28 Prill 2024

Vlerësohet propozimi për lejim të importimit të veturave të vjetra

Prishtinë, 17 qershor - Vendimi, i cili ua lejon qytetarëve të Kosovës që nga fillimi i muajit të ardhshëm të importojnë vetura të vjetra deri në 13 vjet, apo veturat që janë prodhuar në vitin 1998, nga ekspertë e ekonomisë dhe të ambientit shihet si në aspektin pozitiv ashtu edhe në atë negativ.

Sipas tyre, ajo që është e sigurt, është se do të mblidhen disa miliona euro për buxhetin e Kosovës, por është rrezik që mund të ndotet ambienti.


Eksperti i ekonomisë, Ibrahim Hoxha, propozimin për lejimin e importimit të veturave të vjetra e ka vlerësuar si një mundësi e mirë që të bëhet ndërrimi i veturave shumë të vjetra në Kosovë, por nuk është i kënaqur me propozimin për akcizë dhe detyrimet që duhet t’i paguajnë qytetarët për të blerë një veturë të tillë.

“Është një vendim i mirëseardhur, të gjitha vendet e rajonit e kanë lejuar importimit e veturave, edhe pse pak me vonesë, por më mirë vonë se kurrë, ka defekte sa iu përket pagesave, pasi për gjendjen që është në Kosovë është pak e lartë”, ka thënë ai.

Eksperti për menaxhim mjedisor, Labinot Smakaj, ka thënë se ata që do të përfitojnë më shumë janë qytetarët, por ai si ambientalist është shprehur i brengosur për shkak se disa vetura, ndoshta nuk do të mund t’i plotësojnë kushtet.

“Të gjithë organizmat relevantë duhet ta shikojnë mundësinë që të bashkëpunojnë, pasi një pjesë e veturave mund ta ndotin ajrin. Zgjidhje është që të gjitha veturat e importuara të pajisen me katalizatorë”, ka theksuar ai.

Ministria e Financave (MF) ka marrë pëlqimin nga Komisioni për Buxhet dhe Financa që ta ndryshojë akcizën e tanishme. Ministria ka marrë pëlqimin të vendosë akciza të ndryshme për veturat. Sa më e vjetër vetura, aq më e lartë do të jetë akciza.

Për veturat me kilometrazh 00 nuk do të ketë akcizë fare. Veturat me 2 000 kubikë deri në 8 vjet e vjetër do të kenë akcizë prej 500 eurosh, ato 9 vjet prej 700 eurosh, 10 vjet prej 800 eurosh, 11 vjet prej 900 eurosh, 12 vjet prej 1 000 eurosh, 13 vjet prej 1 100 eurosh. Veturat mbi 2 000 kubikë do të kenë akcizë më të lartë.

P.sh., vetura 13 vjet e vjetër mbi 2 000 kubikë do të ketë akcizë 1 500 euro. Me ndryshimin e kësaj akcize Qeveria mëton të inkasojë rreth 20 milionë euro, që janë shumë domethënëse për buxhetin e këtij viti.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, propozimin për ndryshim të akcizës dhe lejimit të importimit të veturave më të vjetra se tetë vjet e ka arsyetuar duke thënë se qytetarët do të përfitojnë, po ashtu edhe buxheti do të këtë të hyra, do të rritet siguria, si dhe do të përmirësohet ambienti.

Kosova në vitin 2005 e ka futur një masë administrative, e cila ndalon regjistrimin e veturave më të vjetra se tetë vjet dhe, e cila në realitet nuk ka qenë e drejtë sepse çdo person ka të drejtë ta ketë një veturë të llojit çfarë ai ka mundësi. Shtetet demokratike për vetura kanë vendosur masa të kontrollit të kualitetit në kuptimin e sigurisë, sidomos në sistemin e frenimit dhe atë ekologjik. Në këtë aspekt Kosova tash ka Qendrën për Homologimin e Veturave.

Bashkimi Evropian (BE) ka futur në përdorim certifikata të ndryshme të konformitetit që kontrollojnë kualitetin te çështja e limitit të gazrave nga veturat. Janë disa certifikata që quhen “Euro dy” dhe “Euro tre”.

Në pjesën dërrmuese të vendeve evropiane lejohet qarkullimi i veturave me certifikatat “Euro dy”. Certifikata “Euro tre” është më e reja, të cilën Kosova është duke e aplikuar momentalisht, sepse veturat e vitit 2003 e arrijnë një standard të tillë.

Në aspektin krahasimtar në BE lejohet përdorimi i dy certifikatave.
 

Gazeta Epoka e Re

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)