31 Mars 2023

Të drejtat e punëtorëve shkelen në mënyrë drastike

Prishtinë, 28 prill - Sot është shënuar Dita ndërkombëtare në përkujtim të personave që kanë humbur jetën në vendin e punës. Me këtë rast, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), edhe pse nuk ka dhënë statistika se sa është numri i këtyre viktimave, kanë thënë se ky fenomen është shqetësues për institucionet dhe shoqërinë kosovare në përgjithësi.

Mëqense Kosova ende se ka Ligjin e Punës shumë punëtorë janë të rrezikuar, madje ka dhe nga ata që kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, është thënë sot në Ditën ndërkombëtare përkujtimore për punëtorët, të cilët kanë vdekur në vendin e punës.

Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kanë thënë se të drejtat e punëtorëve në Kosovë shkelen në mënyrë drastike.

 Kryetar i BSPK-se, Haxhi Arifaj, ka thënë se punëtorët në shumë raste janë të rrezikuar, për shkak të mungesës së infrastrukturës ligjore.

“Ligji i punës, si ligj, garanton të drejtat e punëtorëve, por, njëkohësisht, ky ligj sanksionon ata, të cilët nuk i respektojnë të drejtat e tyre. Në mospasje të këtij ligji, punëtoria kosovare është në një gjendje mjaft të palakmueshme, në një mënyrë edhe e diskriminuar, për shkak se kujdesi ndaj punëtorëve në vendin e tyre të punës, pa këtë ligj, cenohet jashtë mase”, ka thënë Arifaj.

Edhe pse BSPK-ja nuk ka statistika se sa punëtorë në Kosovë kanë humbur jetën në vendin e punës, sipas saj, punëtorët më të rrezikuar janë ata që punojnë në sektorin privat, respektivisht në sektorin e ndërtimtarisë.

Ndryshe, dje, një 30-vjeçar, nga komuna e Klinës, ka gjetur vdekjen në vendin e punës në një ndërmarrje private.

Prej ndërmarrjeve publike, Korporata Energjetike e Kosovës njihet si një nga institucionet, ku punëtorët janë më të rrezikuar. Prej pasluftës, në këtë kompani, në orar të punës kanë humbur jetën më shumë se 25 persona, përderisa 30 për qind e punëtorëve janë lënduar.

Besa Luzha, nga Fondacioni Gjerman “Friedrich Ebert Stiftung”, ka thënë se sindikatat duhet të angazhohen më tepër në identifikimin e rasteve dhe, njëherësh, sipas saj, të bëhet presion tek autoritetet kompetente që ta rregullojnë infrastrukturën ligjore lidhur me këtë çështje.

"Ajo çka është më rëndësi, se rrethanat kanë ndryshuar në kohët e tashme, (është se) sindikatat duhet të jenë më të fuqishme dhe më bashkëpunuese me punëdhënësit, në mënyrë që të gjejnë një formë më të mirë të sigurimit të kushteve më të mira për punë”.

“Të bëhet presioni më i madh për aprovimin e Ligjit të punës, për Ligjin për mbrojtjen e sigurisë në punë, për Ligjin e sigurimeve shëndetësore, për pensionet dhe të gjitha masat e tjera që duhet t’i kenë punëtorët”, është shprehur Luzha.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, disa herë, ka ngritur shqetësimet e punëtorëve kosovarë tek autoritetet kompetente, ka deklaruar Haxhi Arifaj, nga BSPK-ja.

“BSPK-ja vazhdimisht do ta ngrejë zërin, që kjo punëtori dhe ky shtet i ri të funksionojnë në bazë të ligjeve dhe të mos ketë njerëz mbi ligjin, sepse duke mos i pasur këto ligje dhe duke mos i respektuar ato që i parasheh ligji, faktikisht po bëhet diskriminim ndaj punëtorëve. Te ne, pas përfundimit të luftës, kanë ndodhur shumë raste të vdekjeve në vendin e punës”, ka thënë Arifaj.

Që nga viti 1996, 28 prilli njihet si Dita botërore përkujtimore për punëtorët që kanë vdekur, janë lënduar apo sëmurë në vendet e tyre të punës

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 mars 2023 - Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të masakrës së Burimit, Komuna e Malishevës organizon akademi përkujtimore. (Salla e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 11:00)

- Lëvizja FOL organizon konferencë me ç’rast do të prezantohen gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022, si dhe në bazë të këtyre gjetjeve do të ndahet “Çmimi për Gjykatën më Transparente” - për dedikim të vazhdueshëm në ngritjen e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore. (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Kryetari I Federatës Sindikale te Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj konferencë për shtyp lidhur me protestën dhe grevën e punëtorëve teknik të këtij spitali që veq ka filluar para dy ditësh. (Spitali Isa Grezda në Gjakovë, ora 11:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë diskuton lidhur me kërkesën për zhvillim të diplomacisë parlamentare nga Qendra për Studime Politike dhe Diplomatike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet manifestimi përkujtimor me rastin e 24-vjetorit të vrasjes dhe masakrimit të 106 civilëve në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit. (Kompleksi i Martirëve, Pastasel, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati bën homazhe në varrezat e martirëve në fshatin Dragobil dhe të Kompleksi në vendin e ngjarjes Vrella e Mëhillit. (Fshati Burim, ora 12:00)

- Komuna e Prishtinës përuron hapësirën e dedikuar për sigurinë e nxënësve dhe komunitetin në hapësirat përreth Shkollës Fillore “Elena Gjika”. (Afër shkollës, ora 13:00)

- Komiteti Olimpik i Kosovës organizon Asamblenë e Punës për vitin 2022. (Hotel Emerald, ora 17:00)