30 Prill 2024

10 shkurti ka nevojë për drejtësi

Fjala e Glauk Konjufcës në debatin parlamentar për Demostratën e 10 shkurtit 2007

Në gjuhën shqipe fjala drejtësi është e mbarsur me një përmbajtje më se të denjë për kuptimin e saj fisnik. Drejtësi është ajo që është e drejtë. Ajo e vendos atë që është e drejtë, duke e ndëshkuar dhe duke e zmbrapsur atë që është e padrejtë.

E drejta është e duhura dhe e domosdoshmja.  E drejtë është ajo që është drejt, ajo që rri drejt. Padrejtësia është e lakueshme, e kërrusur po sikur supet e mbledhura të hajnit përpara kryerjes së veprës. Drejtësia është dinjitet. Dinjitet do të thotë të ecësh drejt.

Drejtësia, në këtë kuptim, merr trajtën e drejtimit. Drejtësia të drejton tek e vërteta. Drejtësia është drejtim vleror i shoqërisë. Drejtësia të tregon kah dhe të tregon si. Duke u ndëshkuar e keqja, tregohet drejtimi i të mirës. Ka lloj-lloj drejtimesh, por drejtimi i gabuar nuk është drejtim, sepse nuk është i drejtë. Drejtësia është drejtimi në kahun e drejtë, në kahun e duhur.

Duke qenë rruga më e shkurtër e mundshme, ajo që është e drejtë, ajo që është drejt, drejtësia është e drejtpërdrejtë. Drejtësia është shkencore. Në drejtësi nuk ka sinonime dhe metafora. Aty ka fakte, argumente dhe vendime.

Shtrohet pyetja, në ç’kuptim 10 Shkurti ishte mishërim i drejtësisë? E drejtë, siç dihet, është vetëvendosja. Jo më kot kjo e drejtë quhet e drejta për vetëvendosje. Populli më 10 shkurt po kërkonte vetëvendosje, po e kërkonte këtë të drejtë, ashtu që fati politik i vendit tonë të përcaktohej përmes vendimit të qytetarëve, dhe jo në pazar me Serbinë.

Para 6 vitesh u mbajt demonstrata e 10 shkurtit të vitit 2007. Kjo ishte një demonstratë e thirrur dhe e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, paqësore në motivin, qëllimin dhe organizimin e vet, por e kthyer qëllimisht në të dhunshme nga forcat policore rumune, ukrainase dhe polake të  policisë së UNMIK-ut.

Demonstrata ishte shprehje e pakënaqësisë qytetare ndaj Planit të Ahtisaarit, që e përmban ndarjen etnike të Kosovës dhe shitjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Demonstrata ishte planifikuar shumë qartë, madje u dha publikisht edhe rruga konkrete e marshimit të protestuesve, e cila do të fillonte te selia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, do të kalonte kah Qeveria dhe do të përfundonte para UNMIK-ut.

Në sheshin ‘Nëna Terezë’, pikërisht përballë Teatrit Kombëtar, forca të shuma të policisë së UNMIK-ut, kishin bllokuar rrugën e protestuesve, duke mos na lënë të ecnim tutje sipas marshutës së planifikuar dhe të bërë publike. 

Sipas të gjitha konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, kjo ishte shkelje, meqenëse dukej fare qartë se policia nuk kishte dalë aty për ta krijuar një zonë të veçantë të sigurisë përreth objekteve.

Ajo kishte dalë në mes të sheshit, e kishte bllokuar të gjithë sheshin, ishte pozicionuar në mënyrë fare frontale dhe vetëm priste që demonstruesit ta bënin një hap përpara.Një indikator i qartë se policia e UNMIK-ut kishte bërë plan për përdorimin e dhunës ishin edhe armët e shumta të grumbulluara.

Këto ishin kryesisht armë të gjata të cilat shërbejnë për qitje me plumba gome si dhe armët e hedhjes së gazit lotsjellës. Policia e Kosovës e përbënte rendin e parë të kordonit bllokues, por demonstruesit nuk u ndalën seriozisht nga policia jonë.

Kur protestuesit erdhën te rendi i kordonit në të cilat ishin të vendosura formacionet rumune, ukrainase dhe polake të UNMIK-ut, këto të fundit filluan shtënien me armë në drejtim të protestuesve duarthatë.


Shumë prej demonstruesve morën goditje në pjesët e epërme të trupit, kryesisht mbi bel, në gjoks e kokë. Kurse sipas konventave për përdorimin e armëve më plumba gome specifikohet fare qartë se shënjestrimi i protestuesve bëhet në pjesët e poshtme të trupit, kryesisht në gjymtyrë.

Kjo tregon se atë ditë policia e UNMIK-ut nuk e kishte për qëllim neutralizimin e protestuesve, por dëmtimin maksimal të tyre. Pikërisht për shkak të këtij lloj përdorimi qëllime të këtyre armëve, humbën jetën Arben Xheladini dhe Mon Balaj si dhe u plagosën mi 80 vetë, prej të cilëve më së rëndi Zenel Zeneli me plumbin ende afër zemrës, Hysni Hyseni që e humbi syrin, si dhe Mustafë Nerjovaj, që e humbi një pjesë të kafkës.

Në vend që për këto krime të ndiqeshin kriminelët që i shkaktuan, UNMIK-u burgosi Albin Kurtin gati një vit dhe i mbylli zyrat e VETËVENDOSJE!-s nëpër Kosovë.

Kryepolici Stephen Curtis u kthye në shtëpinë e vet, kurse Rumania dekoroi policinë e saj për punën e kryer. Në një hetim që u krye nga vetë UNMIK-u për këtë ngjarje kriminale, kryeprokurori Robert Dean, përpiloi një raport në të cilin tha se përdorimi i forcës nga ana e policisë ka qenë i ‘tepërt’ dhe i ‘shmangshëm’.

Se viktimat e 10 shkurtit janë pasojë e përdorimit të dhunës së shfrenuar nga ana e policisë. Dhe se një masë e madhe e plumbave të gomës ishin qe 13 vite pa afat, gjë që i bënte ata edhe helmues.

Më 10 shkurt u vranë dy qytetarë dhe u plagosën me dhjetëra, por deri tash askush nuk u dënua. Një dëgjim i organizuar nga UNMIK-u përfundoi në mënyrë të turpshme, duke ua kërkuar familjeve Xheladini dhe Balaj heshtjen e tyre dhe mosndjekjen penale të UNMIK-ut në shkëmbim të kompensimit material. 

Institucionet e drejtësisë si dhe ato politike të Republikës së Kosovës deri sot nuk kanë bërë asgjë për këtë çështje. Serioziteti i një shteti matet me përkushtimin e tij ndaj mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të vet kur ato shkelen.

10 Shkurti e ka parë krimin, manipulimin, shtrembërimin, njollosjen dhe përdhosjen.
Por, 10 shkurti ka nevojë për drejtësi.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)