29 Prill 2024

Vazhdon mos transparenca partive karshi financave të tyre

Gjilan, 31 maj - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK) ka organizuar të enjten tryezën me temë: “Transparenca në financimin e subjekteve politike”.

Pjesëmarrësit në këtë tryezë kanë diskutuar për mungesën e transparencës gjatë deklarimit dhe publikimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të subjekteve politike, si dhe shkeljet dhe neglizhencën në zbatimin e ligjit mbi financimin e partive politike në praktikë.

Kujtim Bytyqi, kryesues i hulumtimit në Programin “Transparenca dhe Antikorrupsioni” është shprehur se që nga paslufta e deri më tani, subjektet politike në Kosovë asnjëherë nuk kanë treguar vullnet për të bërë publike raportet e tyre financiare, përfshire të ardhurat, kontributet, burimet e financimit, pasuritë, detyrimet, kapitalin dhe shpenzimet në mënyrë të drejte.

Ai ka potencuar se as me hyrjen në fuqi të Ligjit për Financimin e Partive Politike në vitin 2010, nuk ka ndonjë lëvizje përpara, as ndryshime pozitive në këtë drejtim.

Kjo sipas tij shihet qartë në raportin e auditimit të deklaratave financiare të subjekteve politike për zgjedhjet nacionale të vitit 2010,ku shumica e subjekteve politike shkelin pothuajse çdo nen të ligjit aktual për financimin e partive politike.

Ai, po ashtu ka përmendur edhe mos prezantimin e të hyrave dhe shpenzimeve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike që ndahet nga Buxheti i Republikës së Kosovës,  e që aktualisht  kap shumën prej 0.34% e buxhetit të shtetit.

Avdyl Hasani nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se “ligji nuk e parashikon saktë mënyrën e raportimit të financave të partive politike dhe gjithashtu duhet që Auditori Gjeneral të gjitha fondet për subjekte politike edhe ato që vijnë nga buxheti i shtetit por edhe çdo parti politike në veçanti”.

Zijadin Maliqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se “fatëkeqësisht subjektet politike janë të varura nga subjekti juridik i cili jep donacion për subjektin në fjalë”.

Avni Rudaku nga Lëvizja Vetëvendosje ka potencuar se Lëvizja Vetevendosje nuk është parti e biznesit dhe nuk premtojnë favore, por konkurrencë të barabartë. “Ka donator që frikësohen të japin donacione nga frika e hakmarrjes së pushtetit prandaj ne i kemi kthyer paratë atyre të cilën nuk kanë dashur të faturohen”.

Fadil Gashi nga partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,  ka potencuar se “nuk mund të themi se ka transparencë sepse ekzistojnë shumë faktorë që e kushtëzojnë këtë”. Ai gjithashtu ka përmendur se “nuk ka bashkëpunim në mes degëve të partisë dhe qendrës prandaj janë të pakta mjetet që ju jepen degëve të partive politike dhe si rrjedhojë në financohemi vetëm nga anëtarësia”.

Pjesëmarrësit gjatë  kësaj tryeze kanë ngritur edhe disa çështje tjera të cilat do të kishin mundësuar rritjen e transparencës në financimin e subjekteve politike, e që janë: Auditimi i subjekteve politike te behet nga zyra e Auditorit Gjeneral, te ulet kuota nga 0.34% te buxhetit te shtetit qe ju jepen partive politike,mendime pro dhe kundër nëse, duhet të vazhdohet me dhënien e donacioneve nga kompanitë private apo financimi i subjekteve politike të bëhet vetëm nga shteti, monitorimi i shpenzimeve te fushatave parazgjedhore dhe resurseve te shtetit qe përdoren gjate fushatave.

Po ashtu, gjatë kësaj tryeze, pjesëmarrësit kanë theksuar edhe nevojën e ndryshimit të ligjeve që prekin çështjen e financimit të subjekteve politike, si dhe shtimin dhe  përforcimin e masave të cilat do të kishin parandaluar keqpërdorimin e fondeve të subjekteve politike.