03 Maj 2024

Bashkimi kombëtar si shpëtim

Shkruar nga Gani Qarri 

Në vitin e keq të përmbushjes së një shekulli ndarje e copëtimi të trojeve tona kombëtare, Serbia me urdhrin e Ivica Daçiqit-kryeministër aktual dhe ministër i brendshëm i saj i cili tanimë akuzohet hapur për bashkëpunim me klanet më të mëdha kriminale serbe të drogës dhe larjes së parasë në Ballkan, që nga vjeshta e vitit 2008,derisa ishte ministër i brendshëm dhe zëvendëskryeministër i Serbisë,para heshtjes sonë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare,ai me xhandarët e tij vetëm pak ditë më parë hoqi nga \"Sheshi i Dëshmorëve\" në Preshevë, simbolin e vetëm të nderimit ndaj të rënëve për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve autokton atje. 

Rreth një javë para se të mbahej përkujtimi i 13 vjetorit të shpërthimit të kryengritjes së shqiptarëve në Kosovën lindore për liri dhe të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare, më 20 janar të vitit 2013,xhandarmëria serbe,hoqi e qet dhe pa zhurmë e asnjë siklet-kundërshtimi, sado i vogël qoftë ai, madje le të ishte edhe tërësisht paqësor, përmendoren me emrat e atyre që si Guri i traditës-peshonin më së RËNDI, aty ku u takonte amshimi-në tokat e të parëve dhe vend të vet!

Ndaj, jo vetëm emrat por edhe eshtrat e 27 dëshmorëve dhe heronjve kombëtar të rënë për tokat e tyre nën pushtim, edhe një herë sikur u tranden bashkë me heqjen e përmendores.

Ajo nuk ishte më shumë se një simbolikë përkushtimi kombëtar dhe \"kulm\" strehimi,e cila ishte ngritur ti ruante këta emra nga dhëmbi i kohës,sikur mos ti shkatërronte atributet e përkujtimeve njerëzore shqiptare, ironia dhe dhuna e ri-orkestruar serbe, mbi këto troje tonat etnike.

Përmendorja vet, nuk ishte pengesë as kërcënim ndaj askujt, por ata që nuk do me asnjë kusht ti ketë aty Serbia, janë rreth 90% e bashkëkombësve tanë-banorëve të vjetër autokton, të cilët popullojnë Preshevën, kurse fshatrat përreth saj deri edhe 100%, në shumë vendbanime të Kosovës Lindore, ndaj ndodhë edhe ky vazhdim cinik i diskriminimit të kamotshëm serb, të ripërsëritur kohët e fundit, i cili është i njohur për mëse një shekull nga shqiptarët nën pushtim.

Por,një gjë nuk duhet harruar as Serbia,se edhe para 12-13 vitesh, shkak i shpërthimit të kryengritjes dhe fillimit të luftës në Kosovën Lindore,nuk ishte jetesa e mirë dhe e barabartë e shqiptarëve me kombet tjera,por ishte politika diskriminuese serbe ndaj shqiptarëve autokton, ajo që në janarin e vitit 2000,ngriti në këmbë luftëtarët e bashkuar kombëtar në fshatin Dobrosin, nën emblemën e lavdishme të UÇPMB-s,për liritë dhe të drejtat e tyre që u takonin si njerëz dhe komb.

Kjo kryengritje e përgjakshme,u përmbyll më 21 Maj të vitit 2001, pas rreth një viti e gjysmë luftimi, kur me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare do të nënshkruhej edhe një marrëveshje ndërmjet palëve ndërluftuese e cila parashihte amnistinë e kryengritësve dhe liri e të drejta më të mëdha për shqiptarët.

Megjithatë, shtetet pushtuese me të kaluar kriminale si Serbia,edhe pas lidhjes së marrëveshjeve, nuk shuajnë orekset e tyre për pushtime. Ndaj ato shfrytëzojnë çdo rast dhe mundësi për likuidimin e kokave kryesore që kanë udhëhequr luftën, me të cilat herëdo-kurë, ajo llogaritë se mund të ulen sërish në tavolinën e bisedimeve.

Pasi që ata edhe njihen si njerëz të pa kompromis ndaj padrejtësive të cilët asnjë herë,për asnjë çmim dhe me asnjë lloj shantazhi a frikësimi, nuk bëjnë lëshime në kurriz të popullit që përfaqësojnë,pushtuesit gjithmonë kërkojnë mënyra të sofistikuara për likuidimin e tyre.

I tillë ishte edhe udhëheqësi i bisedimeve dhe komandanti më i njohur i luftës në Kosovën Lindore - Ridvan Qazimi, të cilin më 24 Maj të vitit 2001, pra vetëm katër dit pas arritjes së marrëveshjes së Konqulit të 21 Majit të atij viti, për ndërprerjen e luftimeve,do ta vrisnin snajperët serb të vendosur enkas përlikuidimin e tij nga soldateska serbe, pabesisht dhe në mënyrë tinëzare në një pritë të organizuar në fshatin Tërnoc të komunës së Bujanocit.

