27 Prill 2024

Fillimi i zgjimit

Shkruar nga Gani Qarri

Zgjedhjet e fundit komunale sikur sollën një shenjë ogurmirë edhe për shqiptarët. Sado që edhe kjo ndodhi më tepër fal presionit të përditshëm publik-vendor e ndërkombëtar, për më tepër se një muaj rresht i cili përsëritej orë e çast në të gjitha mediat,megjithatë këto votime na bëjnë të shpresojmë se edhe zgjimi politik i qytetarëve të Kosovës më në fund ka filluar.

Kësaj radhe,ndërkombëtarët vërtetë patën një porosi të çartë,gati si një kërcënim ultimativ, se nëse dështojnë edhe këto zgjedhje me Kosovën nuk do të fillojnë bisedimet për liberalizim dhe ajo do mbetet edhe në të ardhmen e izoluar.

Ndaj brengosë fakti se si edhe sot e kësaj dite, në mënyrë të vazhdueshme dikush nga jashtë duhet të bëjë kujdestari për shqiptarët dhe përherë  t`ua përkujtojë atyre rregullat dhe standardet e votimit,pasi që këta vet ende nuk e kanë kuptuar plotësisht mesazhin e votës së lirë dhe ndershmërinë në zgjedhje.

Edhe pas më tepër se 15 vitesh në liri,shqiptarët sikur e parapëlqejnë frikësimin dhe përmbahen nga sjelljet e dënueshme vetëm atëherë kur ka paralajmërime për gjykim dhe ndjekje penale në mënyrë që të mos veprojnë kundër ligjit dhe tjetërsimit të votës së lirë.

Por,përkundër të gjithave, secili votues në vend, më në fund duhet ta kuptojë se kjo ishte në të mirën e tyre dhe banorëve të Kosovës. Me këtë akt dhe përmbajtjen ndaj ligjit, populli shqiptar, qoftë edhe pa vetëdijen e një pjese të njerëzve që vazhdimisht janë marrë me kurdisje të të gjitha llojeve, vjedhje votash dhe dallavere zgjedhore për nxjerrjen e \"fituesit\" me porosi, le të besojmë se në këto votime, ka nisë një proces i zgjimit.

Ky sinjal i shumëpritur,mund të konsiderohet si fillim i rrëzimit dhe përmbytjes përfundimtare të nepotizmit si dhe zëvendësimi i \"jaranisë\" pushtetare me  vendosjen e cilësisë në politikën e Kosovës.

Pra,si në fshatra edhe qytete të vendit,ka ardhur koha që asnjë banorë të mos pranoj as lejoj të diktohet dëshira e tij, se si dhe për kënd duhet të votoj.

Vota,është pasuri personale e secilit, pjesë e karakterit të tij njerëzor dhe arma më e fuqishme demokratike për ndryshime në cilindo vend.

Në shtetet e zhvilluara, ajo (vota) cilësohet edhe si krenari e votuesit, të cilën ai nuk e fal as shet për asnjë çmim. Ndaj, sot edhe në Kosovë pa pajtimin paraprak të votuesit për tjetërsim vote, nuk guxon askush ta keqpërdor vullnetin e tij zgjedhor, apo ndërroj vendin dhe ndryshoj kahen e votës, sipas diktimit të matrapazëve.

Shqiptari nuk duhet lejuar veten në asnjë mënyrë që edhe më tej të shërbej vetëm si makinë votimi dhe fabrikë për mbushjen e kutive rezervë të partive politike me vota të blera, të shitura apo të manipuluara, nëse mendon për një të ardhme më të mirë për vete, familjen dhe pasardhësit.

Në Zvicër e cila ka rreth 8 milion banorë,me 26 kantone,katër gjuhë zyrtare dhe rreth 22-23 % të huaj, për çdo vit mbahen nga 5-6 apo më shumë votime edhe për gjërat më elementare në Komuna dhe Kantone, por nuk mbahet mend as para njëqind vitesh, të ketë ndodhë vjedhje apo keqpërdorim vote ngjashëm me këto që sot ndodhin në vendet tona.

Ndaj paramendojeni të gjithë,se po të ktheheshin edhe këtu zgjedhjet në pazar për shitblerje  votash dhe arenë dallaveresh zgjedhore siç ndodhë hapur tek ne,çka do të kishte ndodhë qysh moti me këtë shtet të \"vogël\" ekzotik.

Ndoshta ajo do ishte zhdukur që moti nga harta e Evropës dhe do ekzistonte e trajtuar vetëm si shkrim në analet e Historisë, se dikur dhe një kohë na ishte një herë një vend dhe një shtet me këtë emër.

