29 Prill 2024

Buja: Energjetika ka ndikim në ecjen përpara të shtetit

Prishtinë, 30 tetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka marrë pjesë sot në konferencën shkencore njëditore më temë “Energjetika dhe mjedisi për zhvillim të qëndrueshëm“.

Kjo konferencë, ku po marrin pjesë shkencëtarë, hulumtues shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe vise tjera të rajonit, është organizuar nga Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Ministri Buja, i përshëndeti punimet e konferencës në emër të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe uroi që konferenca të ketë sukses dhe të përmbushë synimet që ka. Ndërsa, ai tha se ndjehet i nderuar që gjendet në  tempullin e mendjes, hulumtimit dhe të dijes.

“Është shumë domethënëse që sot po trajtohet një temë që është kaq e rëndësishme,  siç është energjetika dhe që vërtetë ka shumë ndikim në ecjen përpara të shtetit tonë të ri”, tha ministri Buja, i cili theksoi se kur për këtë temë flasin njerëzit, të cilët me dekada janë marrë me çështjen e energjetikës dhe mjedisit, kjo është shumë përmbajtësore.

Ndërkaq, gjatë ditës do të trajtohen një varg temash që kanë të bëjnë me energjetikën, burimet e saj, si: Ndërprerjet e energjisë elektrike të shkaktuara nga ndikimi i mbitensioneve atmosferike SEE të Kosovës; Analiza e konforit termik të njeriut në kushte të Kosovës; Burimet alternative të energjetikës; Potencialet e energjisë alternative në Kosovë, etj.