28 Prill 2024

Europa përfshihet nga të nxehtit, paralajmërohen rritje të temperaturave

Vjenë, 17 korrik - Prej disa ditësh e gjithë Europa është përfshirë nga një masë e të nxehtit afrikan, por vala përvëluese pritet të vijojë edhe përgjatë javës së ardhshme edhe në të tjera shtete të botës.

Eksperët paralajmërojnë rritje temperaturash të cilat në disa shtete pritet të arrijnë në 50 gradë celcius.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave Evropa Jugore dhe Afrika Veriore do të “pushtohen” nga moti i nxehtë.

Moti i nxehtë edhe në Shtetet e Bashkuara dhe Azi, konsiderohet një prej shembujve se si rrezikohet bota nga ngrohja globale.

Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.

I nxehti mund të ndikojë te secili mirëpo disa grupe janë më të cenueshme, sikurse të moshuarit dhe foshnjat.

Çfarë i bën i nxehti ekstrem trupit tonë?

Teksa trupi bëhet më i nxehtë, nisin të hapen enët e gjakut. Kjo rezulton me tension më të ulët të gjakut dhe e bën punën e zemrës më të vështirë për ta lëvizur gjakun nëpër trup.

Diçka e tillë mund të shkaktojë simptoma të lehta, siç janë kruarjet apo këmbët e ënjtura.
Në të njëjtën kohë, djersitja ndikon në humbje të lëngjeve dhe kripës, prandaj edhe ndryshon balanci i tyre në trup.

E gjithë kjo, e kombinuar me tension të ulët të gjakut, mund të çojë në dërrmim nga nxehtësia.

Disa prej simptomave janë: marramendje, të përziera, të fikët, ngërçe të muskujve, dhimbje koke, djersitje e madhe, lodhje dhe lëkurë e zbehtë.

Nëse tensioni i gjakut bie shumë shpejt, rritet rreziku për sulm zemre.

Pse trupat tanë reagojnë në këtë mënyrë?

Trupat tanë tentojnë ta mbajnë temperaturën në rreth 37 gradë Celsius, qofshim në borë, apo mot të nxehtë.

Kjo është temperatura në të cilën është mësuar të punojë trupi.

Mirëpo kur moti të nxehet, trupi duhet të punojë më shumë për ta ulur temperaturën.

Prandaj i hap enët e gjakut afër lëkurës për ta nxjerrë nxehtësinë dhe nis të djersijë.

Si të qëndrojmë të sigurt në mot të nxehtë?

Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara i kanë disa këshilla:

Vishni rroba të përshtatshme që janë të lehta dhe të gjera.

Qëndroni në vende me kondicionerë, sa të keni mundësi. Nëse shtëpia juaj nuk ka kondicionerë, shkoni në qendër tregtare apo në biblioteka publike.

Mund ta telefononi edhe departamentin lokal shëndetësor për të parë nëse kanë vende të lira për t’i ikur vapës.

Kufizojeni aktivitetin në ambiente të jashtme apo ndërrojeni orarin kur është më freskët.

Pini shumë lëngje dhe mos pini shumë alkool.

Qëndroni në hije, përdorni krem kundër diellit me mbrojtës të lartë dhe vendosni kapele me mbulim të gjerë.

Keni kujdes që t’iu ndihmoni atyre që kanë nevojë, personave të moshuar, atyre që kanë ndonjë sëmundje, apo atyre që jetojnë vetëm.

Mos e lini askënd, sidomos foshnjat, fëmijët e vegjël apo kafshët nëpër makina të mbyllura.

Si të bëni gjumë të mirë?

Përdorni mbulesa të holla, ftohni çorapet tuaja në frigorifer para se t’i mbathni dhe krijojeni një orar të saktë të gjumit, sugjerojnë ekspertët.

Çfarë të bëni nëse e shihni dikë që e ka dërrmuar i nxehti?

Nëse ata mund të freskohen brenda një gjysme ore, atëherë lodhja e madhe nuk është shumë serioze.

Por, CDC këshillon:

-Dërgojini në një vend të freskët

-Freskojuani lëkurën me ujë të ftohtë

-U jepni që të pinë shumë ujë

-Megjithatë, nëse nuk e marrin veten brenda 30 minutave, atëherë ajo që pason njihet si goditje nga i nxehti.

-Një situatë e tillë është urgjente dhe duhet të thërrisni menjëherë emergjencën.

-Njerëzit me një gjendje të tillë mund të mos djersijnë më, edhe pse kanë temperaturë shumë të nxehtë në trup.

Temperatura e trupit mund t’iu shkojë në mbi 40 gradë Celsius dhe mund ta humbin vetëdijen.

Kush është më i rrezikuar?

Moshat e shtyra dhe personat me sëmundje kronike, sikurse sëmundje të zemrës, mund ta kenë më të vështirë funksionimin në këto kushte.

Diabeti mund ta bëjë trupin që të humbë ujin më shpejt dhe disa komplikime të sëmundjes mund t’i ndryshojnë enët e gjakut dhe aftësinë për të djersitur.

Edhe fëmijët janë të cenueshëm.

Personat që vuajnë nga harresa rrezikohen, po ashtu, sepse nuk janë të vetëdijshëm se çfarë është nxehtësia dhe si të veprojnë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)