29 Prill 2024

Termocentrale të reja gjithandej botës

Prishtinë, 4 shtator - Kosova ka pasuri të mëdha të linjitit dhe renditet ndër pesë vendet e para me pasuri linjiti, por shumë pak e shfrytëzon atë.

Përderisa vendet tjera në rajon dhe në botë edhe pse nuk e posedojnë këtë pasuri vazhdojnë të furnizohen dhe të planifikojnë ndërtimin e termocentraleve të reja të bazuar në djegjen e linjitit.

Bazuar në numrin e termocentraleve aktive në vendet e rajonit del që pjesa më e madhe e këtyre vendeve prodhojnë më së shumti energji nga djegia e linjitit.

Sipas World Resources Institute  (WRI) 1,199 termocentrale të reja linjiti janë propozuar në mbarë botën, me një kapacitet prej 1,401,278 megavatësh.

Nga këto projekte të shpërndara në 59 shtete, 76 për qind janë të parapara vetëm në Kinë dhe Indi që janë dy shtetet me popullsinë më të madhe në botë.

Sipas të dhënave të  WRI-së Kina planifikon ndërtimin e 363 termocentraleve të reja, ndërsa India 455 të tilla.

Turqia është duke punuar në drejtim të ndërtimit të 49 termocentraleve të reja, ndërsa Rusia 48.

Edhe shtetet perendimore kanë në planifikimet e tyre energjetike ndërtimin e termocentraleve të bazuar në djegjen e qymyrit. Kështu SHBA është në proces të ndërtimit të 36 termocentraleve të reja. Gjermania 10, Italia 4,Holanda 3, Sllovenia 1.

Në shtetet e rajonit prinë Bosnja me 8 termocentrale të reja të planifikuara, Bullgaria dhe Serbia me nga 4, Greqia 3, Mali zi 2, Kroacia, Hungaria dhe Maqedonia me nga 1, ashtu sikurse edhe Kosova.

Kosova nuk ka ndërtuar asnjë kapacitet të ri gjenerues të energjisë që nga viti i largët 1984. Ndërsa që më shumë se një dekadë është duke u diskutuar mundësia e ndërtimit të një termocentrali të ri.

Kosova C apo Kosova e Re është një nga projektet më të përfolura në dhjetë vjetet e fundit. Vendimin për ndërtimin e këtij projekti është marr qysh në vitin 2006, menjëherë pas formimit të Ministrisë së atëhershme të Energjisë dhe Minierave.

Fillimisht termocentrali ishte projektuar me 2100 megavat. Pastaj, projekti u riemërua nga Termocentrali “Kosova C” në “Kosova e re”, dhe u ul kapaciteti prodhues në 1,000 megavat. Ndërsa, ndryshimi i tretë bëhet kur shpallet tenderi për ndërtimin e termocentralit me 600 megavat.

Ky termocentral që është planifikuar të ndërtohet nga kompania amerikane “Contour Global” do të jetë një nga projektet më të mëdha investuese të Kosovës.

Në projektin Kosova e Re planifikohet të punësohen 10 mijë persona gjatë ndërtimit të termocentralit, derisa 500 persona do të jenë të punësuar të përhershëm.

Në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik janë deklaruar se  Termocentrali “Kosova e re” do nisë të ndërtohet në fund të vitit 2016 dhe të përfundojë pas pesë apo gjashtë viteve.

Një pjesë e caktuar e shoqërisë civile e kanë kundërshtuar ndërtimin e këtij termocentrali, por pa ofruar alternative realisitike për mbushjen e zbrazëtirës së furnizimit me energji elektrike, e cila sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik po i shkakton bizneseve humbje qindra milionëshe.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)