29 Prill 2024

ZRRE propozon ndryshim të planit tarifor të energjisë

Prishtinë, 11 shkurt - Me qëllim të informimit të publikut dhe palëve të interesit, dhe në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë e dhëna me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, ZRRE ka hartuar dokumentin “Raport Konsultativ për Strukturën Tarifore”, ku janë paraqitur opsionet e mundshme lidhur me ndryshimin e strukturës ekzistuese tarifore.

”Gjatë hartimit të dokumentit ZRRE‐ja ka marrë parasysh kërkesat nga palët e interesuara, të cilat i janë drejtuar ZRRE‐së, dhe i ka kushtuar vëmendje të posaçme rekomandimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pas një analize të kujdesshme të strukturës ekzistuese tarifore, Bordi i ZRRE ka vendosur që strukturën e tanishme tarifore ta shqyrtojë përmes konsultimit publik.

Duhet të theksohet se struktura tarifore nuk ndikon te ndërmarrjet e licencuara sepse pavarësisht saj, të hyrat e lejuara të përgjithshme për furnizimin e konsumatorëve të rregulluar përcaktohen në bazë të kostove reale të këtyre ndërmarrjeve.

ZRRE pajtohet që tarifat duhet të jenë të thjeshta dhe të kuptueshme për konsumatorët, por jo që për hir të thjeshtësisë të dëmtohen konsumatorët. Një ndryshim i strukturës së tanishme tarifore mund të ketë pasoja negative në nivelin e përballueshmërisë së çmimit të energjisë elektrike bazuar në kategorinë e konsumit dhe nivelin e shfrytëzimit të energjisë elektrike.

Struktura e tanishme tarifore për shkak të kufizimeve të sistemit tonë energjetik favorizon konsumatorët të cilët konsumojnë më pak energji elektrike, pjesë e të cilëve është një përqindje e madhe e konsumatorëve në Kosovë. Me thjeshtësimin e strukturës tarifore, në të shumtën e rasteve te konsumatorët shtëpiak të cilët konsumojnë nën 600 kWh, mesatarja e vlerave të faturave do të jetë me e lartë.

Në mungesë të prodhimit të mjaftueshëm të energjisë elektrike paraqitet nevoja që të gjithë konsumatorët të mbulojnë çmimet e larta të importit për të siguruar furnizim të sigurt për konsumatorët shtëpiak.

Duke u bazuar në të dhënat e përllogaritura në këtë dokument, të dhënat tjera të sistemit, përcaktuesve të faturimit të grupeve të ndryshme të konsumatorëve, sasisë së konsumit të energjisë elektrike nga konsumatorët shtëpiak, dhe supozimeve tjera, si ilustrim i një tarife mesatare për konsumatorët shtëpiak pa asnjë kufizim, që mund të imponohet si rrjedhojë e ndryshimeve të strukturës tarifore, mund të jetë rreth 6.08 c/kWh.

Përderisa mbajtja e disa elementeve të strukturës së tanishme tarifore do të mundësonte të kemi një ndryshim të tarifave mesatare për konsum të ndryshëm. Varësisht nga vendimi përfundimtar për strukturën tarifore, tarifa për konsumatorët e rregulluar për konsum specifik në kohë specifike mund të jetë prej 3.61 c/kWh deri tek 8.35 c/kWh.

Struktura e tanishme tarifore, mundëson që disa tarifa të kenë vlera të afërta me kufirin e ulët prej 3.61 c/kWh (Furnizimi është më i lirë gjatë netëve të verës kur konsumi është më i ulët), dhe disa tarifa tjera të cilat janë më të larta se 8.35 c/kWh (Furnizimi më i shtrenjtë është gjatë ditëve të dimrit, kur konsumi është më i lartë).

Duhet të theksohet se këto kosto janë vetëm një ilustrim i kostove të supozuara të sistemit për të shpjeguar ndikimet e mundshme të ndryshimit të strukturës tarifore. Dokumenti “Raport Konsultativ për Strukturën Tarifore” është i publikuar në faqen elektronike zyrtare të ZRRE: www.ero‐ks.org. ZRRE fton të gjitha palët e interesit të japin komentet e tyre në këtë dokument deri me datë 05.03.2014.

Komentet mund të dërgohen në emalin info@ero‐ks.org me titull “Komente për strukturën tarifore”. Po ashtu për këtë qëllim gjatë javës së ardhshme ZRRE do të mbajë edhe një seancë publike, ku ZRRE do t’ju përgjigjet pyetjeve të ndryshme dhe do të pranoj komentet e palëve të interesuara. Për datën dhe vendin e saktë të seancës publike do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftim. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)