02 Maj 2024

Çështjet Limaj: Trillime prej 32 000 % deri në 80 milionë %

Shkruan: Muhamet Mavraj

Duke hulumtuar montimet e jashtëzakonshme të çështjeve Limaj, piktura po mbushet e dritësohet nga pjesët e errëta e misterioze. Kudo në këtë rrëfim po shfaqet garda e vjetër e hetuesve, prokurorëve dhe njerëzve të tyre. Këta e kanë mburojë Eulex-in, por jo vetëm atë.

Ata dinë të maskohen edhe nëpër familje patriotike, dinë të strehohen te familje me emër, mbase edhe t’i humbin gjurmët e vërteta të shërbimeve të huaja që u përkasin duke i ndërruar tabelat në shërbime vendore dhe krijimin e përshtypjes se prapa tyre qëndrojnë njerëzit kryesor të skenës së Kosovës. Këto do të zbardhen në të ardhmen. Janë shume njerëz që e kanë nisur montimin dhe u ka ngelë si këmbë arushe në dorë.

Aktakuza e pakonfirmuar kundër Limajt për menaxhimin ministror është mbështetur në mesazhin e “25-shes me kater xero” të falsifikuar dobët në numrin e një biznemeni gjilanas dhe dërguar gjoja këshilltarit të Limajt dhe jo Limajt, por që rezultoi të mos jetë qarkulluar kurrë nëpërmjet Valës 900. Ai është shkruar në polici pasi një prokuror i qarkut O.M. kishte urdhëruar marrjen e mesazheve telefonike të postë për numrat e Endrit Shalës dhe biznesmenit gjilanas F.Z.


Por, pas krimit të shëmtuar me pasoja marramendëse, banda që mendohet të jetë përgjegjëse për këtë krim të jashtëzakonshëm, është shpërndarë nga vendet e mëparme të punës, disa s’janë fare as në polici, as në prokurori.

Mund të kenë kryer shumë krime tjera në mirëbesim të shtetit dhe poashtu mund t’i kenë zhdukur shumë prova tjera. Nuk është vetëm një njeri i vetëm, janë disa, janë shumë.

 Kështu ka bërë edhe prokurori shqiptar O.M. Tash nga krahu sulmues ka dalë në krah “mbrojtës”, është bërë avokat në pleqëri të shtyrë. Edhe ky u takon prokurorëve të kohës së “artë” të kaluar.
Kemi përpara një lëmsh të madh, një kurthë të jashtëzakonshme. Shoqëria meriton të dijë çka i është punuar prapa shpinës dhe nga kush, dhe pse, dhe ku, dhe kur, dhe si.

Kthehemi në thelbin e krimit në zyret e shtetit

MESAZHI I VI-TË FALSO, shfaqet nga Endriti tek F.Z., që i mvishet datës 25 mars 2009, pa marrë kurrafarë mesazhi nga biznesmeni të cilit gjoja i shkroi po atë ditë në 15:11. (shih pjesën e kaluar të fejtonit). Tash pa iu falënderuar ai fare Endritit, ky i kthen mirësjelljen dhe diçka më shumë: “Ska perse, mos ta nin ty sa te jom une ketu, tung”.

Pra, i jep edhe garanci të forta se punën do t’ia kryejë. Por, falsifikuesi ka bërë një gabim logjik, si çdokund që lëshon gabime. Ka harruar ta përfshijë shefin apo “shefat tu” (të Endritit, këshilltarit, siç porosiste mesazhi paraprak i biznesmenit- shih pjesën e kaluar të fejtonit). Këtu del të jetë vetëm një pushtet që vendos për milionat dhe i tëri i lihet këshilltarit në këtë mesazh të shkruar në polici, që i atribuohet nga të gjitha anët deri më tani vetëm ish policit Fitim R., i biri i një prokurori special, Ali R., dhe një ndërlidhjeje ende të pazbardhur me prokurorin, dinakun plak, O.M. Ky mesazh i 25 marsit 2009 mban orën 16:16.

 As që figuron në tabulatet e Shalës kjo kohë dhe as mesazh i kësaj kohe. Ka një sms në orën 16:12:57 dhe tjetrin në 16:32:48. Po t’i kishte shkruar ndonjëherë pa dyshim që do të ishte në listën e falsifikimeve, sepse çuditërisht lista falso ruan ndonjë mesazh privat të biznesmenit F.Z.

MESAAZHI I VII-TË FALSO: Ka harruar falsifikatori çfarë ka trilluar në këtë roman kriminalistik në emër të Endritit në një mesazh të mëparmë për “senet” (paratë) që s;kishte pse t’i derdhte biznesmeni para se ta nënshkruante kontratën. Tash del të kenë luajtur pak hesapet. Prapë Endriti shkruan pa i shkruar ai asgjë më 27 mars 2008, ora 10:10: “Jo jo sme pengove asgje, po mire eshte puna veq deri sa te del edhe kontraten mandej e nenshkruani, mirepo para kontrate duhet me i leshu senet. Tung.”.

