14 Maj 2024

U inaugurua Qendra për Azilkërkues

Prishtinë, 6 shkurt - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe shefi i operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Christof Stock, kanë inauguruar Qendrën për Azilkërkuesit që gjendet në Magure të Lipjanit.

Me këtë rast, ministri Rexhepi falënderoi Komisionin Evropian për ndihmesën e dhënë në funksionalizimin  e plotë të MPB-së përmes financimit të projekteve të tilla.

Ministri Rexhepi kërkoi që të bëhet parandalimi i migrimi ilegal, me c’rast do të zvogëlohej  numri i azilkërkuesve në Republikën e Kosovës.

“Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, policia kufitare dhe të gjithë akterët tjerë duhet të parandalojnë migrimin ilegal në mënyrë që të ketë sa më pak azilkërkues dhe që sa më pak të shfrytëzohet territori i Kosovës si vend transit për vendet e Bashkimit Evropian.\"

\"Ne jemi të vetëdijshëm se shumica e atyre që hyjnë në territorin e Kosovës e shfrytëzojnë më shumë si vend transit, por ka edhe të atillë që kërkojnë azil në Kosovë”, tha ministri Rexhepi.

Ndërsa shefi i operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Christof Stock, bëri të ditur se kjo Qendër është ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe plotëson gjithashtu edhe standardet evropiane për të drejtat e njeriut.

“Ky kompleks do të mundësojë akomodimin e 50 personave dhe është  ndërtuar në përputhje me standardet ndërkombëtare të ndërtimit dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.\"

\"Ne jemi duke pritur me padurim që ky kompleks të hyjë në përdorim dhe të menaxhohet dhe mirëmbahet në mënyrë të duhur nga ekipi i caktuar”, tha shefi i operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Christof Stock.

Qendra për Azilkërkues është donacion i plotë nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, me vlerë prej 1.4 milionë euro. Posedon lokacionin prej një hektarësh, të ndarë nga Komuna e Lipjanit dhe ka kapacitetet për akomodimin e 50 personave.

Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë mbështetje teknike në realizimin e këtij projekti.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)