04 Maj 2024

Mbahet konferenca e pestë ndërkombëtare e energjisë

Prishtinë, 23 prill - Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) mbajti konferencën e pestë ndërkombëtare, e cila si temë diskutimi kishte zhvillimet energjetike në Kosovë dhe rajon.

Paneli i parë diskutues kishte për temë “Agjendën e Gjelbër të Kosovës”, e cila u fokusua në politikat e qëndrueshme dhe legjislacionin që ka të bëjë me mbrojtjen e ambientit, cilësinë e ajrit, standardet e emetimit të gazrave në komunikacion dhe emetimin e gazrave nga termocentralet, efiçiencën e energjisë dhe krijimin e kushteve për investime në fushën e energjisë së ripërtëritshme.

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor z.Ferid Agani tha se “do të bëjë çmos që të inkorporojë politikat e gjelbra, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve klimatike që po ndodhin”. Z.Agani po ashtu pranoi se nuk ka koordinim të duhur në mes të ministrive, duke marrë si shembull moskonsultimin e ministrisë së tij me rastin e marrjes së vendimit për heqjen e kufizimeve për importin e automjeteve.

Besa Zogaj - Gashi nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, tha se furnizimi me energji kualitative është një prioritet për Qeverinë. “Do të vihen bazat për një energji stabile, do të ketë energji të mjaftueshme, të ketë çmime të arsyeshme, të ngrihen investimet private dhe të krijohen vendet e reja të punës. Energjia e ripërtërishme është një tjetër prioritet i Republikës së Kosovës. Deri në vitin 2020 duhet të fillojë aplikimi i burimeve për energji të ripërtërishme”, tha ajo.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se “Në konkluzat e BE-së thuhet se “Kosova A” duhet të mbyllet, ne nuk e dimë a po e mbyllim se po thotë BE-ja, apo se neve po na dëmton ky termocentral?”, tha Ahmeti. “Sot e kemi problem ta bëjmë edhe matjen e ndotjes së ambientit. Kjo ndotje vjen nga Kosova A dhe B”.

Ai shtoi se komuna ka filluar diskutimet me BERZh-in për ndriçimin e Prishtinës me ndriçim efiçient në të gjitha rrugët, si dhe në të gjitha objektet publike duke filluar nga komuna, nëpër shkolla dhe objekte të tjera.

Rinora Gojani nga INDEP-i tha se Ligji për Efiçiencë nuk përfshin fondin për efiçiencë të energjisë. “Një gjë e cila mbetet jashtë këtij Ligji për Efiçiencë është fondi për efiçiencë të energjisë, me arsyetimin që Kosovës i lejohet vetëm një fond zhvillimor për energji”, tha ajo.

Ajo tha se janë miliona euro që janë dhënë në emër të efiçiencës së energjisë, por vetëm 1 për qind e konsumit të përgjithshëm ka qenë e zvogëluar.

“Ne kemi rekomanduar që të krijohet një task-forcë, e cila do të ishte katalizator i këtij fondi. Në këtë fond do duhej të derdhen edhe akciza nga poçet joefiçiente”, shtoi ajo.

Paneli i dytë kishte për temë diskutimi “Politikat Zhvillimore, Strategjitë Qeverisëse dhe Projektet Energjetike”. Ky panel u hap me një adresim nga ana e Ulrike Lunacek-ut, e cila përmes një video-incizimi të dërguar enkas për konferencën e KOSID-it, inkurajoi pjesëmarrësit, sidomos vendimarrësit që të punojnë drejt politikave të qëndrueshme energjetike, duke investuar në eficiencë të energjisë, lënë hapësirë investimeve në energjinë e ripërtërishme dhe mbylljen e ‘Kosovës A’”.

Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, gjatë konferencës tha se “sistemi i energjisë në Kosovë është i shtrenjtë dhe ndotës. BE-ja ka shprehur shqetësimet e saj për këto dhe zotimet për ta mbyllur “Kosovën A” në 2017-ën. Është zotim për qytetarët e Kosovës. Shqetësimi ynë është dëmi që po ua bën ky termocentral njerëzve në Kosovë”.

“S’ka rëndësi çka do të ndërmerret nga Qeveria, ne besojmë që nuk ka më shumë kohë, 2017-a është vetëm një afat. Për ne është e rëndësishme që nëse bëhet ‘Kosova C’, të bëhet duke u bazuar në teknologji të zhvilluar. Mendoj se ne po mundohemi të japim shembull duke u lidhur me disa projekte të reja, duke ndihmuar me disa milionë për energjinë efiçiente në disa shkolla dhe spitale”, shtoi Zhbogar.

Ndërsa, Matthias Kiesler nga ambasada gjermane tha se organet e Kosovës janë përgjegjëse për atë se çfarë  ndodh me energjinë dhe qytetarët e saj. “Gjermania përkrah një energji të pastër dhe inkurajon Qeverinë e Kosovës të bëjë më shumë në këtë drejtim”, shtoi ai.

“Çka do të ndodhë me ‘Kosovën A’, s’po duket gjatë për t’u mbyllur, ndërsa ka një zotim për ta mbyllur në 2017”, tha Kiesler. “Pjesa kryesore dhe presioni i madh i komponentëve duhet të bëhet hap pas hapi që ‘Kosova A’ të mos mbyllet plotësisht, por të ripërtërihet vit pas viti”, shtoi ai.

Zëvendësministresha e MZhE-së znj. Besa Zogaj – Gashi potencoi se për Qeverinë e Kosovës është primare mbajtja në nivele të pranueshme të çmimit të energjisë, andaj Qeveria në negociata me ofertuesin e vetëm për ndërtimin e Kosovës së Re është duke këmbëngulur që oferta financiare të jetë e pranueshme dhe e përballueshme.

Paneli i tretë dhe i fundit debatoi prë çështjen e “Liberalizimit të Tregut Energjetik”. Në këtë panel ishin prezentë përfaqësues të Zyrës së BE-së në Prishtinë, KOSTT-it, KEK-ut, ambasadori i Republikës së Shqipërisë. Në këtë panel u diskutua lidhur me lidhjet energjetike të Kosovës me rajonin, problemet teknike dhe problemet tjera që mund të paraqiten në liberalizimin e tregut energjetik.

Konferenca ndërkombëtare e KOSID-it do të vazhdojë punimet edhe në dy ditët në vijim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)