Falsifikatori ka shkruar për shpejt tërë këto mesazhe dhe jep kohë të thjeshta si 16:16, 10:10 etj., megjithëse tabulatet dhe mostrat origjinale të Valës 900 siç po shihet përmbajnë gjithmonë edhe sekondat, jo vetëm orët dhe minutat.
Në dy palë dokumente zyrtare të Valës 900, në listë të komunikimeve dhe në tabelën e mesazheve të shkruara, më 27 mars 2009, në këtë kohë që e ka trilluar i famshmi polic, pra 10:10, nuk figuron gjë e përputhshme. Ka thirrje telefonike në orën 09:53:36 dhe mesazh që e dërgon në 10:14:04.

MESAZHI I VIII-FALSO, prapë nga Endriti gjoja tek biznesmeni gjilanas F.Z.. Kaq budalla e imagjinon polici këtë këshilltar të Limajt saqë ky nuk fsheh asgjë nga komunikimet telefonike derisa kryeka një krim të rëndë. Tash mesazhi mban datën 28 mars 2009, ora 12:03, por futet një fjalë fetare “kysmet”, shumë e pazakontë për fjalorin e Endritit, sipas mesazheve reale që i ka lexuar gazeta, dhe disa fraza të pazakonta për traditën e anës së Endritit:

“Po po kysmet ka me u bo, hahaha a po te hajn a, hajt se edhe ato kryhen, po qka me bo qe duhet me ja dhon ketyne te medhejve, nihemi. Tung.” Pra u shfaqën sërish do “të mëdhenj”. Pa emra. Këto mesazhe edhe sikur të ishin të vërteta s’do të kishin kurrëfarë fuqie reale për t’i ngrit akuzë tjerëve që s’janë të përfshirë realisht në komunikime, nëse nuk kanë mbështetje / ndërlidhje me komunikimet e tyre, meqë ra fjala e aktakuzave vetëm mbi bazë përgjimesh. Sidoqoftë, s’ka fare komunikim mes Endritit dhe F.Z.-së, aq më pak në këtë kohë.

Në dokumentet zyrtare ka komunikim me një numër telefoni të përditshëm e të bujshëm të jetës private, thirrje në 12:01:46 që zgjat dy minuta e dy sekonda, që i bie se në 12:03 mund të ketë shkëmbyer ndonjë puthje nga distanca më parë sesa gjatë bisedës t’i ketë rënë ndërmend fytyra e biznesmenit gjilanas. Pas bisedës shkruan një mesazh privat dhe i shkel butonin “dërgo” në orën 12:05:18.


Të përkujtomë se mesazhi fatal që tronditi Kosovën dhe tash po zbardhet hap pas hapi sikurse i tërë montimi në errësirë, ishte mesazhi i katërt inkriminues, i dërguar gjoja nga F.Z. te Endrit Shala, më 23 mars 2009, në kohën 10:13 minuta: “O Endrit shefi, pasnesër qelen senet, qka po ta merr mendja a po mundemi me bo naj sen o shef, e ta kryj obligimin ndaj atyne tuve qe i ki. Ta jap o shpirt qat 25she me kater xero, kalo mire e lajmerom.”.

Pikërisht është montuar shifra 250 mijë euroshe për të cilën Eulexi e bëri përrallë Kosovën dhe ia vazhdon vetes mandatin këtu duke bërë procese politike në emër të sundimit të ligjit . Kjo është ajo shuma për të cilën tërë kohën po themi se ra nga 80 milionët e fantazuar të Eulexit në 250 mijë, për 320 fish apo për 32 000 %. Këtë mesazh nuk ka fuqi teknike që e mbështet, është e tëra trillim, dhe kjo është arsyeja pse gjyqtari portugez ka refuzuar ta konfirmojë aktakuzën e prokurorit joserioz të Eulexit kundër Fatmir Limajt.

Në javët e ardhshme do të themi lirisht se bëhej fjalë për 80 milionë % trillime të bandës së organizuar brenda policisë sonë, me erë nëntoke dhe brenda Eulexit me erë nëntoke, duke përfshirë edhe ICO-në që bashkëpunonte e koordinonte ngushtë hesapet me Eulexin kundër Limajt, për projektet e tyre që e ardhmja do t’i konfirmojë më bidshëm.

Por, ka edhe vendorë që kanë dashur ta shantazhojnë Limajn sa ishte ministër e në kulm të punëve për përfitimnet e tyre.(Gazeta Epoka e re, 9 shkurt 2013)
(VIJON)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)