Përkundrazi, në këtë vend çdo herë votohet pa ndërhyrje grupesh dhe partish, votohet në mënyrë të lirë dhe të pavarur,pa  ndikime banale të kujtdo qoftë - anash,skajesh apo qoshesh të rezervuara për ndikim dhe bindje njerëzish se kujt duhet t`ia falin apo shesin votën e tyre.

Këtu votohet pa premtime parash nga prijësit partiak, vendëpunimesh e postesh nga kandidatët, pa ndërmjetësim të njohurish, familjesh e fisesh,ndaj kjo Oazë Evropiane, për qindra vite, ka udhëheqje të ndershme e transparente si rrallë ndonjë shtet tjetër në Botë

Edhe në vendet tjera të zhvilluara perëndimore, gjithsesi votohet vetëm sipas bindjeve personale nga secili,ndaj me të drejt zgjedhjet konsiderohen KRENARI, për të gjithë këta popuj,tek të cilët është e pamundur të vijnë në pushtet njerëz të haraçit, korrupsionit dhe krimit të organizuar, siç vijnë në udhëheqjen e vendit tonë,kryetar komunash, ministra dhe qeveri të dyshimta,apo të katapultohen grupe të rrezikshme,të cilat mbetjen e tyre në qeverisje e sigurojnë me zhvillimin e hajnisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pra,le të marrim këta shembuj të mirë nga këto shtete e popuj,dhe ta kuptojmë se ka ardhur koha që më në fund edhe shqiptarët ta ndiejnë veten të fyer, nëse me votat e tyre të blera ,të shitura, të vjedhura apo të manipuluara, (quani si të doni), në krye të vendit dhe poste ministrash, vendosen kriminel, diletant të korruptuar apo edhe hajna me precedencë penale,disa prej të cilëve vazhdon ti ndjek drejtësia e disa edhe pse bënë sikur i ka dënuar, vet ua hap dyert e aeroportit dhe pikave kufitare,që ata të veshur mirë, me kravata e kostume  të shtrenjta,të dalin si zotërinj  të \"nderuar\" sa më të lirë dhe komod jashtë vendit.

Ndaj,ka ardhur koha që të kuptohemi si njerëz,mirë dhe drejtë në mes vete, se në demokraci nuk përdoret lufta për ndërrim pushtetesh. Janë zgjedhjet e lira ato,dhe vetëm votuesi është ai që bënë ndryshime. Ndaj, nëse ju vërtet dëshironi ecjen përpara, mos lejoni që falë votës tuaj edhe më tej të zgjasë kjo gjendje e pa shpresë.

Populli ynë dhe elektorati shqiptar në përgjithësi, nuk guxojnë të pranojnë që halli i tyre gjithmonë të nëpërkëmbet nga secili vagabond, nuk janë aq të dobët sa të heshtin për gjithçka dhe as nuk duhet të ndjehen kaq të pafuqishëm për të mos vepruar kundër asnjë prapësie. Përkundrazi, ata i`a kanë borxh vetes familjes dhe fëmijëve të tyre që të ngrihen dhe reagojnë me vendosmëri para të gjitha padrejtësive që u bëhen.

Është vërtetë e çuditshme se si ende, vetëm diplomatët perëndimor me kërcënimet e tyre, arrijnë të parandalojnë manipulimet zgjedhore dhe vjedhjen e votave në vend, sikur të mos kishte as sot elektorat të vetëdijshëm në Kosovë.

Mjerisht, poçe-se edhe më tej vazhdojnë sjellje si këto, sado e dhimbshme që mund të tingëllojë, kjo dëshmon edhe një herë më tepër se shqiptarët vërtetë janë shumë mbrapa në kohë dhe kanë një problem të madh me civilizimin bashkëkohor.

E,nëse ata vazhdojnë ti lejojnë vetes një \"komoditet\" të tillë, që asnjëherë të mos reagojnë vet por këto t`ua lënë gjithmonë të tjerëve, atëherë është plotësisht e kuptueshme se pse për të satën herë, vetëm Kosova dështon në rajon, për të dal nga izolimi dhe nuk arrin liberalizimin e vizave me BE-në.

Në fakt kjo është edhe një fyerje e rëndë për elektoratin dhe të gjithë shqiptarët kudo, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk janë në gjendje vet ti zgjedhin problemet e veta, gjithmonë presin që punët e tyre t`ua rregullojnë të tjerët,dhe çdo herë kënaqen gjatë dhe pafund, poçe-se halli i tyre,vetëm bënë sikur qahet nga të huajt. A nuk u duket se u bë mjaft më ,a nuk mendoni se është koha të zgjohemi vet,edhe sa do të presim dhe deri kur kështu?!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)