19 Prill 2024

U përkrah korniza afatmesme e shpenzimeve

Prishtinë, 4 tetor - Korniza afatmesme e shpenzimeve të Republikës së Kosovës për periudhën 2011-2013, ka marrë përkrahjen e Komisionit për Buxhet dhe Financave të Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme, e cila u kryesua nga kryetari Gani Koci.

Duke bërë prezantimin e kësaj strategjie, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, tha se ky është një dokument i harmonizuar mbi bazën e programit të arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe si rezultat, Kosova ka filluar t’i përfitojë donacionet të cilat vijnë si përkrahje direket buxhetore.

Korniza afatmesme e shpenzimeve e Republikës së Kosovës për periudhën 2011-2013, sipas Hamzës, është përpiluar si vazhdimësi e kornizave të viteve paraprake dhe përcakton analizat e mjedisit makroekonomik të Kosovës.

Zëvendësministri Hamza tha se rritja mesatare ekonomike në Kosovë gjatë viteve 2006-2009 ishte rreth 4.8 për qind, ndërsa me qëllim të arritjes së shkallës së detyruar të rritjes ekonomike, qeveria duhet të vazhdojë me fokusin e saj aktual të orientimit të buxhetit drejt investimeve kapitale.

“Rëndësi të posaçme ka bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat, drejt udhëheqjes së reformave strukturore, të cilat do të shpien drejt përshtatjeve në tregun e punës dhe në të njëjtën kohë do të krijojnë vende të mjaftueshme të punës, për të absorbuar të rinjtë që hyjnë në tregun e punës dhe punëkërkuesit aktualë. Kjo do të çojë drejt uljes së papunësisë”, theksoi zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave.

Anëtarët e komisionit, ngritën një varg çështjesh që ngërthen strategjia dhe shtruan pyetje në adresë të përfaqësuesit qeveritar. Ata u fokusuan në prioritetet qeveritare, ndarjen buxhetore, veçanërisht rreth asaj nëpër komuna, ekonominë informale, të hyrat nga privatizimi etj.

Duke iu përgjigjur çështjeve të ngritura nga deputetët, Hamza theksoi se strategjia është e hartuar mbi bazën e prioriteteve qeveritare. Ai tha se informaliteti është duke u luftuar, dhe për rrjedhojë, është në zvogëlim e sipër, ndërsa të hyrat pritet të rriten. Sa i përket ndarjes buxhetore për komuna, ai theksoi se kjo është bërë mbi bazën e kritereve të përcaktuara me ligj, ndërsa regjistrimi i popullsisë do të ketë efekt pozitiv në këtë drejtim, pasi që do të japë numër të saktë të popullsisë nëpër çdo komunë.

Kryetari i komisionit, Gani Koci, theksoi se përmbajtja e kësaj kornize nuk është statike, dhe si e tillë, mund të ndryshohet dhe plotësohet në vitet pasuese.

Korniza mori përkrahjen e anëtarëve të komisionit dhe u procedua për shqyrtim dhe plotësim në Kuvend, ndërsa do të procedohet për miratim së bashku me Ligjin për Buxhetin e vitit 2011. 

Komisioni shqyrtoi edhe kërkesën e Kuvendit të Kosovës për ridestinimin e projekteve kapitale dhe i rekomandoi Kryesisë që të kërkojë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave lejimin e ridestinimit të mjeteve konform kërkesës.

Në këtë mbledhje u krijua grupi punues për amendamentimin e Projektligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, si dhe u konstatua se Projektligji për aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës, Projektligji për Rregullatorin e energjisë, Projektligji për energjinë elektrike dhe ai për mbrojtjen e konkurrencës, nuk kanë implikime buxhetore. Si të tilla, u proceduan për miratim në Kuvend.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)