03 Maj 2024

Mustafa: Gjatë vitit përfundohen Ligji dhe Strategjia për Trepçën

Mitrovicë, 20 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në shënimin e 27-vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës.

Para qindra të pranishmëve në këtë ngjarje të veçantë, kryeministri Isa Mustafa ka garantuar minatorët e pranishëm se Trepça është dhe do të mbetet e Kosovës, se ajo s’do të jetë objekt i asnjë diskutimi dhe se gjatë këtij viti do të përfundohet Ligji për Trepçën, Strategjia për Trepçën të cilat do të sigurojnë perspektivë për Trepçën.

“Ajo që unë dëshiroj t’ju them, duke ju falënderuar që më thirrët që t’ju përshëndes është të ju garantoj që Trepça është e Kosovës, do të mbetet e Kosovës, s’do të jetë objekt i asnjë diskutimi për të, se Trepça është e juaja, e minatorëve dhe ju minatorët jeni të Kosovës.\"

\"Dhe po ashtu, ju siguroj se gjatë këtij viti, ashtu siç jemi marrë vesh me drejtorin e juaj, profesor Tmavën, me sindikatën e juaj dhe me përfaqësuesit tuaj, ne do ta përfundojmë Ligjin për Trepçën, do ta përfundojmë Strategjinë për Trepçën dhe do ta sigurojmë perspektivën e Trepçës.\"

\"Këtë ju garantoj, kjo është punë që do të përfundojë, do ta përshpejtojmë sa më shumë. E kemi përkrahjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, një numër që po i shoh që edhe sot janë këtu. Shpresoj që do ta kemi përkrahjen edhe të deputetëve të opozitës, sepse Trepça nuk është ajo që duhet të na ndajë, por duhet të jemi të gjithë bashkë pozitë dhe opozitë.\"

\"Kemi çështje për të cilat ne kemi nevojë të jemi bashkë por ka çështje në të cilat mund të kemi edhe mendime edhe divergjenca, sepse ato e krijojnë demokracinë”, tha kryeministri Mustafa, duke përshëndetur minatorët e të gjitha gjeneratave, të cilët edhe sot po punojnë dhe po japin vizionin dhe propozimet e tyre për mënyrën më të mirë se si të zgjidhet çështja e Trepçës.

Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa tha se zgjidhja nuk është e vetëm një pale, por se do të jetë e minatorëve, e ekspertëve të Trepçës, e njerëzve që kanë punuar në Trepçë dhe se Qeveria do ta respektojë atë deri në pikën e fundit.

Në pyetjet e gazetarëve lidhur me ngjarjet e fundit të Kuvend, kryeministri Mustafa tha se nuk ka asnjë kuptim dhe asnjë domethënie që të hidhet gaz lotsjellës dhe me dhunë të tentohet të pengohet puna e Parlamentit të Republikës së Kosovës.

“Parlamenti është vend ku pozita dhe opozita duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët, që të diskutojnë të gjitha çështjet që e preokupojnë vendin. Unë do të thirrja opozitën që të jetë në Parlament, që të marr pjesë në debat, që të votojnë ashtu siç ata mendojnë, që të shprehin mendimet e tyre, por gazi lotsjellës nuk është argument, dhuna nuk është argument dhe pengesat nuk janë argument të cilat duhet t’i ofrohen qytetarëve të Kosovës, bashkësisë ndërkombëtare dhe perspektivës së vendit”, tha kryeministri Mustafa.

Lidhur me dorëheqjen e Ramush Haradinajt, kryeministri Mustafa, pa dashur të komentoj këtë qëndrim personal të tij, ka thënë se ai pret nga z. Haradinaj dhe z. Limaj, si njerëz që kanë punuar në institucione, kanë kontribuar për institucionet e Republikës së Kosovës, kanë qenë luftëtarë të UÇK-së, kanë dhënë kontribut për këtë liri dhe pavarësi, që ata t’i kontribuojnë demokracisë, pavarësisë së vendit dhe po ashtu t’i kontribuojnë punës së Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Lidhur me kthimin e opozitës në Parlament, kryeministri Mustafa tha se opozita nuk e ka asnjë arsye që të mos kthehet duke shtuar se tashmë nuk është argument dhe nuk është kauzë as demarkacioni, as asociacioni që ata të mos jenë në Kuvend.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se puna e Kuvendit nuk mund të pengohet sepse duhet të përmbushen detyrat ndaj qytetarëve dhe se kjo është çështje e funksionimit të shtetit.

“Shteti duhet të funksionojë, Qeveria duhet të funksionojë dhe ne po bëjmë punë vetëm që të funksionojë shteti. Shteti nuk do të dorëzohet as para gazit lotsjellës, as para dhunës, por jemi të interesuar që krahas shtetit ta ndërtojmë demokracinë me të cilën ne cilën ne do të mburremi para opinionit ndërkombëtar”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar se Kuvendi do të punoj në atë sallë në të cilën ka punuar një ditë më parë dhe askush më nuk tërhiqet që të shkoj lartë, sepse 90 deputetë nuk mund t’i dorëzohen dhunës, gazit lotsjellës dhe anarkisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)