30 Prill 2024

Vetëvendosje! kundër shitjes së Trepçës

Prishtinë, 2 mars - Lëvizja Vetëvendosje! ka thënë se vendimi i datës 28 shkurt 2011, i Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për vendosjen e një administratori ndërkombëtar për ndërmarrjen Trepça, është i padrejtë dhe i  papranueshëm.

Ky vendim sipas Vetëvendosjes u morr në bazë të rregullores së UNMIK-ut 2005/48, të cilat nuk do të duhej të ishin në fuqi në Kosovë.

Pas luftës, Trepça është administruar nga UNMIK-u dhe AKM-ja. Problemet kryesore të mosfunksionimit të saj ishin çështja e statusit të ndërmarrjes dhe po ashtu borxhi i supozuar ndaj kreditorëve të huaj në emër të kësaj ndërmarrje (rreth 200 milion euro) që nga vitet 1990.

Këto konteste kanë bërë që në vitin 2005 kjo ndërmarrje të futet në moratorium.

Gjendja e tillë statusore dhe mosinteresimi i qeverive të pasluftës ka kontribuar në degradimin dhe shkatërrimin e mëtejmë të ndërmarrjes, sepse duke qenë me status të “ngrirë” ajo thjeshtë është lënë pas dore.

Qeveritë e njëpasnjëshme në Kosovën e pasluftës në vend se të angazhoheshin për rimëkëmbjen e Trepçës, gjë që ka qenë e mundur për shkak të potencialit të madh zhvillimor të kombinatit; kapacitetet teknike-teknologjike dhe rezervat e mëdha të verifikuara të xehes së plumbit, zinkut, argjendit, arit, kadmiumit etj. ato përkundrazi e kanë nxitur shitjen e Trepçës si dhe të  gjitha ndërmarrjeve tjera publike e shoqërore.
 
“Vendimi për emërimin e administratorit të ri për Trepçën, është marrë vetëm me qëllimin e falimentimit të ndërmarrjes dhe pastaj privatizimin e saj, si dhe shlyerjen e borxheve të supozuara ndaj kreditorëve të huaj”, thuhet ne reagimin e Vetëvendosjes.

Sindikalistët e Trepçës kanë reaguar ashpër në kundërshtim të këtij vendimi arbitrar.

Punëtorët ndër të tjera i kanë parashtruar kërkesat në vijim: përcaktimi i statusit të Trepçës, shfuqizimi i rregullores se UNMIK 2005/48, heqja e moratoriumit të Trepçës, Miratimi i Strategjisë së Ristrukturimit të Trepçës dhe miratimi i ligjit për pensionim të parakohshëm

Lëvizja Vetëvendosje! i përkrahë kërkesat e punëtorëve si dhe kundërshton çdo vendim për shitjen e pasurive kombëtare të vendit tonë. Jemi kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike dhe të pasurive strategjike të Kosovës të cilat kanë potencial përfitimi të madh dhe që janë baza e zhvillimit ekonomik të vendit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)