13 Maj 2024

Shqipëri, remitancat nga Greqia, 514 milionë euro në 2010-n

Tiranë, 24 janar - Instituti Europian i Statistikave, Eurostat, njoftoi së fundmi se transfertat nga emigrantët shqiptarë në Greqi drejt familjeve të tyre në Shqipëri arritën në 514 milionë euro në vitin 2010, duke shënuar rritje drastike me 51 për qind në krahasim me vitin 2009. Të dhënat për vitin 2011 nuk janë ende të disponueshme.

Rritja e shpejtë e remitancave nga Greqia gjatë vitit 2010, nxjerr në pah nga njëra anë, burimin e rritjes së shpejtë të depozitave gjatë atij viti, si dhe hedh dyshime mbi saktësinë e të dhënave të raportuara nga Banka e Shqipërisë mbi të ardhurat nga emigrimi.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në vitin 2010, Shqipëria përfitoi 690 milionë euro të ardhura nga puna e emigrantëve jashtë vendit, me rënie prej 91 milionë eurosh ose 12 për qind në krahasim me vitin 2009.

Ndërkohë, Eurostat raporton se vetëm në kanalin Greqi – Shqipëri, remitancat gjatë vitit 2010 qenë 514 milionë euro dhe 174 milionë euro më shumë se në vitin 2009. Në vitin 2008, remitancat nga Greqia, sipas Eurostat ishin 390 milionë euro.

Nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e shqiptarëve që punojnë në Greqi, por vlerësohet se janë rreth 600 mijë vetë. Në Europë jetojnë në tërësi 1.1 milionë shqiptarë dhe ka pak gjasa që emigrimi në Greqi të sjellë pjesën dërrmuese të remitancave në vend. Mospërputhja e shifrave është gjithashtu tregues se sa pak informacion kemi mbi ecurinë e gjendjes ekonomike të familjeve të varfra në kohë.

Dy hipoteza janë hedhur gjatë viteve të fundit, asnjëra prej të cilave nuk është mbështetur me statistika apo studime. Hipoteza e parë është hedhur nga qeveria, që thotë se emigrantët shqiptarë në Greqi po kthehen në atdhe së bashku me kursimet e tyre, pasi kanë humbur vendet e punës nga kriza. Hipoteza e dytë thotë që emigrantët në Greqi po imitojnë popullatën vendëse, duke i tërhequr kursimet nga bankat e këtij vendi dhe duke i transferuar në vende të tjera.

Emigrimi vijon të largojë nga Shqipëria me mijëra vetë në vit dhe të paktën nga të dhënat e disponuara nga Agjencia e Statistikave të Italisë, kriza e vitit 2009 dhe 2010 nuk është se e ka ulur numrin e shqiptarëve që provojnë fatin përtej detit.

Të ardhurat nga emigracioni janë linja e mbijetesës e një pjese të konsiderueshme të shoqërisë shqiptare. Shumica dërrmuese e familjeve kanë nga një anëtar në emigrim dhe për zonat rurale, remitancat përbëjnë mbi 18 për qind të të ardhurave totale të popullsisë. Paratë e sjella nga emigrantët kryejnë shpesh rolin e sistemit të pensioneve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)