14 Maj 2024

Themelohet Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit

Prishtinë, 15 shkurt - Në organizim të Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga u mbajt sot mbledhja inaugurues e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Në mbledhje mori pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ministra dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të vendit, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare e përfaqësues diplomatikë të akredituar në vendin tonë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, deklaroi të mërkurën në takimin përurues të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit se, institucionet e Kosovës duhet të kenë zero tolerancë ndaj korrupsionit.
 
"Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit si Presidente e vendit e kam themeluar me dekret të veçantë duke përcaktuar edhe anëtarët, edhe qëllimet edhe mënyrën e punës\", ka theksuaer ajo.

Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit nuk është trup ekzekutiv dhe nuk ka rol të tillë, por ju anëtarët që jeni këtu, Ju drejtuesit e këtyre institucioneve, që të gjithë keni rol ekzekutiv, rol mbështetës dhe, në një farë forme, kur është fjala për shoqërinë civile, rol vëzhgues e monitorues, e komisionet parlamentare edhe rol mbikëqyrës.

"Kryeparlamentari dhe kryeministri janë këtu vetëm sot, në pjesën e parë të këtij takimi, të tregojmë unitetin institucional, të shprehim përkushtimin se të gjithë së bashku, dhe në kuadër të fushëveprimeve tona kushtetuese dhe ligjore, jemi të vendosur të çrrënjosim korrupsionin, këtë të keqe, që po kërcënon të përfshijë të gjitha segmentet e shoqërisë dhe të na rrezikojë në rrugën e integrimeve tona evropiane."

Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit sipas Jahjages është një nismë dhe një mekanizëm i autoritetshëm, i nevojshëm krahas të gjithë mekanizmave të deritashëm ekzistues.

Ky Këshill ka për synim informimin e shpejtë dhe të rregullt ndërinstitucional, harmonizimin dhe koordinimin e punëve, mandej nxjerrjen e raporteve të rregullta periodike nëpërmjet të cilave maten rezultatet tona në luftën kundër korrupsionit.

"Të jeni të ndërgjegjshëm se unë si Presidente e vendit do të ndërmarr çdo veprim kushtetues dhe ligjor që shton efikasitet dhe efektivitetin e punës së institucioneve, të shoqërisë civile, të mediave dhe të çdo qytetari, për t’u angazhuar dhe për të dhënë kontributin konkret në luftën tonë të përbashkët kundër korrupsionit. E kam vullnetin dhe përkushtimin që punët t’i çoj deri në fund - nuk do të ndalem përpara asnjë sakrifice dhe nuk do të kursehem nga asgjë", ka deklaruar presidentja Jahjaga.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, tha se :”Jemi të vetëdijshëm se shoqëria jonë  është shoqëri e re, institucionet që kemi ndërtuar janë të reja, ndaj ato kanë nevojë për mbështetje institucionale,  nga shoqëria civile dhe shoqëria kosovare në përgjithësi.

“Si institucion më i lartë ligjvënës kemi kontribuuar  me infrastrukturë ligjore në ndërtimin e institucioneve të pavarura  dhe kushtetuese, që kanë për obligim t’ i luftojnë  dukuritë negative  të shoqërisë  dhe t’ i bëjnë institucionet  sa më funksionale.”

Ky sipas Krasniqit ka qenë obligim i përfaqësuesve  të zgjedhur të   qytetarëve të Kosovës dhe ky është obligim  i Parlamentit të Kosovës, si institucion më i lartë i shtetit. Janë institucionet tjera  që kanë për obligim të zbatojnë ligjet që i miratojmë në Kuvend.

“Por, për hir të së vërtetës  duhet të themi se shoqëria kosovare  dhe institucionet  e Kosovës  gjatë këtyre viteve  nuk kanë arritur  të luftojnë  në shkallën e duhur  asnjë formë  të krimit organizuar, se nuk është vetëm korrupsioni në shoqërinë e Kosovës,  që është duke e penguar zhvillimin demokratik dhe ekonomik të këtij vendi, por  edhe mosluftimi i  krimeve të ndryshme të organizuara,  edhe të sferës politike, edhe të sferës ekonomike, që realisht janë duke e penguar Kosovën , shtetin tonë të ri, për të ecur përpara në rrugën e demokratizimit , të zhvillimit dhe të integrimeve”, theksoi kryekuvendari Krasniqi.

Ndersa Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, vlerësoi se prania e shumë institucioneve në këtë takim, si dhe përkushtimi i Presidentes, jep mesazh të qartë për përkushtimin e të gjithëve kundër korrupsionit dhe tregon seriozitetin e të gjitha institucioneve që të luftohet kjo dukuri që po e rëndon të ardhmen e Kosovës.

“Kosova ka të drejtë që të mburret më institucionet kundër korrupsionit që ka krijuar, veçanërisht, infrastruktura ligjore që mundëson këtë, andaj lufta kundër korrupsionit është e shumtë, e sofistikuar dhe e fuqishme. Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me ministritë tjera, është përkujdesur që gjatë kësaj kohe të krijojë kushtet më të mira për të ashpërsuar luftën kundër korrupsionit dhe këtë e ka nisur me ligjet që i kemi krijuar. Ndërkohë presim që ligjet me shumë peshë në këtë fushë, si Kodi Penal e Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, të hyjnë në fuqi. Ne po punojmë në forcimin e mëtejshëm të kësaj infrastrukture me Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së fituar me vepër penale, Kodin e Procedurës Penale dhe e Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale”, tha Kuçi.

Me tej Ministri Kuçi ka thënë se ekziston edhe Task Forcë kundër korrupsionit, që përfshinë një numër të prokurorëve e hetuesve të specializuar për t’i atakuar rastet e korrupsionit, Prokuroria Speciale shumë profesionale, Agjencia Kundër Korrupsionit, si dhe Bordi i Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit, ku të gjitha këto si fokus të veçantë e kanë pikërisht luftimin e korrupsionit.

“Sot, dua të rikujtoj gjithashtu një nismë që Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, Këshillin Gjyqësor dhe EULEX-in, së shpejti do të krijohet një Dhomë të Veçantë në kuadër të Gjykatave të Rregullta, e cila do të shqyrtojë dhe vendosë ekskluzivisht mbi rastet për krim të organizuar dhe korrupsion."

"Kjo ide ka ardhur pikërisht pas brengës sonë të përbashkët që raste të tilla me shumë rëndësi, duhen të kenë gjyqtarë po aq të specializuar në këtë fushë, edhe prokurorë, e për më tepër të trajtohen me prioritet nga Gjykatat. Besoj shumë në gjyqtarë dhe prokurorë profesionist, të paanshëm, të pavarur, të guximshëm dhe i përgëzojë për punën e deritanishme, andaj pres të bëhet vlerësim pozitiv nga qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare për ta”, theksoi Kuçi.

Ministri Kuçi tha se Kosova ka një mekanizëm të mirëfilltë e të plotësuar për të luftuar korrupsionin, duke shtuar se kushtet janë krijuar dhe tani duhet marrë vetëm veprimet. 

Sipas tij, gjatë kohës prej paraqitjes si ide e deri sot në inaugurimin e këtij Këshilli, ai të vetmen kërkesë ka pasur që të respektohet Kushtetuta e vendit dhe të mundësohet veprimi i këtij Këshilli brenda kufijve të Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese, ku si fokus të veçantë ka pasur respektimin e kompetencave dhe autorizimeve ligjore te të gjitha institucioneve të tjera.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)