14 Maj 2024

Shumica e kompanive të huaja nuk pagujan tatim

Prishtinë, 24 shkurt - Shumëfish  më pak kompani të huaja figurojnë në listat e Administratës Tatimore, si biznese që paguajnë tatime ndaj shtetit të Kosovës, krahasuar me numrin e këtyre firmave të regjistruara në institucionet e vendit.

Bazuar në dokumentet zyrtare që ka siguruar “Koha Ditore”, rezulton se në Kosovë janë të regjistruara 17 mijë e 278 kompani të huaja, ndërsa vetëm 338 prej tyre i paguajnë obligimet tatimore ndaj shtetit. Këto të dhëna janë konfirmuar si të sakta edhe nga vetë zyrtarët e institucioneve kompetente, ATK-së dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Dallimi kaq i madh në mes këtyre të dhënave, sipas ekspertëve të ekonomisë dhe vetë përfaqësuesve të bizneseve, po dëshmon për çrregullimet e mëdha të konkurrencës në treg dhe shkallën e lartë të ekonomisë joformale përmes ikjes nga tatimi.

Zyrtarë të Administratës Tatimore nuk kanë dhënë asnjë sqarim për këtë. Ndërsa Gazmend Mejzinin, kryshef i Agjencisë për Regjistrim të Biznesit (ARBK), e cila  funksionon në kuadër të MTI-së, ka konstatuar për gazetën se numri total i kompanive të huaja të regjistruara aty është 17.278.

Mejzini ka saktësuar se numri më i madh i kompanive të regjistruara në Kosovë është  shënuar në vitin 2010, ku u regjistruan 3.998 kompani të reja të huaja. Kurse një vit më vonë, gjatë 2011-s, 10 prej tyre kanë shuar bizneset e hapura në Kosovë.

Valentina Bytyçi, zyrtare për informim në ATK, ka pohuar se “kompanitë e huaja që zhvillojnë veprimtari ekonomike në Kosovë trajtohen sikurse edhe çdo tatimpagues tjetër”.

Sipas saj, sa i përket pagesës së tatimit të kompanive të huaja për vitin 2011, bazuar në informatat e Teknologjisë Informative, këto kompani  kanë realizuar një pjesëmarrje prej 7 për qind nga totali i pagesave.

“Për vitin 2011, kompanitë e huaja kanë paguar mbi 17 milionë euro në arkën e buxhetit të shtetit”, ka bërë të ditur Bytyçi.

E pyetur se cilët sektorë nga këto kompani kanë ngecur në kryerjen e obligimeve, ajo ka thënë se në grupin e këtyre bizneseve, të cilat nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre tatimore për vitin 2011, janë kryesisht veprimtari të ndërtimtarisë, arkitekturës, inxhinierisë, telekomunikimet, këshillime të ndryshme për afarizëm, prodhues të konstruksioneve metalike, prodhues të pajisjeve të shpërndarjes së energjisë elektrike etj., duke e pranuar kështu faktin se në mesin e firmave që nuk i kryejnë obligimet ndaj shtetit të Kosovë, nga tregu i së cilës kanë realizuar fitime, janë edhe kompanitë e huaja, ndonëse nuk kanë pranuar të përmendin emrat e tyre me arsyetimin se ato janë të mbrojtura me ligj.

E dyshime në lidhje me pagesën e tatimeve nga ana e kompanive të huaja që operojnë në Kosovë ka hedhur edhe Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, e cila numëron më së shumti kompani private të anëtarësuara në vend.

“Shumë kompani vendore bien viktimë e ekzistimit të këtyre ndërmarrjeve të huaja, për arsye se ato nuk paguajnë obligime, ndërsa kompanitë vendore janë të obliguara ta bëjnë këtë”, thotë Gërxhaliu.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)