29 Prill 2024

Zona euro dhe kriza e borxheve

Davos, 29 janar - Zona euro ishte dje sërish në qendër të diskutimeve në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, ku u shfaq më shumë se asnjëherë tjetër në shënjestër të divergjencave lidhur me mënyrën ose mjetet për t'i dhënë fund një herë e mirë krizës së borxheve në Evropë.

A duhet zona euro ta kërkojë përmirësimin e saj në një integrim më të madh evropian, duke organizuar për shembull një union të vërtetë transferimi pasurie të vendeve nga më të pasurit tek më të varfrat?

Apo, ajo duhet të orientohet drejt një ristrukturimi të borxheve, ose ndryshe reduktim i tyre, duke filluar nga ato të Greqisë?

Kjo është në thelb dilema e prezantuar nga një zyrtar i lartë i zonës euro para një paneli ministrash evropianë dhe vendimmarrësish të mbledhur në një mëngjes jozyrtar pune në kuadër të Forumit të Davosit.

Mes këtyre dy opsioneve, Evropa nguron. Gjithsesi, megjithë qetësimin relativ të tregjeve, "koha nuk pret", sipas disa drejtuesve evropianë, që shprehen duke mos u identifikuar, siç edhe ndodh në shumicën e debateve të organizuar në Davos.

Opsioni i parë, i mbrojtur nga vendet e ashtuquajtura periferike që kanë interes, si Greqia, Portugalia dhe Spanja, hidhet fuqishëm poshtë nga Gjermania, kontribuesja kryesore në fondet e Evropës.

Kjo e fundit, shprehet për një respektim të rregullave dhe kushtëzon ndihmën me masa drastike në buxhet.

Nga ana tjetër, një ristrukturim i borxhit përkrahet nga shumë ekonomistë, të cilët vlerësojnë se disa vendet të Zonës Euro, duke nisur nga Greqia, nuk do të kenë zgjidhje tjetër për shkak të huamarrjes masive, viktima të së cilës janë.

Tema mbetet tabu në Evropë dhe çdo fjalë apo informacion i shtypit mbi këtë çështje, përfshi edhe Gjermaninë, përgënjeshtrohet menjëherë.

Kjo do të shkaktonte "traumë të jashtëzakonshme", gjykoi sot një zyrtar i lartë evropian. Ky opsion u hodh sërish poshtë sot nga kryeministri grek Jorgos Papandreu.

"Ne nuk jemi duke u orientuar drejt një ristrukturimi. Ne kemi një rrugë tepër të qartë, një plan për të dalë nga kriza e borxheve", deklaroi Papandreu para personaliteteve të ardhur nga e gjithë bota në Davos.

Greqia, ka bërë ç'ka ishte e nevojshme, dhe tashmë shpreson në solidaritetin e partnerëve, kujtoi kryeministri i saj.

"Nuk bëhet fjalë vetëm për Greqinë, as për solidaritetin, po bëhet fjalë kushtet për stabilitet në Evropë", vlerësoi një zyrtar i lartë evropian.

Megjithatë, solidariteti organizohet rreth Fondit Europian të Stabilizimit Financiar, i krijuar në pranverën e vitit shkuar, dhe pritet të vazhdojë edhe në 2013. Por, edhe këtu mendimet janë të ndryshme.

Disa zyrtarë evropianë rekomandojnë jozyrtarisht dyfishimin e tij, duke përmendur domosdoshmërinë e më tepër "likuiditeteve, masivisht përtej asaj ç'ka është e nevojshme për të qetësuar tregjet.

Ky Fond aktualisht përbëhet nga 440 miliardë euro garanci huaje, ose një kapacitet huaje për afro 250 miliardë. Komisioneri Evropian për çështjet Ekonomike, Olli Rehn, konfirmoi sot në një intervistë për 'Wall Street Journal' se ky kapacitet huaje do të rritet, por jo shuma në total.

Një vendim që pritet të merret në samitin evropian të muajit mars.

Rruga e fundit, që do të bënte të harrohej kriza e borxhit, do të ishte ajo e rritjes. Por, evropianët janë ende mes një progresi modest prej 1,5 për qind të pritshëm për 2011 në Zonën Euro, ndaj 4,4 për qind për tërësinë e planetit, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)