13 Maj 2024

Shqipëria, fitimet e bankave, më të ulëtat në një dekadë

Tiranë, 3 mars - Fitimet neto të sistemit bankar gjatë vitit 2011 ranë në 706 milionë lekë, apo 5.1 milionë euro ose 90 për qind më pak se në vitin 2010, bëri të ditur dje Banka e Shqipërisë.

Fitimet e realizuara vitin e kaluar janë më të ulëtat të regjistruara që në vitin 1998, kur bankat qenë shtetërore. Bankat patën fituar 48.6 milionë euro gjatë vitit 2010, ndërkohë që patën realizuar fitimet më të larta në vitin 2007 me 84 milionë euro.

Të ardhurat neto nga interesat vijuan rritje të kënaqshme me 7.2 për qind dhe bankat kanë ruajtur një marzh fitimi prej 54 për qind mbi kreditë që japin. Por të ardhurat nga aktivitetet e tjera, ku përfshihen të ardhurat nga shërbimet bankare si dhe nga këmbimet valutore, qenë praktikisht zero gjatë vitit të kaluar.

Bankat kanë pasur norma fitimi mbi shërbimet e tjera prej 60-80 për qind gjatë viteve të shkuara, por këto norma fitimi ranë në 15 për qind gjatë vitit 2009, ndërkohë që për vitin 2010, bankat shënuan rezultat financiar zero për këtë kategori aktiviteti.

Edhe gjatë vitit të kaluar, bankat u detyruan të vënë mënjanë 12.8 miliardë lekë nga të ardhurat e tyre të zakonshme për të mbuluar humbjet e mundshme nga kreditë e këqija. Shpenzimet për provigjone mbi kreditë e këqija kanë qenë vetëm pak milionë euro gjatë viteve të shkuara, por u rritën ndjeshëm në tri vitet e fundit për shkak të rritjes së shpejtë të kredive nënstandarde.
 
Në fund të vitit 2012, 73.6 për qind e kredive të dhëna nga sistemi bankar rezultuan të shlyera brenda afateve, ndërsa pjesa tjetër rezultuan me vonesa. Rreth 19 për qind e 3.9 miliardë eurove kredi të dhëna nga sistemi bankar konsiderohen si nënstandarde, pasi kanë shfaqur vonesa më të mëdha se tre muaj në shlyerjen e zakonshme. Bankat klasifikuan 5.7 për qind të kredive si të humbura, nga 5.1 për qind që qenë në vitin 2010.

Bankat në Shqipëri kanë 98 miliardë lekë (713 milionë euro) kapital themeltar dhe 8.1 miliardë lekë asete. Gjatë vitit të kaluar, kapitali aksioner u rrit me 9.2 për qind, ndërsa asetet u rritën me 13 për qind.
 
Normat e fitimit të bankave qenë gjithashtu minimale gjatë vitit të kaluar dhe me rënie të konsiderueshme në krahasim me vitin 2010.

Norma e kthimit mbi aktivet, e cila mat se sa lekë janë fituar për 100 lekë asete të disponmueshme nga sistemi, qe vetëm 0.07 për qind, ndërsa norma e kthimit nga kapitali aksioner, ku matet se sa lekë është fituar neto nga kapitali i angazhuar për biznesin bankar, qe vetëm 0.76 për qind.

Gjatë viteve të shkuara, bankat kanë pasur norma fitimi deri në 20 për qind në vit, ndërkohë që gjatë viteve të krizës 2008-2011, normat e fitimit kanë rënë deri pranë zeros.

Në Shqipëri veprojnë 16 banka, nga të cilat, 14 janë me kapital tërësisht të huaj dhe dy janë me kapital vendës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)