02 Maj 2024

Shqipëri, Universitetet private dyshohen për evazion fiskal masiv

Tiranë, 26 shtator - Universitetet private në Shqipëri janë bërë një megabiznes me xhiro vjetore që mund të arrijë në 40-50 milionë euro, por deklarimet e tyre në administratën tatimore tregojnë një treg shumë më të vogël, në rendin më pak se 25 milionë euro.

Arsyeja, sipas ekspertëve të administratës tatimore, lidhet me faktin se shumë prej universiteteve i fshehin të ardhurat e veta dhe në disa raste, i fshehin aq sa të duket me sy të lirë një evazion fiskal në përmasa të mëdha.

Tatimorët kanë krahasuar numrin e studentëve të regjistruar në universitete të ndryshme me tarifat e shpallura që variojnë nga 2 mijë në 3 mijë euro në vit dhe me xhirot e deklaruara në bilancet tatimore, për të vërejtur se një pjesë e universiteteve deklarojnë vetëm gjysmën e të ardhurave, ndërsa ka raste që nuk deklarojnë as një të tretën e të ardhurave reale.

Ndërkohë, duket se universitetet që bëjnë deklarim real të të ardhurave janë në minorancë.

Punonjës të tatimeve thonë nën zë se, është një procedurë shumë e lehtë të krahasosh numrin e studentëve me xhiron e deklaruar, por kur vjen puna për të dënuar evazorët kjo bëhet thjesht e pamundur, pasi universitetet shumë shpesh drejtohen nga njerëz pranë pushtetit.

Tatimorët pjesëtojnë xhiron e deklaruar me numrin e studentëve dhe shohin se si universitetet kanë raportuar të ardhura mesatare vjetore për student prej 300-400 apo 600 eurosh, ndërkohë që është e mirënjohur nga të gjithë që për studentët, viti akademik kushton 2 mijë apo 3 mijë euro.

Në një rast, një universitet deklaron të ardhura mesatare për student prej vetëm 294 eurosh, ndërkohë që janë pak universitete që deklarojnë të ardhura reale prej 2500, 3 mijë apo 4200 eurosh për student.

Sistemi arsimor privat nuk paguan Tatim mbi Vlerën e Shtuar si të gjitha bizneset e tjera, por ka për detyrë të paguajë vetëm tatim mbi fitimin, i cili është 10 për qind mbi fitimet neto.

Tatimi mbi fitimin është një nga më të ulëtit në Europë në Shqipëri, megjithatë, as këtë tatim minimal, shumica e universiteteve private nuk pranojnë ta paguajnë, duke vërtetuar se niveli i ngarkesës fiskale nuk ka shumë lidhje me sasinë e pagesës dhe se ulja e taksave nuk nënkupton gatishmëri më të lartë të bizneseve për të punuar sipas ligjeve në fuqi.

Buxheti i shtetit gjendet prej muajsh në vështirësi të mëdha për shkak të të ardhurave të pakta dhe shpenzimeve në rritje.

Qeveria njoftoi pak javë më parë se nuk ka para të mjaftueshme për të paguar pensionet vitin e ardhshëm, dhe për këtë arsye ka në plan të rrisë moshën e daljes në pension.

Ndërkohë, miliona euro taksa humben për shkak të kapjes së shtetit dhe pafuqisë së tatimorëve për të kryer punën e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)