Standard & Poor's ul bonitetin e nëntë vendeve evropiane

Paris, 14 janar - Agjencia amerikane e rejtingut Standard & Poor's ka ulur bonitetin e Francës dhe tetë vendeve të tjera të Bashkimit Evropian. 
Franca dhe Austria kanë humbur notat më të mira prej tri A dhe tani kanë notën AA+. Me një notë më poshtë janë ulur edhe Malta, Sllovakia dhe Sllovenia. 
Ndërsa dy nota më poshtë kanë rënë Italia, Spanja, Portugalia dhe Qipro. Ulja e bonitetit paraqet një goditje të rëndë për zonën e euros ku tani vetëm Gjermania, Holanda, Luksemburgu dhe Finlanda kanë notat më të mira të bonitetit. 
Me uljen e notës së bonitetit vendet e kanë më të vështirë të sigurojnë kredi në tregun financiar. 
Ky hap mund të ketë pasoja edhe për ombrellën e shpëtimit të euros, pasi Franca pas Gjermanisë është vendi i cili ndan më së shumti para për vendet e rrezikuara nga kriza. 
Megjithatë vlerësimet e agjencisë amerikane Standard & Poor's janë të kontestuara në Evropë, për shkak se dyshohet në pavarësinë e saj.  














