29 Prill 2024

Gjermania jep 2.5 milionë euro për Hidroregjionin

Prishtinë, 11 dhjetor - "Qeveria e Kosovës është mirënjohëse dhe shumë falënderuese ndaj Qeverisë Gjermane që përmes KfW-së parashikon të investojë 2.5 milionë euro grant nga korniza e fondit regjional për energji të ripërtëritshme dhe efiqiencë të energjisë", tha sot ministri i Financave Besim Beqaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Financim dhe Projekt për të përkrahur përmirësimin e sistemit të ujit në Prizren.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave Besim Beqaj,  drejtori i KfW-së për Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi,  Joerg Meilicke, si dhe drejtori menagjues  i KUR Hidroregjioni Jugor  Besim Baraliu.  Në ceremoninë e nënshkrimit prezent ishte edhe  Milena Stein, përfaqësuese nga Ambasada Gjermane në Kosovë.

Me këtë rast ministri Besim Beqaj theksoi se  projekti synon kursim të energjisë duke e rritur furnizimin me ujë me gravitet dhe duke e reduktuar konsumin e energjisë për pompim të ujit. Kjo njëkohësisht do të kontribuoj në mbrojtje të klimës dhe ambientit.

“Projekti ka një rëndësi të madhe sepse zvogëlon koston e prodhimit të ujit dhe mundëson që kompania të ketë performancë më të mirë financiare. Me këtë projekt i mundësohet ujësjellësit që të operojë më lehtë me fabrikën e ujërave të zeza që është poashtu bashkëfinancim i Qeverisë Gjermane dhe Qeverisë së Kosovës përmes KfW-së”, SHTOI ministri Beqaj.

Sipas Ministri të Financave më këto dy projekte nuk përfundojnë të gjitha sfidat që i ka ujësjellësi i Prizrenit.

“Eliminimi i humbjeve të ujit dhe rritja e shkallës së inkasimit dhe integrimi i fshatrave në rrjetin e ujësjellësit regjional janë sfidat e radhës të Qeverisë së Kosovës, e cila është duke punuar në vazhdimësi me donatorët dhe ujësjellësin e Prizrenit që t‘i adresojë dhe të gjejë zgjidhje”.

Ai gjithashtu shtoi se bashkëpunimi me Qeverinë Gjermane në ujësjellësin e Prizrenit ka filluar qysh pasluftës në vitin 1999.

“Kemi filluar nga periudha emergjente dhe kemi arritur që së bashku me Qeverinë Gjermane pas 13 vjet bashkëpunimi të bëjmë investime kapitale që kanë efekte nacionale dhe regjionale. Fabrika e ujërave të zeza mundëson që Kosova të mos ndotë ujërat e Shqipërisë, për këtë arsye ka edhe efekt regjional. Projekti i EE-së mundëson që kjo fabrikë të punojë me kapacitet të plotë pa pengesa”.

Ndërsa, drejtori i KfW-së për Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi,  Joerg Meilicke , ka thënë se Republika Federale Gjermane përmes KfW-së (Bankës Gjermane për Zhvillim), për herë të parë do të investojë në një projekt të efiqiencës së energjisë në sektorin e ujit.

“Qeveria Gjermane përmes KfW-së parashikon një investim të 2.5 milionë eurove nga korniza e fondit regjional për energji të ripërtëritshme dhe efiqiencë të energjisë."

"Projekti synon kursim të energjisë duke e rritur furnizimin me ujë me gravitet dhe duke e reduktuar konsumin e energjisë për pompim të ujit. Kjo njëkohësisht do të kontribuoj në mbrojtje të klimës dhe ambientit”, tha ai.

“Kërkesa për ujë momentalisht në qytetin e Prizrenit mbulohet 40% përmes stacioneve të pompimit dhe 60% përmes furnizimit me gravitet nga burimet ujore. Pas implementimit të projektit pritet që furnizimi me gravitet të rritet deri 70% dhe konsumi i energjisë të zvogëlohet për 10%." "

Projekti është paraparë të implementohet mes 2013-2016 përfshirë edhe periudhën e garancionit apo eliminimit të defekteve të mundshme”, ka shtuar Meilicke.

Projekti i EE-së ka si komponentë kryesore: ndërtimin e rrjetit që lidhë burimin e ujit “40 bunarët” me rezervarin dhe rrjetin ekzistues të ujit.

Ky investim ka një rëndësi të veçantë sepse është projekti i parë i efiqiencës së energjisë në sektorin e ujit. Ujësjellësit janë një ndër konsumuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike. Për këtë arsye efektet e projektit janë të dyfishta, zvogëlohen kostot e ujësjellësit, poashtu zvogëlohet edhe konsumimi i energjisë.

Në Kompaninë e ujësjellësit regjional Hidroregjioni Jugor, Qeveria e Kosovës së bashku me  Qeverinë Gjermane përmes KfW-së është duke e implementuar edhe një projekt për ujërat e zeza.

Për përmirësimin e situatës në lidhje me  ujërat e zeza është parashikuar investimi në: ndërrimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ujërave të zeza, ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza, ndërtimin institucional, trajnimin dhe ndërtimin e kapaciteteve njerëzore.

Këto masa do të kontribuojnë në masë të madhe për përmirësimin e kualitetit të ujit të lumenjve dhe liqeneve si dhe ujërave nëntokësore direkt dhe indirekt që ndikojnë në përmirësimin e higjienës dhe kushteve shëndetësore të popullatës në përgjithësi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)