28 Prill 2024

Besa e Konstandinit e solli përsëri Doruntinën të Naissusi

Shkruar nga Reshat Avdiu

Tash e shumë vite më parë ndër popullatën shqiptare në këtë pjesë të Dardanisë Lindore flitet për Besën e Madhe të Konstandinit nga Nishi, që ia kishte dhënë motrës së tij  Doruntina Naissusit. Të cilën e kishte martuar  shtatë konaqe larg nga Nishi.

Duke e pajtuar dhe ngushlluar se për ç’do motmot do të shkonte dhe merrte motrën e vet dhe sillte në gjirin e saj familjar.

Luftëra dhe hata të mëdha kishin ra atëbotë mbi trojet dardane  nga të huajt. Në njërën nga ato beteja të shumta kishte ra edhe vet Konstantin i Madh. 

E për Doruntinën kishin filluar të zgjateshin, e të zgjateshin, pa kufi stinat dhe motet e mërzisë dhe brengës për vëllanë, nënën për ato fusha dhe lendina të blerta  në Naissusin e saj të lindjes.
   
Ç’do mëngjes pranveror ajo dilte tek ata dy lisat e mëdhenj mbi kodrinë për ta pritur vëllain e saj se mos po i vinte atje nga Dardania e largët me kalin e tij të shpejt si shiqeta.

Kot vëllai i saj nuk vinte se nuk vinte dot, pastaj  së beshku me qyqet e malit ia fillonte vajit dhe kujës për Konstandinin dhe nënën Helenë e mbetur edhe ajo si qyqe në rrem në fronin e të birit të saj në Mediana*** të Naissusit.

 Edhe nëna e saj e priste  të bijën e vet se mos po i vinte sa për ta parë dhe ngushlluar për Konstandinin e Madh. Sytë iu kishin verbuar nga vetmia dhe lotët e ditëve dhe nëtëve në vijim.
   
Një ditë si zakonisht përsëri Doruntina kishte dalë tek ata dy lisat e mëdhenj për ta pritur vëllanë e saj. 

E diku atje larg përtej fushës së gjërë dhe katër maleve shqiptare dukej si nëpër mjegull një kalorës që e ngiste kalin e tij si shiqeta ai sa vinte ofrohej e ofrohej.

Hej! Zemra e motrës së shkretë filloi t’i rrihte, e t’i rrihte, vrullshëm e më vrullshëm saqë donti t’i dilte nga kraharori. Vallë  a mos do të jetë vëllai i motrës?!

Po, po Konstandini ishte vet, ishte ngritur nga varri dhe kishte ardhur për ta marrë motrën e tij, dhe për ta çuar në vend Besën e Madhe Shqiptare.

Doruntina e kishte kuptuar se me vëllain e saj nuk ishte diçka në rregull, sishte më ai Kostandini i fuqishëm që kur qëllonte me topuzin e tij të madh bënte që edhe bjeshka të dridhej!

I vinte erë dheu, sytë i kishte të shteruar dhe të venitur, fytyra e tij  dyllë e verdhë, flokët e gjata e të shpupurishura, duart e ftohta si akulli, plisi dhe guna e tij e baltosur me opinga të grisura. Kështu dukej kalorsi nga Dardania e largët.

Koha ishte të niseshin për ate rrugë të largët të Egnatias për në Naissus. Kur po i afroheshin shtëpisë së vjetër, Konstandini i thotë motrës së tij, hec motra ime, hec përpara, sa ta lidhi gjokun për trungun e Mollës së Kuqe!

Nga ai moment Konstandini i motrës, së bashku me erën e fortë që kishte filluar të fryente, e të fryente ate pranverë të vonuar, humbi dhe nuk u duk më!

Doruntina si një verkë mbi valët e detit të tërbuar drejtohet për në votrën e nënës Helenë.

Ate të shkretë e gjeti të ulur skaj oxhakut duke vajtuar për të bijën e saj Doruntinën dhe djalin Konstandin Naissusin i vrarë ndër beteja të shumta me bajlozët dhe invadorët huaj që vinin atje përtej detit  për t’i mësyer këto trojet tona dardane.

Nënë, nënë, jam bija yte Doruntina! O Zot, a mos jam në ëndërr, a mos po tallet ndokush me mua plakën e shkretë dhe të verbër.

Jo moj nënë, jo, Konstandini, Konstandini… vëllai i motrës erdhi dhe më morri e më solli këtu! Mbeti pak larg shtëpisë sa për ta lidhur kalin për trungun e Mollës së Kuqe të Naissusit.

Jo, e shkreta moj bijë! Konstandini vëllai yt, ka vite që ka vdekur edhe varri  tij  gjer më tani është rrafshuar për tokë nga stina dhe moti.

Ah, moj e gjora nënë, Besën e Madhe Shqiptare që nga Troja jonë e lashtë e gjer më sot nuk po e treti dot dheu  as nuk po e  thanë dot dielli dhe as nuk po e merr dot dallga e detit… .

Ajo është ngulitur thellë në mendjen dhe shpirtin e ç’do shqiptari, pra edhe Besa, e Konstandin Nassusit do të jetojë, e do të jetojë ndër mote…!

P.S.

Në vitin 330 e.s., Mbretëresha Helenë vdes dhe varroset në Mediana të Nassusit, në Fronin e të birit të saj, Shën Kostandit të Madh. Ky vendbanim Iliro-Dardan, gjendet sot mes Nishit dhe Banjës së Nishit, gjegjësisht Ilixhës së Nishit. Helena  ishte e një shtrese shumë të ulët, e cila u martua me Konstancë Klorin.

Pas kësaj ai u nda nga Helena, pasi u detyrua ta merrte për grua vajzën e Maksimilianit, Teodorën. Kostandini ishte pak i shkolluar dhe ishte peng te Diokleciani dhe Galeri në kohën e sundimit të tyre ai luftoi me trimëri.

/Autori është i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së Muhaxhirëve” për Kosovën Lindore me seli në Preshevë/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)