02 Maj 2024

Dy gjermanët e shpresës

Shkruar nga Zejdush Kastrati

Dy segmentet më të rëndësishme, më kredibile, por edhe më autoritative në Kosovë, (edhe pse ndërkombëtare), këtë mandat udhëhiqen nga dy personalitete, me bagazh të madh profesional dhe moral, dhe që vijnë nga shteti më i fuqishëm ekonomikisht, ushtarakisht, dhe që është shembull, jo vetëm në tërë Bashkimin Evropian, por edhe në tërë rruzullin tokësor, në radhë të parë, sa i përket punës dhe disiplinës, si dhe funksionimit të njëmendët të shtetit dhe të së drejtës.

Fjala është për dy gjermanë. Që të dy janë personalitete të karrierës dhe të sukseseve. Gjeneralmajori, Volker Halbauer, është i pari, i afër 5 mijë paqeruajtësve ndërkombëtarë, të cilët kanë barrën kryesore sa i përket sigurisë në Kosovë, dhe që veprojnë në kuadër të NATO-s, të cilët, siç dihet, pas vitit 1999 veprojnë me emërtimin, KFOR.

Edhe z.Bernard Borchard, po ashtu diplomat dhe ambasador gjerman, ditë më parë mori timonin për të udhëhequr komponentin ndërkombëtar, të Bashkimit Evropian, i cili në Kosovë, në emër të sundimit të rendit e ligjit, ka filluar të funksionojë, që nga viti 2009. A ka vend për të shpresuar në suksese?

S’ka dilemë, dhe pothuaj, në gjitha sondazhet dhe opinionet e analizat e bëra deri më tash, pa dyshim KFOR-i, si fuqi, e vetme legjitime dhe ushtarake në Kosovë, ka fituar besimin më të madh te të gjithë banorët e Kosovës, edhe pse, kohë pas kohe ka pasur vërejtje sa i përket gjendjes në veri të Mitrovicës, por kur bazohemi në diktatet dhe vendimet politike nga Brukseli, e qendra tjera të vendosjes, e që janë bazike për veprime të KFOR-it, domosdo, prezenca, dhe puna e tyre është për t’u kurajuar dhe mbështetur pa rezervë.

Nëse bazohemi edhe në deklaratën e parë të gjeneralmajorit ,Volker Halbauer, që ka të bëjë me prezencën e strukturave ilegale të mbrojtjes civile serbe në veri të Mitrovicës, duke paralajmëruar se ato nuk do të tolerohen, është ky një sinjal edhe pse simbolik, se ditëve në vijim, gjërat, mund të marrin, kahe të dëshiruar, drejt shtensionimit të situatës, në këtë pjesë problematike të Kosovës, por të okupuar nga strukturat ilegale serbe.

Megjithatë, promotor pozitiv i proceseve që priten të ndodhin për ata që ia duan të mirën këtij vendi e këtij populli, duhet të jetë edhe gjermani tjetër, Bernd Berchard, i cili gjatë këtij mandati udhëheq me Misionin për sundimin e ligjit në Kosovë, që mban emrin, EULEX, dhe që vepron në Kosovë, tani e mbi tre vjet, e që deri më tash me rezultate jo të kënaqshme, për të mos thënë dëshpëruese, ka vepruar në Kosovë.

Siç dihet, EULEX-in, pothuaj, gjatë gjithë kohës, prej se ka filluar punën në Kosovë, e kanë udhëhequr francezët, apo ata që krijuan dhe e mundësuan “veriun problematik”,andaj edhe faturimi i këtyre dështimeve nga ky mision i Bashkimit Evropian, nga shumica e kosovarëve u adresohet pikërisht francezëve, por që lidhet edhe me dështime në sfera tjera, sa i përket edhe sektorit ekzekutiv, por edhe të fuqizimit të ligjit në tërë Kosovë, për ç’gjë më së miri flasin (mos) sukseset.

Për të besuar dhe shpresuar se me këta dy zyrtarë gjermanë, në vazhdim, gjërat, mund të lëvizin shumë më mirë dhe në kahe të dëshiruara, na mban edhe shpresa, nëse bazohemi në deklaratat e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila, jo një herë, por disa herë ia ka bërë të qartë Serbisë për obligimet që ka ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe Kosovës, nëse ky shtet dëshiron të jetë pjesë e familjes evropiane.

