19 Prill 2024

Publikohet Raporti i monitorimit të sektorit të mjedisit në nivelin qendror

Prishtinë, 5 gusht - EC Ma Ndryshe ka publikuar Raportin e monitorimit të sektorit të mjedisit në nivelin qendror (Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës-MMPHI dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural-MBPZhR, për vitin 2021).

Gjetjet e këtij raporti në kapituj të caktuar kanë identifikuar mangësitë aktuale në sektorin e mjedisit, që kërkojnë vëmendje më të shtuar nga autoritetet përgjegjëse.

Metodologjia e ndjekur nga EC Ma Ndryshe për përpilimin e këtij raporti merr në konsideratë 16 akte ligjore dhe nënligjore që adresojnë aspekte të ndryshme të mbrojtjes së mjedisit.

Konkluzionet bazuar në këtë monitorim janë:

Pjesa dërmuese e organeve kompetente të nivelit qendror kanë pranuar se numri i angazhuar i shërbyesve civil për kryerjen e detyrave të përcaktuara me ligj nuk është i mjaftueshëm. Disa prej tyre kanë theksuar edhe nevojën për bashkëpunim më të plotë me nivelin lokal në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së vlerave natyrore.

Për kornizën ligjore mjedisore është shprehur qëndrimi se është e konsoliduar, por se ka nevojë edhe për plotësim-ndryshime me qëllim të harmonizimit me legjislacionin e BE-së.

Të dhënat e grumbulluara në kuadër të hulumtimit lidhur me dokumentet e planifikimit, programet, projektet dhe masat për mbrojtjen e mjedisit janë simbolike, dhe vetvetiu është tregues për nevojën e përmirësimit të punës së organeve përgjegjëse në këtë aspekt. Situatë e ngjashme është edhe sa i përket mbikëqyrjes inspektive dhe raportimit mjedisor, ku përgjegjësia për raportet i është adresuar kryesisht AMMK-së.

Ndonëse është rritur buxheti për projekte kapitale mjedisore, dhe gjithashtu është rritur edhe numri i projekteve nga donatorët, nevoja dhe kërkesa për investime në mjedis mbetet ende e lartë, dhe se çështja e mjedisit në Kosovë ende trajtohet me prioritet të ulët.

Edhe sistemet e menaxhimit të të dhënave mjedisore kërkojnë përmirësim të mëtejshëm ngase nuk janë të kompletuara, dhe njëkohësisht nevojitet staf adekuat.

Bashkëpunimi dhe koordinimi mes ministrive dhe institucioneve tjera publike në hartimin e akteve ligjore e nënligjore, si dhe strategjive mjedisore nga organet përgjegjëse është vlerësuar si i kënaqshëm, derisa pjesëmarrja e publikut në hartimin e dokumenteve mjedisore është vlerësuar si mesatar.

Ngjashëm si në kapitujt e tjerë, institucionet përgjegjëse duhet të shtojnë kujdesin edhe për raportim më efikas edhe sa i përket licencimit dhe lëshimit të lejeve mjedisore.

Në fund të raportit janë adresuar edhe disa rekomandime me qëllim të përmirësimeve dhe plotësimeve në proceset e planifikimit dhe menaxhimit mjedisor, drejt arritjes së rezultateve më të qëndrueshme në sektorin e mjedisit dhe mbrojtjen e resurseve natyrore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)