05 Maj 2024

Vihen në pah probleme në punën e agjencive buxhetore

Prishtinë, 12 shtator - Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2010 të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, ishte temë qendrore e mbledhjes së djeshme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i Komisionit.

Këtij shqyrtimi i priu një fjalë  e gjerë e auditorit të përgjithshëm të Kosovës, Lars Lage Olofsson. Auditori i  përgjithshëm Raportin e vlerësoi të mirë.

Duke i bëri një vështrim të gjerë këtij Raporti, ai u ndal në çështjen e menaxhimit financiar, sfidat e investimeve publike, nevojës së një konsistence në sistemet e pasqyrave financiare, detyrimeve të papaguara etj.

Ndër brengat kryesore sipas z. Olofsson është çështja e prokurimit, si për vendësit ashtu edhe për ndërkombëtarët. Një tjetër problem sipas tij është edhe një si betejë që bëhet nga agjencitë buxhetore, që buxhetin ta harxhojnë në periudhën e fundit të vitit.

Në fjalën e z. Olofsson u përmendën për të mirë komunat, në raportimet e të cilave vërehet ngritje e cilësisë, por kur është fjala për shërbimet me qytetarë ato lënë shumë për të dëshiruar. Ndër problemet tjera ai përmendi pastaj edhe çështjen e privatizimit , pastaj atë të likuidimit, i cili duhet të ketë një ritëm më të shpejtuar.

Gjatë debatit u tha se vërehen ecuri pozitive në Raport, i cili është një përmbledhje e raporteve të agjencive buxhetore, që janë shqyrtuar në këtë Komision. Mangësitë e raportimit nga ana e agjencive buxhetore, duhet të vështrohen veçanërisht në aspektin parandalues.

Anëtarët e Komisionit folën për trajtimin joadekuat të aseteve, tagrin që paguhet si pasojë e mungesës së auditorëve të brendshëm në agjencitë buxhetore,çështjen e mënyrës së shpenzimit të parasë publike etj.

Në këtë mbledhje me theks të veçantë u fol për nevojën e transparencës në privatizim, si dhe të llogaridhënies për shpenzime. Në këtë frymë u përmend rasti i agjencive buxhetore, të cilat shfrytëzojnë subvencione, por  nuk paraqesin raporte, se ku janë harxhuar ato, përkatësisht si janë përdorur.

Ekzistojnë dispozita ligjore për çështje të shpenzimeve buxhetore, por ato nuk po përfillen sa e si duhet, ndaj shtrohet domosdoshmëria për marrje në përgjegjësi të atyre që shkelin ligjin, theksohej nga ana e anëtarëve të Komisionit. Në bazë të ligjit ky Raport procedohet më tej për shqyrtim në Kuvend.

Në vijim të mbledhjes kryetarja e grupit punues, Valbona Dibra, paraqiti raportin e grupit punues të këtij Komisioni lidhur me mbikëqyrjen  e zbatimit të Ligjit nr.03/l075 për themelimin e Zyrës së Auditorit  të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit të  Kosovës.

Në emër të grupit ajo paraqiti edhe Rekomandimin me të cilin kërkohet që Qeveria e Republikës së Kosovës të përfshijë në agjendën e vet legjislative plotësim ndryshimin e Ligjit nr.03/l075 për themelimin e Zyrës së Auditorit  të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit të Kosovës, i cili u përkrah nga Komisioni.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)