30 Prill 2024

KEDS publikon webfaqen

Prishtinë, 10 tetor - “Kompania kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike” ka publikuar faqen e vet në internet www.keds-energy.com në ceremoninë e organizuar për prezantim të uebfaqës në zyret e KEDS në Prishtinë. Webfaqja ka për qëllim t’u ofrojë qasje konsumatorëve duke u ofruar informata dhe shërbime të rëndësishme.

Drejtori menaxhues i KEDS, Vedi Yesilkilic fillimisht falënderoj mediat që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës që t’i bashkëngjiten këtij evenimenti të rëndësishëm për kompaninë KEDS që synon të jetë një storie suksesi në ekonominë e re të Kosovës.

“Motivohemi  nga dëshira që qytetarit të Kosovës t’i ofrojmë shërbime sa më të mira, sa më cilësore dhe sa më të kënaqshme. Dhe, duke analizuar hapat e parë që i ka bërë KEDS, mund të themi se ky rrugëtim do të jetë i suksesshëm dhe i mirëseardhur për të gjithë” thekson z. Vedi Yesilcilic.

“Kompania kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike”, apo siç njihet më mirë me akronimin - KEDS, ka përgatitur një faqe interaktive dhe shumë të lehtë për qasje, në të cilën qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje jo vetëm të marrin informata për furnizimin me energji elektrike, por edhe të njoftohen për shërbime të rëndësishme për ta.

Po ashtu, është për t’u vlerësuar fakti se përmes uebfaqes  edhe informimi i mediave të shkruara dhe elektronike do të jetë më i shpejtë dhe më efikas. Nëpërmjet uebfaqes mediat do të marrin informata lidhur me  ndërprerjet e planifikuara  të rrjetit, intervenimet emergjente, furnizimin me energji elektrike, si dhe lajme dhe ngjarje nga kompania, por do të informohen gjithashtu edhe për projektet dhe aktivitetet që zhvillohen në vazhdimësi.

Është me rëndësi të veçantë të theksohet se konsumatorët do të jenë në gjendje që përmes uebfaqes të informohen për gjendjen e faturës së tyre. Njëherësh, për herë të parë konsumatorëve do t’u ofrohen shërbime online. Ata përmes fushës IDEJA JUAJ do të munden të bëjnë kërkesa, sugjerime apo ankesa online.

“Në mënyrë që të mos mblidhen sugjerimet nga konsumatorët vetëm fizikisht, kutia e sugjerimeve online - fusha në Menynë “Idea Juaj” do të përfshihet në faqen elektronike të KEDS-it, ashtu që konsumatorët, punëtorët dhe pjesa tjetër e audiencës mund të arrijnë KEDS-in në çdo kohë, kudo. Kutia e sugjerimeve online ju jep mundësinë konsumatorëve dhe punëtorëve që të përmirësojnë ndërmarrjen përmes kontributit të tyre digjital.  Kutia e sugjerimeve online është e qasshme tërë ditën, çdo ditë dhe do të jetë e lehtë për ta përdorur. Të dhënat e pranuara nga “Idea Juaj” do të transferohen në Departamentin për Shërbim ndaj Konsumatorëve për procesin e trajtimit të rregullt dhe te mëtutjeshëm”, deklarojë z. Ilir Dula, Drejtor në Departamentin për Shërbim ndaj Konsumatorëve në KEDS.

Nëpërmjet faqes së internetit, konsumatorët do të mund t’i adresojnë kërkesat që mund t’i kenë, si kërkesat për lidhje të reja, për ndërrim pronari, për rikyçje e të ngjashme. Pra, një familje që e ka pasur të pasivizuar njehsorin e energjisë elektrike për shkak se jeton jashtë Kosovës, nga cilido qytet në botë mund të bëjë kërkesën për rikyçje dhe kjo kërkesë do të trajtohet njësoj sikur kërkesat e parashtruara në sportelet e KEDS.

Konsumatorët do të mund të parashtrojnë edhe ankesat nëpërmjet faqes në internet. Këto do të trajtohen dhe do të procesohen nga zyrtarët e KEDS njëjtë sikurse të parashtroheshin në sportelet e KEDS.

Naxhije Arifaj, përgjegjëse për publikime dhe uebfaqe në Zyrën për Komunikime në KEDS, u shpreh e kënaqur që KEDS ka arritur kaq shpejt të hapet për konsumatorët, duke u ofruar një faqe interneti me numrin më të madh të shërbimeve që ofron ndonjë kompani në rajon.

“Në kuadër të këtij angazhimi, KEDS do të ndërtojë një marrëdhënie sa më të afërt, sa më profesionale dhe sa më transparente me shfrytëzuesit e shërbimeve të kompanisë.  Me këtë synohet që qytetari të jetë sa më mirë i informuar për të arriturat e kompanisë, për sfidat me të cilët përballet kompania, si dhe me zgjidhjet që i ndërmerr kompania. Duke informuar drejt, shpejt dhe në mënyrë sa më të elaboruar, KEDS dëshiron që konsumatorin ta bëjë partner dhe rruga e zhvillimit të KEDS të bëhet edhe rrugë e zhvillimit të qytetarit të Kosovës.

Ky  projekt do të ndihmojë përgjithësisht në ngritjen e transparencës dhe informimit me kohë të konsumatorëve, mediave dhe palëve të treta.”, deklarojë Z. Naxhije Arifaj gjatë evenimentit të organizuar për prezantim të uebfaqës në ndërtesën e KEDS në Prishtinë.

Ueb-faqja e dizajnuar është në fazën e konsolidimit, derisa informatat e reja janë duke u plotësuar në vijim. Andaj, kërkojmë mirëkuptimin tuaj për gabimet e mundshme gjuhësore apo teknike që mund t’i hasni në këtë fazë. Komentet tuaja janë të mirëseardhura dhe bëjnë që informatat në uebfaqe të KEDS të jenë më të kompletuara dhe më të efektshme për konsumatorët.

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), është shoqëri aksionare me operim në tërë territorin e Kosovës. KEDS sh.a. ka ekskluzivitetin e furnizimit me energji elektrike dhe shpërndarjes së saj. KEDS sh.a. është themeluar në vitin 2009, ndërsa ka filluar aktivitetet e saj operative më 8 maj 2013, kur është ndarë përfundimisht nga KEK sh.a.

KEDS sh.a. është pronë e kompanive prestigjioze turke Çalik Holding dhe Limak. Ky konzorcium kishte ofertuar me çmimin më të lartë në tenderin e hapur për privatizimin e ish- Distribucionit të KEK-ut.

KEDS sh.a. ka 2,631 punëtorë duke qenë një nga punëdhënësit më të mëdhenj në Kosovë.