30 Prill 2024

Prezantohet zhvillimi i strategjisësë ndryshimeve klimatike të Kosovës

Prishtinë, 21 tetor - Në tryezën e rrumbullakët të mbajtur sot, u prezantua zhvillimi i strategjisë së ndryshimeve klimate të Kosovës, strategjia e zhvillimit të emetimit të ulët në Kosovë dhe strategjia kombëtare e adaptimit.

Në këtë tryezë mori pjesë zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, zëvëndës përfaqësuesja e përhershme e UNDP, Steliana Nedera dhe shumë ekspertë nga fusha e mjedisit dhe ndikimit të ndryshimeve klimatike në mjedis. Mungesa e një strategjie ka qenë për vite me rradhë një dobësi e përmendur në të gjitha raportet vjetore të progresit nga Komisioni Europian.

Një ndër arsyet e vonesës së zhvillimit të strategjisë ka qenë edhe kostoja e lartë e implementimit (293-365 milionë euro).

Në fjalën e tij, zëvendësministri Shala tha se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka kohë që në bashkëpunim me ministritë tjera të linjës me pjesëmarrje nga shoqëria civile, si dhe në veçanti me ndihmën e ekspertëve të jashtëm dhe vendorë të angazhuar përmes projektit të UNDP ka punuar në hartimin e Strategjisë për Ndryshimet Klimatike.

Sipas Shalës, Kosova tanimë ka filluar përpjekjet e saja për të harmonizuar legjislacionin mjedisor  në linjë me BE’në, me qëllim që të arrijë caqet e BE’së që deri në vitin 2020 të reduktojë emetimet e gazrave dhe konsumin e energjisë për 20%, dhe të rrisë përdorimin e energjisë së ripërtërishme me 20%. Sa i përket strategjisë, zëvendësministri tha se kjo strategji  për 20 vitet e ardhshme do të adresojë zotimet e UNFCCC njësoj sikur Kosova të ishte palë e organizatës.

Ndërkaq, njëri nga ekspertët që ndihmuan në përpilimin e draftit të strategjisë për ndryshime klimatike dhe emetimit të ultë në Kosovë, Jernej Stritih, tha se përgjatë mbledhjes së informacioneve për ndryshimet klimatike në vend është vërejtur se Kosova si vend nuk është liruese e madhe e gazërave që shkaktojnë efektin serë.

Në krahasim me nivelet e lirimit të gazërave serë në vendet e BE’së, për kokë banori, emetimet në Kosovë arrijnë nivelin e pak më shumë se gjysmës së nivelit në BE. Megjithatë, ai shtoi se emetimet janë në trend të rritjes, krysisht nga sektori i energjisë, pasuar nga transporti rrugor, menaxhimi i plehut, industritë prodhuese, etj.

Sipas këtij eksperti, Kosova është duke bërë progres sa i përket përgaditjes së kësaj strategjie, përkundër faktit se akoma nuk është nënshkruese e Kornizë-Konventës së Kombeve të Bashkuara për ndryshime Klimatike, pasi që afatet dhe kushtet që duhet të përmbushen për agjendën e integrimit europian, ato do të shërbejnë edhe në anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Eksperti tjetër nga ekipi për zhvillimin e strategjisë kombëtare për adaptim, Patrick Hutjens, tha se kjo startegji është prioritet për procesin e përafrimit të Kosovës në BE.

Sipas tij, këto strategji të prezantuara sot kanë një vizion të qartë për një Kosovë që i qëndron ndryshimit të klimës, duke i zvogëluar në mënyrë efektive pasojat e ndryshimi të klimës dhe duke reaguar në ndikimet e këtyre ndryshimeve, duke pasë parasysh parimet e miratuara ndërkombëtare për zhvillim të qëndrueshëm.

Ai tha se është përgaditur një listë prej 74 masash që duhen ndërmarrë, duke përfshirë mbrojtjen nga vërshimet, furnizimet dhe kërkesa për ujë, shëndeti publik, menaxhimi i pyjeve, menaxhimi i informatave, etj.