11 Maj 2024

Temperaturat ekstreme minimale mbërrijnë në Kosovë

Prishtinë, 16 janar - Ashtu siç ishte paralajmëruar, mbrëmë vranësirat kanë filluar të marrin zhvillim të hovshëm të shoqëruara me uljen e dukshme të temperaturave, duke shndërruar reshjet e shiut në borë.

Kjo për shkak se vendi ynë do të jetë nën ndikimin e masave të ftohta të ajrit me origjinë siberiane.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës, këto masa ciklonike do të ndikojnë në prishjen e këtij ekuilibri termik, i cili ishte plot tetë ditë të kaluara.

“Sipas parashikimeve numerike, sinoptike dhe atyre radarike, reshjet e borës do të vazhdojnë gjatë vikendit dhe në disa vende edhe në pjesën e parë të ditës së hënë. Karakteristikë e kësaj gjendje meteorologjike është edhe rënia e theksuar e temperaturave minimale të cilat ishin parashikuar qysh më herët, por që besueshmëria për një çrregullim enorm të motit sipas parashikimeve të fundit gjithnjë është duke u rritur”, thuhet në komunikatën e IHMK-së.

IHMK thotë se nga dita e shtunë e tutje vlerat e minimaleve dhe maksimalet do të jenë gjithnjë negative në termometër.

Nga dita e hënë e deri të premten IHMK thotë se temperaturat minimale do të zbresin dukshëm diku nga -16 deri -19 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga veriu dhe verilindja herë-herë me vrull me shpejtësi mbi 18m/s.

“Në bazë të paralajmërimeve meteorologjike se do të ketë borë dhe acar gjatë fundjavës dhe javës që vjen, Komuna e Prishtinës i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit”, thuhet në komunikatë të kësaj komune.

Sipas komunës, në kushte atmosferike ekstreme vështirësohet pastrimi i rrugëve nga bora dhe akulli, andaj Komuna e Prishtinës kërkon nga ngasësit e makinave që t’i kenë të gjitha pajisjet dimërore siç janë të obliguar me ligj dhe mos të dalin të papërgatitur në rrugë, pasi po e bllokojnë rrugën dhe po shkaktojnë kaos në qytet.

Po ashtu , komuna apelon tek pronarët e dyqaneve që ta pastrojnë borën në trotuar, para dyqaneve të tyre, siç parashihet në rregullore, në mënyrë që së bashku ta bëhet i mundur qarkullimi sa më i lehtë të njerëzve.

Ndryshe, kompanitë e pas trimit që në mëngjese janë parë në rrugët e kryeqytetit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)