31 Maj 2023

Hyn në fuqi metodologjia e taksave të kyçjes në rrjetin e shpërndarjes

Prishtinë, 24 maj - Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS)  ka njoftuar se metodologjia e taksave të kyçjes në KEDS është aprovuar nga ZRRE dhe ka hyrë në fuqi.

Kjo metodologji, e para e këtij lloji sipas KEDS parasheh aplikimin e taksave të reja për kyçje dhe për shkyçje.

KEDS thekson se qëllimi i Metodologjisë së taksave për kyçje në rrjetin e shpërndarjes është që të rregullojë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me kyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve.  

Në metodologji parashihet që taksa e kycjes për konsumatorët e rinj me kapacitet deri në 5 kWh të ulet nga 100, sa është aktualisht, në 60 euro.

Ndërsa, sa i përket taksës së kapacitetit, nëse një konsumator kërkon që të regjistrohet ose të shtojë kapacitetet, dhe nëse ka kapacitete të lira në vendin ku kërkohet, atëherë taksa është zero.

Në metodologji parashihet edhe aplikimi i taksës për shkyçje të konsumatorëve, që është paraparë të fillojë nga 17,70 euro (duke përfshirë TVSH-në) dhe vazhdon në bazë të kategorisë së konsumatorit dhe të konstantës.

"Lusim konsumatorët tanë që brenda afatit ligjor, i cili shkruan në secilën faturë që konsumatori e pranon, ta kryejë pagesën, meqë shkyçja aplikohet si masë finale e mos pagesës së obligimeve ndaj kompanisë. "

"Kryerja në afatet ligjore e obligimeve kontraktuale në mes të kompanisë dhe konsumatorit nënkupton edhe fuqizim i partneritetit në mes të dy palëve, çka është edhe qëllimi kryesor i metodologjisë së re", thekson KEDS.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 maj 2023

- Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor RYCO në partneritet me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe Deutsche Welle, mbajnë konferencën përmbyllëse të ciklit të dytë të programit “Transmetuesit e Paqes: Fuqizimi i gazetarëve të rinj si raportues të paqes”. (Salla e Konferencave “Orion”, ora 9:30)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektëligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike shënon Ditën Botërore pa Duhan me moton “Ne kemi nevojë për ushqim, jo për duhan”. (Ndërtesa e Institutit, ora 10:00)

- Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” do të ndërmarrë aksion për shkyçje në tri objekte banesore në Prishtinë. (Nisja e organizuar nga objekti i KRU “Prishtina”, Emshir, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla salla C 301, ora 11:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raporton në Komisionin për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare, të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:30)

- Promovohet libri "E vërteta e aktorit" e autorit Naim Berisha. (Amfiteatri i Bibliotekes Kombëtare, ora 12:00)

- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mban konferencë për medie lidhur me situatën aktuale në veri. (Selia e LDK-së te Qafa, ora 13:30)