29 Prill 2024

SHBA-të përgëzojnë KEK-un për kontribut në sigurinë energjetike

Prishtinë, 11 dhjetor - Ndihmës Sekretarja Amerikane e Armatës, zonja Katherine Hammack, e shoqëruar nga një delegacion i nivelit të lartë të Ambasadës dhe KFOR-it Amerikan, vizitoi termocentralin Kosova B.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni u prit dhe u shoqërua nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj si dhe menaxhmenti i KEK-ut.

Me ketë rast, delegacioni u informua nga Gjukaj me gjendjen, rezultatet e arritura dhe proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u.

“Jemi shumë të vetëdijshëm, se sistemi elektro-energjetik i Republikës së Kosovës bazohet gati në tërësi në njësitë gjeneruese të KEK-ut. Andaj operimi stabil dhe i besueshëm i termocentraleve ekzistuese ka rëndësi jetike për furnizimin e qytetarëve me energji elektrike.”, tha Arben Gjukaj.

“Duke pasur parasysh nevojat që dalin nga dizajni i sistemit elektro-energjetik të Kosovës, përkundër sfidave të ndërlidhura me jetëgjatësinë e njësive gjeneruese me të cilat operon, KEK-u ka rritur prodhimin në vitet e fundit, vazhdimisht 5 deri në 10 për qind çdo vit.\"

\"Kjo është arritur falë angazhimit maksimal të punëtorëve të korporatës në tërë hallkat e prodhimit duke filluar nga prodhimi i qymyrit e deri tek termocentralet dhe fale investimeve qenësore te ndërmarra gjate kësaj periudhe”, tha Gjukaj.

Delegacioni u informua gjithashtu se në vitin 2012 në gjeneratorët e dy termocentraleve janë prodhuar 5.85 milionë megavat/orë energji elektrike, qe ishte prodhimi me i larte qe nga fillimi punës se tyre. Duke marr parasysh se për 11 muaj te këtij viti janë prodhuar gati 5.8 milion megavat/ore energji elektrike ky rekord pritet te tejkalohet prapë ne vitin 2013.

Delegacioni u informua gjithashtu edhe në lidhje me investimet e ndërmarra  në projektet ambientale siç është ndërrimi i elektro-filtrave të njësive të Termocentralit “Kosova A”.

“KEK-u ka bërë përpjekje të mëdha për të minimizuar ndikimin mjedisor të tri njësive operative të Kosova A. Pos kësaj, kemi zëvendësuar transportin e hirit fluturues nga shiritat e hapur në sistem hidraulik nga Kosova A, sikurse jemi duke ri-kultivuar kodrat e hirit dhe jemi duke eliminuar substancat e rrezikshme. Pra, kemi punuar në eliminimin e katër shkaktarëve kryesor të ndotjes së ambientit nga KEK-u”, shtoi z. Gjukaj.

Ndihmës Sekretarja Amerikane e Armatës, Shkëlqesia e Saj  zonja Katherine Hammack u nda mjaftë e kënaqur për punën të cilën po e bën menaxhmenti i korporatës duke cekur se përkundër shume vështirësive me të cilat ballafaqohet KEK-u, rezultatet nuk mungojnë.

Ajo njëherësh falënderoi dhe përgëzoi menaxhmentin veçanërisht për rezultatet e arritura në prodhim si dhe kontributin ne sigurinë energjetike te vendit, që është bazë për zhvillimin ekonomik të shtetit.