07 Maj 2024

Thellohen marrëdhëniet ekonomike Kosovë - Maqedoni

Prishtinë, 14 tetor - Marrëdhëniet Ekonomike mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë kanë shënuar zhvillime pozitive dhe kjo pasqyrohet edhe me rritjen e eksporteve të Kosovës në këtë vend fqinj për 100 për qind, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, pas takimit me homologun nga Maqedonia, Valon Saraqini.

Gjatë takimit mes dy ministrave që u mbajt para nisjes së punimeve të Forumit Biznesor Kosovës-Maqedoni, është diskutuar mundësia e avancimit të bashkëpunimit ekonomik në të gjitha fushat në interes të dy vendeve.

Ministri Beqaj tha se Kosova dhe Maqedonia kanë marrëveshje për bashkëpunim ekonomik dhe  konform kësaj marrëveshje, sot i fillon punimet Komiteti i përbashkët ndërqeveritar për përcaktimin e mundësive dhe potencialeve të bashkëpunimit ekonomik në mes dy shteteve.

Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për Raportin e Progresit të KE-së, energjinë dhe minierat, tregtinë, transportin, bashkëpunimit ndërkufitar dhe obligimet që dalin nga CEFTA për marrëdhënie tregtare dhe projektet ndërkufitare që avancojnë bashkëpunimin.

“Arritëm një konkludim të përbashkët se situata ekonomike në Botë dhe Evropë në një formë do të inkurajojë bashkëpunimin ekonomik në nivel rajonal dhe të koncentrohemi në rritje të këmbimeve tregtare të këmbimeve cilësore dhe qasje të përbashkët në tregjet tjera”, tha Beqaj.

Nga ana e tij, Ministri i Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë, Valon Saraqini tha se qëllimi kryesor i këtij takimi dhe vizitës në Kosovë është takimi i Komitetit të përbashkët në mes dy shteteve që rrjedh nga marrëveshja për bashkëpunim ekonomik në mes të Maqedonisë dhe Kosovës.

Ai tha se janë trajtuar çështje të ndryshme të cilat mund të prodhojnë bashkëpunim të frytshëm për të dyja vendet dhe angazhimi kryesor është fokusuar në përshpejtimin e proceseve në lidhje me projektet infrastrukturore, siç është ndërtimi i rrugës Prishtinë- Shkup, kërkesë kryesore e afaristëve.

“Kemi diskutuar për modernizmi e rrugës Jazhincë –Tetovë, hapjen e një terminali të ri  për mallra në Jazhincë dhe modernizimin e këtij vend kalimi. Gjithashtu janë diskutuar investimet në sferën e energjetikës, minierave etj”, tha Saraqini, duke premtuar angazhimin e tij në thjeshtëzimin e procedurave përkatëse.

Më pas ministri Besim Beqaj së bashku me zv.kryeministen dhe ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari dhe ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë kanë marrë pjesë në hapjen e punimeve të Forumit Biznesor Kosovës-Maqedoni, ku po marrin pjesë afaristë të shumtë nga të dyja vendet.

Beqaj dhe Kusari në hapje të forumit e kanë vlerësuar Maqedoninë një partner të rëndësishëm ekonomik për Kosovën dhe janë shprehur për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, derisa theksuan se Forumi biznesor është një mundësi e mirë për tu njohur për së afërmi me zhvillimet ekonomike dhe identifikimin e fushave të bashkëpunimit.

Ministri Beqaj ka prezantuar shkurtimisht projektet që janë në zhvillim e sipër duke potencuar se qëllimi i Qeverisë së Kosovës është reforma strukturore në ekonomi si një hap i domosdoshëm jo vetëm për garantimin e rritjes së qëndrueshme, por edhe për integrimin ekonomik të vendit tonë në familjen Evropiane.

Ndryshe në kuadër të Forumit Biznesor Kosovë-Maqedoni u nënshkrua Memorandumi për Bashkëpunim në fushën e Standardizimit dhe Memorandumi për Bashkëpunim në mes të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Asociacionit të Odave Ekonomike të Maqedonisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)