02 Maj 2024

Tri vjet shtet me ekonomi tranzicioni

Prishtinë, 17 shkurt - Me gjithë problemet me të cilat është përballur ekonomia, gjatë tri vjetëve të funksionimit të Kosovës shtet i pavarur dhe sovran ajo ka pasur zhvillime pozitive në disa sektorë, duke bërë që të përmirësohet jeta e qytetarit të vendit.

Pas pavarësimit të Kosovës sektori që ka pësuar ndryshime për të mirë konsiderohet zhvillimi dhe ndërtimi i infrastrukturës rrugore në vend, ku për tri vjet rresht Qeveria e Kosovës ka investuar miliona euro.

Një arritje e Kosovës është anëtarësimi i saj në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe në Bankën Botërore (BB). Anëtarësimi në këto dy organizata të mëdha financiare ndërkombëtare e rriti besimin se Kosova po bëhet vend i besueshëm për investime të huaja.

Tregtia e jashtme, ndërkaq, gjatë tri vjetëve të pavarësisë ka pësuar ndryshime pozitive si në eksport dhe rritje të importit.

Kështu që, eksportet në vitet e shtetësisë së Kosovës janë realizuar në përputhje me politikat e Qeverisë së Kosovës dhe akterëve të tjerë që janë të përfshirë në këtë proces.

Padyshim se gjatë tri vjetëve duhet përmendur marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (CEFTA), e cila po vazhdon të mos respektohet nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina, të cilat nuk pranojnë produktet nga Kosova në vendet e tyre.

Por, më e keqja është se nuk ka vullnet që CEFTA të fillojë të respektohet edhe gjatë vitit 2011. Rritja e shkallës së importit ka reflektuar edhe në çmimet e konsumit në Kosovë.

Duke bërë që të kemi rritje marramendëse të çmimeve të produkteve elementare për jetë, për tri vjet Qeveria e Kosovës ka bërë përgatitjet për të thithur investime të mëdha në kompanitë publike që dikur ishin burim i të ardhurave si për qytetarët, por edhe për buxhetin e shtetit.

Ndërmarrjet publike, sipas raportimeve të tyre, secila ka shënuar rritje të të hyrave, konsumatorëve dhe vlerës së aksioneve të korporatave.

Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë mundësi për investime në koncensionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), i cili që nga pavarësia ka përmbyllur vitet me miliona euro ekstra fitim, të cilat ia ka dorëzuar si devidentë Qeverisë së Republikës së Kosovës.

ANP-ja, po ashtu, ka shënuar edhe rritje të konsumatorëve. Arritje tjetër për ANP-në është edhe koncesionimi i tij, i cili do t’i sjellë Kosovës rreth 400 milionë euro të hyra, duke përfshirë investimet në ndërtimin e terminalit të ri.

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), e cila njihet si baza e zhvillimit të ekonomisë telekomunikuese të vendit, ka sjellë shumë ndryshime. Në periudhën e funksionimit si shtet, në treg ka ardhur edhe kompania telekomunikuese IPKO, e cila ka sjellë shumë produkte të reja.

Edhe pas tri vjetëve të pavarësisë së Kosovës vendi ende po përkrahet nga mërgimtarët tanë që radhiten se janë ndër të parët në botë së bashku me meksikanët që dërgojnë para për t’i ndihmuar familjet e tyre.

Remitencat kanë shënuar rënie dhe ngritje nga 8 deri në 15 për qind, sipas statistikave që ka raportuar Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Pavarësisht efekteve të krizës globale që pati prekur botën, sistemi bankar në Kosovë ka qenë stabil dhe i qëndrueshëm, disa banka kanë vazhduar me fitime, por ka pasur disa të tjera që kanë shënuar edhe humbje.

Por, ato që kanë mbetur të njëjta janë kamatat, të cilat janë shumë të larta krahasuar me vendet e rajonit dhe standardin e jetesës.

Që nga paslufta qytetarët e vendit janë përballur me vështirësi elektrike. Besimi se pas pavarësisë së Kosovës do të sjellë dritë nuk u realizua 100 për qind.

Një problem që ende nuk po zgjidhet ka të bëjë me mjetet e akumuluara të privatizimit që janë mbi rreth 500 milionë euro dhe që janë të investuar në institucione të jashtme financiare.

Sido që të jetë, pavarësisht shumë problemeve me të cilat po përballet Kosova për të funksionuar si shtet me ekonominë e saj të dërmuar për shumë vjet, ajo po e ruan primatin së bashku me Shqipërinë si vende që kanë rritje ekonomike prej disa për qind.
 

Gazeta Epoka e Re

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)