01 Maj 2024

Thaçi: Rrogat e marsit pa rritje

Prishtinë, 23 shkurt - Nën drejtimin e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kabineti i ri qeveritar, i cili dje ka marrë votëbesimin në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot mbledhjen e vet të parë.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Thaçi, ka përgëzuar kabinetin e ri qeveritar për përgjegjësitë që kanë marrë dje në seancën e Kuvendit të Kosovës, dhe ka theksuar se kjo duhet të kuptohet si një përgjegjësi për angazhim në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive për vendin tonë.

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se ky është përfundim i krizës institucionale dhe gjithashtu edhe fundi i një procesi të stërzgjatur zgjedhorë në Kosovë. Kabineti i ri, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi do të angazhohet maksimalisht në respektimin e Kushtetutës dhe ligjit, për zhvillimin ekonomik, për njohjet e reja, për fqinjësi të mirë, për një shkollim dhe edukim më cilësorë dhe për integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Që nga sot kur po konstituojmë Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, qytetarët e Kosovës me të drejtë do të presin punë, përgjegjshmëri, efikasitet dhe llogaridhënie nga të gjithë ne. Zgjedhja e kabinetit të ri qeveritar duhet të kuptohet nga të gjithë si përgjegjësi e lartë, si nder dhe shërbim duke vënë gjithmonë interesin publik shtetëror dhe qytetar para çdo interesi tjetër partiak, grupor dhe individual. Sfidat para nesh janë të shumta dhe janë të mëdha, janë të rëndësishme” – ka thënë kryeministri Thaçi.

“Kjo është kohë e mundësive të mëdha, dhe e ndryshimeve të mëdha për të mirën e shtetit tonë dhe gjithë qytetarëve. Ne do të punojmë të gjithë maksimalisht si ekip që të kryejmë me përgjegjësitë që na takojnë, duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet tona, do të punojmë për zhvillimin ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës, për forcimin e sundimit të ligjit, për njohjet e reja që do t’i vijnë shtetit të Kosovës në prag të njohjeve, për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, për shkollim dhe shëndetësi të standardit perëndimor, por edhe para së gjithash për të integruar shtetin tonë në NATO dhe Bashkim Evropian” – është shprehur kryeministri Thaçi.

Programi ekonomik i Qeverisë së Republikës së Kosovës, 2011-2014, është koncipuar në frymën e përmirësimit të standardit dhe rritjes së mirëqenies për qytetarët e Kosovës. Ai do të bazohet në tri shtylla:

1.    Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit;
2.    Zhvillimi ekonomik; dhe
3.    Mirëqenia sociale për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj për një fqinjësi të mirë me të gjithë në rajon, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi. Dialogu me Serbinë, i cili do të fillojë së shpejti, do të përmbyllet me njohjen reciproke të të dyja shteteve dhe do të jetë në të mirë të rajonit dhe të qytetarëve të të dyja vendeve.

Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur falënderimin e tij për miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e proceseve zhvillimore në Kosovë dhe ka premtuar vazhdimin e bashkëpunimit. Kabineti qeveritar do të punoj shumë që sa më parë të marrë Strategjinë për liberalizimin e vizave dhe do të angazhohet që sa më parë qytetarët kosovarë të lëvizin lirshëm në Evropë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për vazhdimin e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars, në mungesë të miratimit të Ligjit të buxhetit 2011. Vendimi do të dërgohet për miratim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin për menaxhimin e financave publike.

Më tej, i pari i ekzekutivit ka thënë se “institucionet janë më te besueshme në historinë politike të Kosovës”. Po ashtu kabineti ka vendosur që rrogat për muajin mars shërbyesit civilë ti marrin të njëjta pasi buxheti ende nuk është miratuar.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)