16 Maj 2024

Spanja shtetëzon “Bankia”-n

Madrid, 29 maj - Kreu i bankës së katërt më të madhe të Spanjës, “Bankia”, ka premtuar më shumë transparencë, një ditë pasi njoftoi humbje të mëdha dhe kërkoi ndihmën e qeverisë për një paketë shpëtimi.

Jose Ignacio Goirigolzarri tha në një konferencë për shtyp se një plan i plotë ristrukturimi do të përfundojë deri në fund të qershorit.

Pak ditë më parë, banka pa sërish rezultatet e vitit 2011, nga ku doli se kishte pësuar një humbje shumë të madhe dhe kërkoi ndërhyrjen e shtetit me një paketë prej 19 miliardë eurosh, ndryshe, falimentimi ishte i sigurt.

Nga ana tjetër, Bursa e Madridit pezulloi tregtimin e aksioneve të “Bankia”-s, pas zërave se banka nuk ka më para të financojë operacionet e saj dhe se do të jetë e detyruar të shpallë falimentimin, nëse nuk do të marrë një hua madhore nga shteti.

Aksionet e “Bankia”-s në bankat e tjera “Banco Financiero” dhe “Ahorros” gjithashtu janë pezulluar. Ndihma e ofruar nga qeveria për “Bankia”-n është më e madhja e këtij lloji në historinë spanjolle, duke shtetëzuar kështu një pjesë të madhe të aksioneve të saj.

Goirigolzarri deklaroi se banka do të përdorë paratë e paketës së shpëtimit, për të pastruar humbjet nga kreditë e këqija dhe për t’u mbrojtur kundër humbjeve të ardhshme.

Në konferencën për shtyp, ai theksoi se si “Bankia” duhet të shikojë drejt së ardhmes për të shpëtuar nga kriza.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm se do të menaxhojmë bankën me pjesëmarrjen publike dhe se do ta bëjmë këtë me profesionalizëm, masa shkurtimi dhe transparencë të madhe”, tha ai, sipas saj që shkruhet në faqen e internetit të “Bankia”-s.

Frika më e madhe është se kriza financiare spanjolle dhe recesioni do të vazhdojë dhe shumë njerëz do të pësojnë humbje edhe më të mëdha të kursimeve.

Një javë më parë, presidenti i bankës siguroi të gjithë spanjollët se depozitat e tyre ishin të sigurta, pasi një gazetë vendase publikoi një raportim që fliste për vështirësitë serioze që kishin përfshirë “Bankia”-n.

E ndodhur përpara kësaj situate, qeveria spanjolle vendosi injektimin e shumës prej 19 miliardë eurosh në formën e blerjes së aksioneve në bankën e katërt më të madhe në Spanjë.

Kjo shumë e depozituar nga qeveria rrit në 23.5 miliardë euro ndihmën financiare të shtetit kundrejt kësaj banke dhe e shndërron shtetin në aksionerin më të madh të saj, me mbi 90 për qind të aksioneve.

Qeveria spanjolle po përpiqet të mbrojë tregun bankar, duke ndërhyrë me shtetëzimin e “Bankia”-s, e cila është pjesë e grupit të bankave që po vuajnë pasojat e kredive të këqija në sektorin e pasurive të paluajtshme, që shkojnë në total deri në 180 miliardë euro.

Banka u krijua në vitin 2010, nga bashkimi i shtatë bankave rajonale kursimi në vështirësi. Ajo zotëron një pasuri prej 32 miliardë eurosh në asete.

Vetëm pak ditë më parë, agjencitë e kreditimit zhvlerësuan bankat më të mëdha spanjolle. Spanja është ekonomia e katërt e Eurozonës që ndodhet në recesion për dy vite me radhë.

Një tjetër problem i madh në vend është numri i të papunëve, që sipas shifrave të Eurostatit është më i larti në Eurozonë. Qeveria e re ka hartuar masa të ashpra kursimi për të ulur borxhin publik dhe për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë ekonomike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)