19 Prill 2024

Thaçi: Rritja e pagave, çështje e kryer

Prishtinë, 23 nëntor - Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, ka siguruar mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme se nga janari i vitit 2011, pagat e tyre do t'i marrin me rritje prej 50 për qind.

Ai këto komente i bëri sot gjatë një konference me media ku tha se brenda këtij viti është themeluar komisioni i përbashkët i Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Kosovë, i cili ka punuar në mënyrë serioze për rritjen e pagave për mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme.

Sipas Thaçit kjo është çështje e kryer dhe vjen si rezultat i rritjeve të mëhershme dhe si planifikim i mëhershëm i agjendës së Qeverisë së Kosovës.

"Eshtë përkushtim i imi si kryeministër i Kosovës se që nga janari i vitit 2011, pagat do të rriten për mësimdhënësit e nivelit fillor dhe të mesëm, prandaj kjo çështje është e kryer për 50 për qind", ka thënë ai.

Ai ka ritheksuar se ngritja e pagave ka qenë në agjendën e planifikuar të qeverisë, pasi rritja e pagave është bërë në kontinuitet, ku në vitin 2008 pagat janë rritur 47 për qind, ndërsa vitin e kaluar pagat për mësimdhënësit universitar janë rritur 100 për qind.

"Eshtë qëndrim dhe vendim legal, legjitim dhe i drejtë, po ashtu është nevojë dhe kërkesë, ndoshta është e vonuar, por unë kam rrit pagat e mësimdhënësve edhe në vitin 2008 kur nuk ka pasur fushatë, edhe në vitin 2009 për të gjithë punëtorët dhe mësimdhënësit universitar dhe natyrisht edhe në këtë vit ka qenë në agjendën e planifikuar të Qeverisë së Republikës së Kosovës", ka thënë Thaçi .

I pyetur se si do të realizohet rritja e pagave, kur dihet se ende nuk është miratuar buxheti për vitin e ardhshëm, kryeministri në dorëheqje, duke mos dhënë detaje tjera, përsëriti se rritja e pagave do të ndodhë.

"Unë siguroj dhe garantoj të gjithë mësimdhënësit fillor dhe të mesëm se që nga janari i vitit 2011 do t'i marrin pagat e rritura për 50 për qind", është shprehur Thaçi.

Ndryshe, Thaçi shtoi se Qeveria e Kosovës është e vendosur që të rritë pjesëmarrjen e fëmijëve në arsim fillor dhe të mesëm, dhe t'iu ofrojë atyre arsim sa më cilësor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)