sakrifikohet për një “karrierë” të tillë. Në vend se vepra të përkthehej dhe t’i bëhej e ditur opinionit botëror, u dënuan që të dy me heshtje. Opinioni botëror kishte sytë tek peshqit e mëdhenj, të perandorisë komuniste, tek propagandat mazokiste që çuan edhe tek Çmimi Nobel, të rusit Pasternak (1958) serbokroatoboshnjakut Andric (1961) dhe prapë rusëve Shollohov (1965) dhe Solzhenicin (1970)!!!

Megjithatë “Gjarpinjtë e gjakut” bëri jetën ilegale, ndër­gjegjësoi e reflektoi, ngadalësoi shpërnguljen e shqiptarëve, afroi mes vete bashkëkombasit, të cilëve aq vrazhdë u qe “impo­nuar” vëllavrasja, deri në përmasa apokaliptike.

Po, romani “Gjarpinjtë e gjakut” dhe autori i tij, Adem Demaçi, edhe pse 28 vjet qenë në vuajtje të dënimit, rezistonin, kujdesta­ronin, vigjilonin luftën e drejtë e cila jo vetëm do të shpërthente me patjetër një ditë, por do të kulmonte me SHPALLJEN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS më 17 shkurt 2008!

Sot shqiptarët më shumë se kurrë janë kudo nëpër botë, i kanë ofruar atë që sot proklamohet në çdo tubim e manifestim kulturor a politik – diversitetit, apo diversiteteve. Pasurinë e madhe gjuhësore të gjuhës së njësuar por edhe të dy dialekteve madhore, gegërishtes dhe toskërishtes. Toskërishtes që përbënë rregullsinë e një gjuhe normative dhe gegërishtes epike, me një pasuri të pafund leksikore e fuqi shprehëse pothuajse në për­masa magjike.

Këto pikërisht i ofron edhe romani “Gjarpinjë e gjakut” i Adem Demaçit, ndaj ka nevojë të botohet e të ribotohet, të bëjë jetën publike kombëtare hapur dhe jo siç e bëri dikur qelive, hetuesive, gjykatave dhe udhëkryqeve të çmendurisë njerëzore.

Së këndejmi, duhet të shkruhet nga specialistët edhe për autorin, edhe për veprën, edhe pse këto nuk kanë munguar, si bie fjala librat e Hakif Bajramit: “Dosja Demaçi” (2004), Selatin Novosellës: “Demaçi metaforë lirie” (2006), Abdullah Konushevcit: “Demaçi – vepra letrare” (2008) dhe “Romani «Gjarpinjtë e gjakut» i Adem Demaçit” (2011) si dhe Shkëlzen Gashit: “Adem Demaçi – Biografi”.

Këshilli i Rinisë Europiane të Kosovës (KREK) ka nderin që mori nismën e këtij ribotimi më se të nevojshëm për lexuesin e ri, dhe, me këtë rast nuk mund të lë pa falënderuar gatishmërinë e shprehur nga autori, Adem Demaçi, për lejen dhe përkrahjen e dhënë si dhe botuesin “Buzuku”, i gatshëm për të sfiduar gjithherë lexuesin shqiptar.

(Autori është President i Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)