12 Maj 2024

KEDS nderohet me çmim në SHBA

Prishtinë, 16 mars - Kompania nga Kosova, KEDS, e cila merret me shpërndarjen e energjisë elektrike, mori dje në Uashington një çmim për angazhimin e saj në trajnimin dhe punësimin e të rinjve në Kosovë. Përfaqësuesit e Kompanisë ishin të martën në Washington ku morën çmimin për kontributin e tyre në shoqëri nga Klubi Kombëtar i Shtypit.

Si pjesë e përgjegjësisë ndaj shoqërisë, kompania e Shërbimit të Shpërndarjes së Energjisë në Kosovë, KEDS në vitin 2014 krijoi projektin Akademia KEDS. Ky projekt çdo vit organizon trajnime për studentët e universiteteve të Kosovës dhe shkollës së mesme “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Kompania përmes një konkursi të hapur zgjedh 50 studentë të inxhinierisë elektrike, të cilët më pas i trajnon për një vit. Pas mbarimit të kursit të trajnimit, shumica e studentëve punësohen nga kompania KEDS. Dëri më tani 75 nga 100 studentë që kanë mbaruar këtë program, janë punësuar nga kompania.

“Kjo është pjesa më e mirë e programit. Të gjithë në Kosovë e dinë se niveli i papunësisë është tepër i lartë sidomos mes të rinjve, 60 për qind e tyre janë të papunë. Unë besoj se ne jemi në rrugën e duhur”, thotë Serhat Inç, nismëtar dhe themelues i projektit Akademia KEDS.

Për angazhimin në këtë projekt firma KEDS u nderua me një çmim nga Klubi Kombëtar i Shtypit në Uashington. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve morën pjesë dhjetëra kompani dhe organizata amerikane e ndërkombëtare të cilat kanë dhënë kontribute të ndryshme për shoqërinë. Sipas organizatorëve të kësaj ceremonie, nderimi me çmime ka për synim të nxisë angazhimin e kompanive dhe organizatave për të bërë ndryshime pozitive në shoqëritë e vendeve në të cilat ato operojnë.

“Në një kohë kur retorika politike, dhe problem të tjera të ditës mbizotërojnë diskursin publik, është mirë që të kujtojmë kontributin e mirë që shumë organizata dhe kompani japin për çështje për shoqërinë”, tha në hapje të ceremonisë, prezantuesi i Klubit Kombëtar të Shtypit.

Menaxherja e Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në KEDS, Naxhije Arifaj, thotë se kompania do të vazhdojë anagazhimin e saj në këtë drejtim.

“Çmimi ka një domethënie të veçantë për ne, për programin tonë KEDS Academy. Në të vërtetë, është një shtysë shumë e madhe, një motivim për ne që të vazhdojmë tutje, ta avancojmë programin tonë në të mirë të rinisë kosovare, por mbi të gjitha në të mirë të shtetit të Kosovës”.

Kompania KEDS në vitin 2013 është blerë nga kompanitë turke Çalik dhe Limak të cilat kanë investuar në infrastrukturën dhe mirëmbajtjen e rrjetit shpërndarës të energjisë në Kosovë. Drejtori i KEDS, George Karagutoff thotë se pavarësisht se Kosova ka burime të pasura energjie, mungesa e investimeve në infrastrukturën energjetike po dëmton nivelin e prodhimit të energjisë në vend.

“Për shkak të vjetërsisë së sistemit të prodhimit vendas të energjisë, i cili shpesh përballet me prishje, Kosova një vend i pasur me linjit, detyrohet të përmbush nevojat e saj përmes importit të energjisë elektrike. Ne kemi bërë përparim në përmirësimin e rrjetit të shpërndarrjes së energjisë brenda vendit dhe në rrjetin e importit të energjisë. Ne duhet të balancojmë shumë sektorë në mënyrë që të sigurohemi që sistemi i energjisë në vend të funksionojë dhe çmimi i energjisë elektrike të ulet”.

Megjithëse, Kosova vazhdon të përballet me probleme në sistemin e energjisë elektrike drejtuesit e kompanisë KEDS besojnë se përmes investimeve të duhura vendi mund krijojë një sistem të qëndrueshëm të prodhimit të energjisë, i cili mund të ndihmojë edhe në zbutjen e papunësisë në vend. 

 

/voa/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)