Deklarata të kësaj natyre, por edhe më të ashpra e më konkrete, kemi pasur rastin të dëgjojmë edhe nga ministri i Punëve të Jashtme dhe ai i Mbrojtjes i këtij shteti, gjithnjë dhe në çdo kohë, mik karshi Kosovës, pastaj edhe nga shumë zyrtarë tjerë gjermanë, që janë pjesë e institucioneve të fuqishme në Bashkimin dhe Parlamentin Evropian.

Adute mjaft i fuqishme janë edhe faktet, nëse bazohemi në traditën, disiplinën, qëndrimin dhe vizionin që ka Gjermania dhe gjermanët, si shtet e popull, gjatë gjithë kohëve, prej se është fuqi, që ia kanë lakmi të gjithë.

Kosova, më së tepërmi po vuan dhe po lëngon nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, andaj Gjermania, si shtet shumë i avancuar në luftimin e këtyre fenomeneve, por edhe gjermanët si popull punëtorë e atdhedashës, janë model se si duhet bërë shteti, andaj instalimi i një mendësie e strategjie”allamançe”, në Kosovë, edhe pse, është punë e vështirë, është i vetmi, shans, që Kosova të mos mbetet pafundësisht “dele e zezë” në Ballkanin e trazuar dhe më gjerë.

Dy të lartcekurit, ushtaraku, apo gjenerali Holbauer, dhe diplomati Barchard, si dy personalitete, gjatë mandatit në vazhdim, në këto dy misione kyç, që po udhëheqin në Kosovë, pa dilemë, janë alfa dhe omega e proceseve në këto momente, në të cilat po kalon dhe duhet të kalojë vendi ynë.

Janë bërë bajate dhe demode, tashmë, deklaratat e shumta para medieve dhe opinionit, të ish-udhëheqësve, por edhe prokurorëve të EULEX-it, të cilët, që në fillim të mandatit të tyre na bombardonin, se së shpejti do të arrestohen “peshq të mëdhenj” duke paralajmëruar edhe data, e ditë të caktuara, kur kjo do të bëhet realitet.

Në veçanti, për të parin e EULEX-it, obligim primar mbetet që në vazhdimësi,”të hap rrugën”, jo duke larguar “drunj të vegjël e kaqube”,por të pastroje dhe rrëzoje çdo “dru” ,çfarëdo qoftë ai, me të vetmin qëllim, që rruga të jetë e pastruar drejt e mirë dhe pa pengesa për të shkuar përpara.

Institucionet e Kosovës, edhe pse mbajnë një pjesë të madhe të fajit, për dështime dhe devijime, edhe nga sfera për të cilën janë përgjegjës, qoftë KFOR-i, por edhe, EULEX-i, është koha e fundit që të mbështesin pa rezervë, posaçërisht EULEX-in, duke i hapur rrugën në identifikimin, zbulimin dhe arrestimin e gjithë atyre që ditë e natë, edhe nëpër institucione, në emër të shtetit, demokracisë e vlerave kombëtare, por edhe në emër të disa njerëzve të fuqishëm ndërkombëtarë, po trumbetojnë e rrahin gjoks, por në realitet nuk kursejnë e lënë gjë pa bërë, vetëm e vetëm për përfitime personale, klanore e farefisnore…

Pas SHBA-ve,gjermanët mbajnë primatin, se edhe para luftës së fundit, por edhe në periudhat e mëhershme, për shqiptarët, pos ndihmës në sferën e të mirave materiale, janë treguar solidarë dhe sponzorues kryesorë të popullit tonë, në shumë sfera tjera, andaj edhe shpresa dhe dëshira, se edhe përmbylljen e sfidave me të cilat po kalon Kosova, mund ta kapërcejmë më lehtë e më mirë, kur në ballë kemi gjermanët, dëshmon edhe lajmet e fundit, të paralajmëruara nga mediet më të fuqishme evropiane, se ”Gjermania do të kërkojë nga Serbia nënshkrimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Kosovën”, si kusht për vazhdimin e rrugës evropiane.

Pra, zoti e bekoftë Amerikën, por, domosdo edhe Gjermaninë…

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)