01 Maj 2024

Fushatë gangsterësh, jo shtetndërtuesish

Shkruan nga Redan Bushati

Që pjesa më e madhe e kandidatëve për deputetë kanë lidhje të forta me biznesin dhe me krimin e organizuar, kjo është më se e ditur prej shqiptarëve me sy e veshë e dy pare mend.

Fatkeqë, të rraskapitur e drobitur nga papunësia dhe varfëria e tmerrshme, pakkush e ka problem të bëjë “aleancë” me botën e fëlliqur të biznesit të ngritur mbi allishverishe apo krimin e organizuar.

Shumica rendin drejt një vendi pune, me të cilin mendojnë të mbajnë familjet e tyre, por mbytin të ardhmen, shpresën dhe bërjen e një shteti në përputhje të plotë me vlerat demokratike.

Kur të instalohen këto vlera, atëherë askush s’ka nevojë të shpupurishet për të mbledhur vota, për ta bërë faqen shollë dhe për të thirrur në ndihmë botën e krimit veç e veç për një vend pune. S’ka nevojë, pasi sistemi i arrirë demokratik të jep punën në bazë të kapaciteteve zotëruese.

Nëse je inxhinier ndërtimi, nuk kap matrapikun dhe u vërsulesh rrugëve të Shqipërisë, po pozicionohesh në profesionin për të cilin ke studiuar e je përgatitur.

Nuk mund të ndodhë që të mbarosh për drejtësi e të shërbesh si kamerier në restorantet e Tiranës. Kjo është e pamundur.

Pra, për të gjitha këto më mirë të vuajmë edhe ca vjet e të mendojmë për të ardhmen, sesa të gjejmë sot një punë fët e fët e të djegim të nesërmen. Ç’të mbjellësh do të korrësh.

Nëse bashkëpunon me botën e krimit, e nesërmja nuk mund të jetë kurrsesi e sigurtë. Po qe se s’bëhesh kriminel, së paku je dëshmitar okular i krimit të ndodhur, të cilit i ke dhënë edhe një dorë, qoftë dhe të vogël.

Duhet ndryshim, një ndryshim jo si ky që premtohet prej 23 vjetësh, por përmbysje të kësaj klase politike, me shpresën se diç mund të bëhet: më keq assesi, shumë më mirë ndoshta jo, por më mirë sesa sot me bindje të plotë po që po.

Pjesa më e madhe e kandidatëve janë të lidhur me fijet e krimit, botën e pistë të biznesit, prostitucionin, drogën etj. Ka edhe asisoj që, ndonëse nuk kanë asnjë lidhje me këtë botë antivlerash, gjatë fushatës zhangëllojnë ndjeshëm. Vini re!

Një pjesë e këtyre kandidatëve të papërlyer gjatë takimeve të tyre elektorale shoqërohen pikërisht edhe nga këta njerëz.

Publiku nuk e di nëse ua kanë dërguar (me detyrim nga qendra) këta individë apo vetë kandidatët e quajnë të nevojshme shoqërimin me ta për të demonstruar në sytë e publikut forcën e muskujve, të krimit dhe s’bëzajtjen e shtetit kundrejt kësaj kategorie.

Në fakt, publiku i zgjuar do ta shporrte me neveri këtë ofertë bëzhdilash; do të votonte dhe mbështeste ata që kanë vlera njerëzore e intelektuale, që kanë dhënë prova se dinë të realizojnë ato çka premtojnë. Nëse te ne nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë ç’duhet të bëjmë?

Në kohën kur media është e kapur kryesisht nga politika; kur pushteti i katërt, i cili duhet t’i shërbente qytetarëve, vihet në dispozicion të llogoreve të politikës, publiku ndihet akoma më i vetmuar.

Flas këtu për atë pjesë elitare qytetare që në mënyrë të padiskutueshme nuk cenon vlerat e veta për hir të asnjë copëze pushteti të ofruar nga kjo klasë e llumtë politike, që e ka lënë shumë mbrapa Shqipërinë.

Në këtë kaos vlerash kanë mbetur vetëm ca dritare shtypi, ku të lënë të futësh paksa kokën. E, në këto dritareza, disa prej botës së pavarur intelektuale kanë bërë thirrje që të shkohet masivisht në votime dhe fletës t’i vihet kryq.

Pyetja më se e drejtë që një prej kolegëve kish ngritur këto ditë ishte: a jemi ne si shoqëri në shkallën e duhur të lirisë, inteligjencës dhe largpamësisë për të vepruar në këtë mënyrë?

Edhe unë jam njëri asish që ndihem mëdyshas, pasi kam frikë se vota rebel-bojkotuese, e cila mund të mos jetë në masë, duke parë nivelin socio-kulturor të popullit tonë, mund të shtojë ujë në mullirin e një regjimi politik, kështu që po japim berihanë për të shtuar fuqinë e dorës së barbarizmit shtypës.

Kur je nisur për udhë nën një diell që përvëlon, nuk mund të ndalesh për të këputur lulen më të bukur. (Balzak).

Duhet arsyetim i thellë logjik, por s’ka pikë dyshimi që bojkotimi duhej të ishte vendimi më i drejtë, qoftë dhe vetëm për t’i dhënë leksion kësaj klase politike, pse jo për të sjellë një tjetër.

Koha e “Kaçit të zi”, kontëve apo e dukëve, ronxhobonxhove e hajdutëve, kriminelëve e besëprerëve, Xhuvelit e njollave të tjera të komunizmit, sa nga “ena e djathtë”, po aq, në mos më tepër, nga “ena e majtë”, besoj se duhet ta ketë venitur këtë popull, i cili duhet t’i shpërndajë këto re që errësojnë jetën demokratike të Shqipërisë.

Nëse ke neveri për çka i ka ndodhur vendit tënd, të cilit i kanë futur thika të pamëshirshme e të shumta pas shpine e lënë në mëshirë të fatit, ku po nuk u bëre bythëlëpirës – si njëri që erdhi turravrap nga një kontinent i largët – s’të jep kush as një kothere bukë, bëhu edhe ti veprues ndaj kësaj të keqeje. Act Now!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)