Transformatori i ri do ta stailizojë furnizimin me energji në Dragash
 
		 
		
Dragash, 3 prill - Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), në vazhdën e investimeve në rinovimin e rrjetit, ka vendosur një transformator të ri në Dragash.
Transformatori, do të sigurojë shpërndarjen në standardet më të larta të energjisë elektrike në fshatrat dhe qytetin e Dragashit.  
Korab Zymeri, menaxher për koordinim  të releve në KEDS tha se transformatori i ri, ka kapacitet prej 8 Megavolt Amper (MVA).
 Ky transformator ka dyfishin e fuqisë, krahasuar me atë të vjetrin, sepse është i nivelit të tensionit 35/10 Kilo volt, tregon Zymeri.
Sipas tij, transformatori i vjetër nuk  ka plotësuar kërkesat e banorëve të Dragashit. 
Transformatori i vjetër ka  pasur fuqi prej  4 Megavolt Amper (MVA), prandaj nuk i ka plotësuar kërkesat e banorëve, tregon ai. 
Banori i Dragashit Rean Krasniqi tha se kohët e fundit, kanë pasur probleme me furnizim të mjaftueshëm të energjisë elektrike.
Rryma ka qenë shumë e dobët. Tash shpresojmë se do të kemi më shumë rrymë, shprehet  ai.
Krasniqi, gjatë tërë kohës sa janë zhvilluar punimet nga punëtorët e KEDS-it, ka përcjell nga afër vendosjen e transformatorit të ri. Ai tregon se transformatori i vjetër, ka qenë i vendosur në vitet 70ta.
Transformatori ka qenë shumë i vjetër , shprehet ai.
Menaxheri i KEDS-it Zymeri, tha se me ndërrimit e këtij transformatori është rritur siguria e furnizimit me energji elektrike në komunën e Dragashit. /PrizrenPress.com/ 
 















