06 Maj 2024

Thaçi: Ritja reale ekonomike prej 7 deri 8 për qind

Prishtinë, 25 maj - Nën patronatin e ministres së MTI-së, Mimoza Kusari-Lila, sot u mbajt konferenca “Bashkëpunimi në mes të qeverisjes qendrore dhe lokale si bazë e zhvillimit ekonomik”, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të komunave të Kosovës, përfaqësues të përfaqësive diplomatike në Kosovë, si dhe përfaqësues të afarizmit kosovar.

Në hapjen e kësja konference ministrja, Kusari-Lila tha suksesi i qeverisjes qendrore nuk mund të jetë i plotë pa e pasur bashkëpunimin dhe zbatimin e reformave dhe politikave në nivelin lokal.

"Është esenciale që të kemi një linjë të qartë të komunikimit dhe të bashkëpunimit pa marrë parasysh  pikëpamjet politike. Është shumë e rëndësishme që të gjithë të jemi në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës në nivelin qendror dhe lokal’’, theksoi ministrja Kusari Lila.

Më tej, ministrja Kusari Lila shtoi se zhvillimi ekonomik si proces gjithëpërfshirës e bën të domosdoshëm rritjen e këtij kooperimi. Zhvillimi ekonomik në përgjithësi është  barrë nga pjesëmarrja efektive e qeverisjes tuaj, pra qeverisjes lokale, si pjesë e kornizës së përgjithshme të politikave zhvillimore për mbështetje të zhvillimit ekonomike.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Qeveria e Republikës së Kosovës disa herë ka prezantuar platformën reformatore të zhvillimit ekonomik.

"Ndër çështjet më të rëndësishme janë rritja reale ekonomike prej 7 deri 8 për qind dhe ulja e papunësisë, gjegjësisht ulja prej 8 deri në 10 për qind e numrit të përgjithshëm të papunësuarve të regjistruar. Këto dy synime ndër të tjera duhet të bazohen në një zhvillim modern ekonomik lokal’’, theksoi kryeministri Thaçi.

Një ndër përgjegjësitë e qeverisë së nivelit lokal sipas tij është edhe krijimi i një ambienti më të favorshëm për zhvillimin ekonomik lokal.
 
Qeveria qendrore është në dijeni se qeveritë e nivelit lokal, kanë përpiluar dhe janë duke i zbatuar strategjitë e tyre të zhvillimit lokal.

"Ne do të vazhdojmë me komunikimin e drejtpërdrejt si Qeveri qendrore me autoritetet lokale dhe takime të tilla të përbashkëta,  në mënyrë që koordinimi të jetë i plotë, por edhe efikas dhe rezultativ. Sepse, këto janë prioritet kryesisht në fushën e përmirësimit të infrastrukturës rrugore, ujësjellësit, kanalizimit, sistemeve të ujitjes, shkollave, spitaleve dhe investimeve tjera kapitale, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me modernizimin e komunave, shtetit tonë dhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve tanë", theksoi kryeministri Thaçi.

Ndryshe, në takim u prezantuan edhe procedurat e thjeshtësuara për të bërë biznes dhe reflektimin e tyre në qeverisjen lokale, pastaj baza e të dhënave të lokacioneve dhe projekteve për investitorë.

Në konferencë u tha se zhvillimi ekonomik do të mund të rritet duke bashkëpunuar sa më ngushtë ndërmjet qeverisjes qendrore dhe asaj lokale.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)