29 Prill 2024

Dita e Europës të na ofroi shpirtërisht me perëndimin

Shkruar nga Dr. Ukë Berisha

Dita e Europës, është një moment i mirë që të reflektojmë ku gjendemi si vend në rrugën e integrimeve në BE.

Në këtë ditë me rëndësi për gjithë Europën, ne edhe njëherë rikthejmë në kujtesë të kaluarën shqiptare dhe kalavarin e rikthimit të kombit tonë në Europë, pas shumë shekujve jashtë saj.

Tani, kur aspirata për integrime është më afër se kurrë, të gjitha institucionet e vendit, qytetarët, mediat dhe intelektualët, duhet të akumulojnë të gjitha forcat pozitive që të ecim me vetëdije të qartë drejt integrimit të kombit tonë në Familjen Perëndimore, aty ku e kemi vendin përherë.

Kosova ka realizuar objektivat e saja për liri dhe për pavarësi vetëm në saje të bashkëpunimit të fuqishëm dhe të vazhdueshëm me Perëndimin.

Prandaj edhe sot,duhet me tërë potencialet tona, të vihemi në shërbim të sendërtimit të aspiratës së përhershme për të jetuar në Europën e Bashkuar, sepse me të lidhet ekzistenca jonë.

Integrimi i vendit tonë në BE, është i varur drejtpërdrejtë prej vullnetit tonë dhe të institucioneve që të përafrojmë Kosovën në të gjitha aspektet me BE-në. Prandaj, është moment i volitshëm që të ulim dozën e retorikës së panevojshme dhe t’ju përvishemi punëve, me vullnet, bindje dhe përkushtim, që vitin e ardhshëm, vendi ynë të bëjë një hap të rëndësishëm në rrugën e integrimit në Familjen Europiane.

Për këtë, kërkohen institucione politike stabile, demokraci funksionale, komunikim politik të shëndoshë, zgjedhje të mira e demokratike, gjyqësi të pavarur, media të lira dhe liri për të gjithë qytetarët e vendit. Plotësimi i standardeve të kërkuara nga BE-ja, është në të mirë të vendit tonë, të së tashmes së tij dhe sidomos të ardhmes së Kosovës.

Në këtë ditë, PSHDK-ja vlerëson se Kosova vazhdon të jetë larg qëllimit final për integrim, mirëpo ne nuk guxojmë assesi për këtë ta hedhim fajin diku tjetër. Këtë rrugë, askush nuk mund ta pengojë më shumë se papërgjegjësia e institucioneve tona.

Rruga e integrimeve europiane, është rrugë që duhet ta ndjekim me përkushtim dhe seriozitet maksimal. Klasa politike në vend, këto vite nuk ka demonstruar seriozitet në këtë drejtim.

Pikërisht për këtë, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, është thellësisht e brengosur për ngecjet në synimet për t’u integruar në BE.

Klasa politike vendore, duhet urgjentisht të kalojë nga retorika në praktikë dhe të përmbush standardet e kërkuara nga BE-ja, që janë për të gjitha vendet dhe në të mirë të të gjitha vendeve.

Ne vlerësojmë se rrugën e integrimeve askush nuk mund ta pengoj më shumë se orientimet e vullnetshme apo të pavullnetshme kundër perëndimit.

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), sot kujton me respekt baballarët e Europës së Bashkuar, ata europian të mëdhenj që vunë themelet e Europës në paqe, liri dhe të bashkuar. Ata ishin demokristian të devotshëm, pishtarë të ideve unifikuese, të cilat ideale sot i trashëgojmë të gjithë. 

(Autori është Kryetar i Partisë Shqiptare Demokristine të Kosovës)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)