01 Maj 2024

Femrat në biznes

Shkruar nga Albana Maloku - Kosumi

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë për gjininë femrore është  44,4% bazuar në anketën e fuqisë punëtore, janar-qërshor 2012.

Kjo normë është jashtëzakonisht e lartë, madje alarmuese në krahasim me atë në eurozonë prej 11%. Në Mal të Zi, norma e papunësisë tek femrat është 21,6%, në Serbi 25,6%, në Bosne e Hercegovinë 41% etj.

Si pasojë e krizës botërore dhe shkurtimeve të ashpra buxhetore, sidomos në Greqi, Spanjë, Portugali etj, këto norma vazhdojnë të shënojnë  rritje si në strukturën e përgjithshme ashtu edhe në strukturën sipas gjinive.

Femrat edhe më tutje vazhdojnë të jenë më pak të paguara në punë në krahasim me meshkujt dhe vazhdojnë të jenë jobarabartë të përfaqësuara në pushtet apo politikë.

Por ky problem nuk është i vetëm, në kuadër të papunësisë së madhe pjesëmarrja e të rinjëve është më alarmuese, gjegjësisht dy herë më e lartë në krahasim me normën e të rriturve.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tek të rinjtë kjo normë është 60,2% ndërsa i referohet moshës prej 15 deri në 24 vjeç.

Hulumtimet tregojnë se femrat zakonisht janë në një pozicion më të keq ekonomik dhe social. Është shumë më i madh numri i femrave pa të ardhura të rregullta personale dhe me paga më të ulëta në krahasim me meshkujt. Përveç kësaj femrat zakonisht presin më gjatë për punë dhe shkalla e papunësisë tek ato është gjithnjë më e theksuar sesa tek meshkujt.

Në kuadër të diskriminimit të femrave në punë nuk mungon as përzierja e punëdhënësve në jetën e tyre private, gjegjësisht në planifikimin e familjes së tyre.

Si pasojë e kësaj femrat shpeshherë detyrohen të shtyjnë planifikimin e familjes për të mbajtur punën. Në këto raste shpeshherë mungojnë provat pasiqë këto biseda kryesisht zhvillohen mes punëdhënësve dhe femrave që punojnë apo kërkojnë punë.

Përveç të lartpërmendurave disa femra pranojnë format tradicionale të jetesës dhe i dedikohen krejtësisht familjes. Kjo është arsye pse ato heqin dorë nga kërkimi i punës.

Shteti duhet të stimulojë punësimin e femrave dhe të mbështesë femrat të merren me biznes privat. Kjo mund të arrihet me ndihmimin e tyre me trajnime dhe pilot projekte si dhe me ndihmimin e punëdhënësve me subvencione për të punësuar femrat dhe të rinjtë deri 30 vjeç.

Barazia gjinore në Kosovë është e garantuar me ligj i cili ka për qëllim të mbrojë, trajtojë dhe vendosë barazi ndërmjet gjinive si vlerë themelore të zhvillimit demokratik të shoqërisë së Kosovës, me mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve dhe për kontributin e tyre në zhvillimin politik, ekonomik, social, kulturor dhe në të gjitha fushat e jetës shoqërore.

Respektimi i këtij ligji në masë të madhe do të ndihmonte zgjidhjen e problemit të punësimit dhe përfaqësimit të femrave.

Gjërat të cilat mund t’i bëjë femrat më të suksesshme në biznes janë: edukimi, guximi për t’u marrë me biznes, organizimi i jetës familjare, balancimi mes jetës familjare dhe biznesit, kreativiteti, dëshira për të mësuar, dëshira për të punuar etj.

Mbi të gjitha femrat duhet të kenë besim në vete, ambicje dhe të jenë këmbëngulëse. Duhet theksuar se biznesi rritet dhe zhvillohet falë punës dhe përkushtimit të madh, jo në bazë të përkatësisë gjinore.

Për shkak të aktualitetit të kësaj çështjeje gjithkund në botë vazhdimisht hulumtohen mundësitë për të siguruar një zgjidhje adekuate.

Sa i përket mbështetjes së femrave për të bërë biznes në Evropë vlen të përmendet Rrjeti Evropian i Mentorëve për Femrat Sipërmarrëse (ENMWE) i cili është themeluar në Varshavë, në vitin 2011. 17 vende janë anëtare të këtij rrjeti në të cilin bën pjesë edhe Shqipëria.

Këtë Rrjet e përbëjnë mentorët të cilët duhet t’i ofrojnë këshilla dhe përkrahje femrave sipërmarrëse në start-up biznese, si dhe të ndihmojnë drejtimin dhe rritjen e ndërmarrjeve të tyre në fazat e hershme të biznesit.

Buxheti maksimal i cili ndahet nga Komisioni Evropian për këtë qëllim është rreth 1 milion euro. Në këtë rrjet duhet të përfshihet edhe Kosova që të përfitojë nga ky fond. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)