09 Maj 2024

Projektligjet janë në harmoni me legjislacionin e BE-së

Prishtinë, 29 mars -  Në dëgjimin publik, të organizuar sot nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit, është diskutuar për një pako të gjerë projektligjesh nga fusha e energjisë.

Për këtë pako projektligjesh, në të cilën bënë pjesë: Projektligji për energjinë, Projektligji për Gazin Natyrorë, Projektligji për rregullatorin e energjisë dhe Projektligji për energjinë elektrike, fillimisht foli kryetari i komisionit, Mustafa.

Ai tha se projektligjet do të ndikojnë në furnizimin e vazhdueshëm me energji elektrike,  me një çmim  të përballueshëm për qytetarët, ndërkaq,  vlerësoi se ato janë në harmoni me legjislacionin e BE-së nga kjo fushë, si dhe  përmbushin obligimet ndaj Komunitetit Evropian të Energjisë.

Në emër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), foli Sabit Gashi, i cili vuri në dukje se nisma për hartimin e këtyre  projektligjeve,  daton që nga viti 2013.  Ai më pas qartësoi se projektligjet dalin edhe si obligim ndaj Komunitetit Evropian të Energjisë, me qëllim të krijimit të infrastrukturës ligjore, për t’iu përshtatur tregut të energjisë. Objektivat, të cilat synohet që të arrihen përmes këtyre projektligjeve, sqaroi më pas Gashi, janë : sigurimi i një Transmisioni të pavarur energjetik, rregullatorë të pavarur të energjisë elektrike, si dhe sigurimi i tregut të hapur.

Në emër të Institutit, INDEP, foli Dardan Abazi. Ai pasi paraqiti vërejtjet dhe rekomandimet lidhur me projektligjet, u angazhua  dhe rekomandoi po ashtu, që Ministria përkatëse, të hartojë edhe Projektligjin për efiçiencën e energjisë elektrike.

Në favor të projektligjeve, duke paraqitur vërejtje më shumë të natyrës teknike, u shpreh edhe përfaqësuesi i KOST-it, Visar  Hoxha, si dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Mentor Morina.

Komente rreth projektligjeve në vijim paraqitën edhe Nezir Myrtaj nga  MZHE-ja e Afrim Ajvazi, përfaqësues i ZRRE-së. Ata pikasën nevojën e ndryshimeve në disa nene, ndërkaq, u zotuan se rekomandimet do t’i dërgojnë me shkrim.

Pas kësaj, fjalën e mori Ali Hamiti, ekspert  fushës, i angazhuar nga komisioni.

Ai tha se Kosova ka më së shumti ligje në rajon që rregullon sektorin e energjisë, ndërkaq, projektligjet e propozuara  nga MZHE-ja, i vlerësoi të përshtatshme për rregullimin adekuat të lëmenjve të kësaj fushe. Në vijim, ai po ashtu paraqiti edhe rekomandimet e tija, të cilat, së bashku me të tjerat që dolën nga debati, do të shqyrtohen nga grupi punues.

Gjatë debatit, opinionet e veta dhe mëdyshjet për nene të caktuara i paraqitën edhe anëtarët e komisionit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)