30 Prill 2024

Bac u kry

Shkruar nga Faik Krasniqi

Pas këtij sllogani i cili po shihet dita-ditës se me të vërtetë është një gënjeshtër e pa menduar mirë ( ose një dëshirë e tyre, por dëshirat dhe ëndrrat Kombëtare nuk realizohen kur punohet vetëm për përfitime personale), sepse me ngecjet e Kosovës në tërë aspektet po e turpërojnë edhe figurën e Bacës, nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, nga ''miqtë'' e Bacës, të gjitha këto të ngjajnë si në libra të ilustruara me ngjyrat bardhë e zi, si foto e viteve të komunizmit.

Ja sa kemi ecur rrugës për ta përmbushur vërtetë amanetin e Bacës. Në komunat ku udhëheq PDK-ja, kemi investime më të dukshme, por pa as një peshë për mirëqenien ekonomike- sociale të qytetarëve, pa dallime se a janë familje të dëshmorëve apo jo.

Jemi në gjysmën e muajit gusht dhe akoma nuk kemi hasur në probleme me orë të tëra të energjisë elektrike, duke pasur parasysh se tek ne është “Festë” vetëm kur mbahen zgjedhjet, por festë tek ne nuk është kur janë festat kombëtare apo fetare që i kalojmë në errësirë.

Vitin tjetër kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, pritet prapë pushtetin ta ri-fitojnë horrat që tash e katërmbëdhjetë vite po e katandisin Kosovën si një fole e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e duke u zotuar se këto dukuri negative janë duke u luftuar, e fakt këtë e dëshmojë ''Rasti Bllaca'', se si po luftohen dukuritë negative në vendin tonë.

Këta janë që e njollosën rrugën e Bacës dhe të gjithë Dëshmorëve të Luftës së fundit, këta janë ata që po njollosin politikën duke parë çdo ditë fakte që manipulojnë me taksat e qytetarëve, me donacionet nga jashtë për Kosovën, dhe zëdhënsat e tyre dalin arsyetojnë çdo ditë se nuk janë të vërteta ato fakte që shohim, këta janë ata që po mundohen të na bindin se e zeza është e bardhë, dhe nuk duhet diskutuar.

Jemi i vetmi vendë në botë pas Kubës, që analfabetat në krye tash e katërmbëdhjetë vite na udhëheqin shtetin. E gëzojmë një pavarësi e cila u bë pa dëshirën e popullit, por populli me vlera njerëzore festojë duke u besuar këtyre që thonë ''BAC U KRY''. Kemi një kushtetutë ku nuk na prezanton kombësinë, thjeshtë jemi qytetar të një shteti, ku në fakt me atë kushtetutë duhet të quhemi shtetëz.

Nuk janë ata që nuk kanë njohuri mbi protokolet që do na i servirë edhe në të ardhmen EULEX-i, por, si gjithmonë popullit liridashës dhe pro paqes ja servirin pjesët ku duket kopsht me lule.

Të gjitha këto ndodhin, përderi sa ne shqiptarët anë e mbanë trojeve shqiptare nuk krijojmë Këshillin Kombëtar, sepse sikur të kishim një Këshillë, për konsultim para se të nënshkruajmë pako e dhurata antishqiptare nuk do ishim të kanosur kështu siç jemi sot.

(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme ''Lajm'')