30 Prill 2024

IFC dhe NLB Prishtina punojnë për të rritur efiçencën e energjisë

Prishtinë, 23 qershor - IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, dhe NLB Prishtina, pjesë e grupit më të madh bankar nga Sllovenia, kanë nënshkruar një marrëveshje sot për të investuar në rritjen e efiçencës së energjisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të amvisërive në Kosovë.

IFC-ja do të mbështesë NLB Prishtinën që të përmirësojë kapacitetin e saj për të gjetur, vlerësuar dhe financuar projekte për efiçencë të energjisë në vend, me qëllim që të ndihmojë në zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe të kontribuojë për një mjedis më të pastër dhe më të qëndrueshëm.

Kryetari i Bordit Drejtues të NLB Prishtina, Albert Lumezi,  tha se: “jemi të vetëdijshëm se ekzistojnë mundësi dhe potenciale të konsiderueshëm për investime në modernizimin e efiçencës së energjisë së ndërmarrjeve më të vogla dhe të sektorit të amvisërisë”.

Por, siç theksoi z. Lumezi “investimet në efiçencë të energjisë janë mjaft komplekse, prandaj jemi të kënaqur që këto investime do t’i zhvillojmë në bashkëpunim të ngushtë dhe me përkrahjen e IFC-së e cila ka përvojë dhe ekspertizë të konsiderueshmë në këtë drejtim.”

Projekti këshillues është pjesë e Programit të Financimit të Qëndrueshëm të Energjisë nga IFC-ja në Evropë dhe Azi Qendrore, që implementohet në partneritet me Ministrinë Federale të Financave të Austrisë. NLB Prishtina është banka e dytë nga Kosova që i bashkohet programit, pas Bankës për Biznes në shtator të vitit 2014.

“Efiçenca e energjisë është një prioritet për IFC-në për shkak të rritjes së kërkesës për energji, rritjes së kufizimeve në furnizim, dhe shqetësimeve të lidhura mbi efektet e ndryshimeve klimatike,” tha Thomas Lubeck, Drejtor Rajonal i IFC-së për Ballkanin Perëndimor.

“Ky projekt po ashtu do t’i mbështesë përpjekjet e qeverisë që të implementojë planin e saj të veprimit për energjinë efiçiente për shkurtim të shpenzimeve dhe përmbushje të standardeve evropiane”.

Programi i Financimit të Qëndrueshëm të Energjisë nga IFC-ja ofron gamë të gjerë të shërbimeve këshilluese për të mbështetur investimet në efiçiencë të energjisë. IFC-ja ndihmon zhvillimin e ekspertizës vendore me huadhënie të bazuar në efiçiencë të energjisë përmes trajnimeve, aktiviteteve të përbashkëta promocionale, materialeve burimore, dhe këshillave për transaksione.