Kurse,siç patëm rastin ti shihnim edhe tani,pa drojë as shqetësim,pa asnjë zhurmë apo trazime sado simbolike, ngadalë dhe krejt për qejfi, plotësisht të qetë dhe sikur të vepronin sipas ndonjë marrëveshje të arritur(ndoshta \"konspirative\"), në Agimin e freskët të 20 Janarit 2013,i cili përgatitej të zbardhonte mëngjesin e asaj dite të zymtë për shqiptarët, xhandarët serb nxinë edhe një herë “Sheshin e Dëshmorëve” në Preshevë, duke hequr Përmendoren e ngritur në nderim të të rënëve të UÇPMB-së, në mesin e të cilëve figuronte edhe emri i nderuar i komandant Lleshit-Ridvan Qazimit.

Ndaj,akti i fundit që bëri Serbia, ishte edhe një vrasje sërishmi e 27 dëshmorëve si dhe sprovë tejet provokuese e mbytjes me dhunë të kujtimit kombëtar, luftarak e familjar ndaj të rënëve të luftës së Kosovës Lindore, për liri dhe të drejta të shqiptarëve atje.

Heqja e përmendores, nuk ishte thjeshtë vetëm zhvendosja me forcë e një Pllake përkujtimore të rënësh për liri por edhe një porosi e rrezikshme dhe paralajmërim trishtues për zhbërjen e pjesëtarëve të kombit tonë në tërësi, nga trojet e tyre stërgjyshore të mbetura nën Serbi.

Serbia dhe institucionet e saj, asnjëherë nuk i deshën as respektuan liritë dhe të drejtat e shqiptarëve,ndaj ky akt vandal nuk atakoi vetëm banorët e këtyre trojeve tona etnike, por të gjithë pjesëtarët e kombit tonë kudo.

Madje,përkundër një diskriminimi të tillë të pa parë askund tjetër,kryeministri aktual serb-Daçiq, si moto veprimi politik ka përzgjedhur ti fyej kolektivisht shqiptarët me përbuzje kombëtare dhe sulme shoviniste kundër tyre,duke mos hezituar që ata ti quaj edhe Al-Kaidë e terrorist...

Bile, për të qenë çudia edhe më e madhe , jo vetëm ai (Daçiq), por edhe Bashkësia Evropiane-(BE), tërheqin vërejtjen se Shteti i Kosovës nuk guxon të interesohet për shqiptarët e pjesëve të saj të mbetur nën Serbi,me arsyetimin e paturp, se gjoja problemet e shqiptarëve të Kosovës Lindore,na qenkan fund e krye vetëm punë e brendshme e shtetit serb,kurse interesimet e Serbisë për serbët e Kosovës në veri,përkundër akteve të tyre kriminale, barrikadave,pengimit të shtrirjes së ligjshmërisë dhe bllokimeve të gjithfarllojëshme në atë pjesë të shtetit tonë,konsiderohen të ligjshme,dhe vazhdimisht kërkohen lëshime të reja e të pa fund deri në autonomi substanciale për ta në Veri.

Por, pa marrë parasysh se çfarë thonë dhe mendojnë të tjerët, pjesëtarët e kombit tonë në Kosovën lindore si të gjithë shqiptarët kudo- për ne janë Një! Ata për jetë të jetëve do të mbeten shqiptar dhe pjesë e gjakut tonë që nuk falet.

Ndaj,pas akteve të fundit vandale serbe në Preshevë,me çdo kusht duhet të shtrohet në tavolinën e bisedimeve për zgjidhje të përhershme dhe njëherë e mirë problemi i tyre, jo duke u lutur dhe rënë në gjunjë para pushtuesve, por duke e kushtëzuar Serbinë me reciprocitet dhe kushte e të drejta të barabarta për shqiptarët në Kosovën Lindore, njëjtë si ato që ajo dhe BE, pretendon për serbët në veri të vendit tonë.

Përndryshe është e ditur botërisht se siguri të plotë për pjesëtarët e popullit tonë në tokat e mbetura jashtë kufijve të shtetit kombëtar nuk ka dhe kjo as nuk mund të arrihet as garantohet, pa bashkimin e përhershëm të të gjitha trojeve tona në një shtet të vetëm kombëtar.

Ndaj është koha që përfaqësuesit e popullit tonë, akademitë tona, organizata, intelektual dhe diplomat,përfundimisht t`ua bëjnë me dije BE-së dhe OKB-së, se ose duhet të vlejnë të drejta të njëjta dhe të barabarta për të gjithë,përfshi edhe bashkëkombësit tanë nën sundimin e shteteve fqinje ose duhet të realizohet sa më parë që të jetë i mundur-bashkimi kombëtar edhe për shqiptarët,në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të ketë qetësi dhe stabilitet edhe në Ballkan.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)