13 Maj 2024

Shqipëri, Borxh i lartë, por i parrezikshëm

Tiranë, 21 mars - Për qeverinë shqiptare tashmë nuk ka asnjë rëndësi se çfarë thonë institucionet e larta ndërkombëtare të fushës së financave mbi situatën ekonomike në vend.

Dy vjet më parë ndodhi me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe tani me Bankën Botërore, institucion me të cilin kemi bashkëpunim në disa projekte, madje Ministria e Financave është në negociata për të marrë kredi me vlerë deri në 300 milionë dollarë.

Këtë fundjavë, deklaratat e kryeekonomistit të BB-së për Europën dhe Azinë, Intermit Gill shkundën euforinë e Kryeministrit Berisha se, “jemi një ekonomi që po vrapon, duke tejkaluar ylberin”.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, foli dje për disa media për të sqaruar se, ekonomia jonë nuk po rrezikon, sikurse e thotë Banka Botërore. Ministri pranon se borxhi publik në raport me prodhimin e brendshëm bruto është më i larti në rajon, por nga ana tjetër nuk përbën rrezik për shkak të kostos së ulët për shërbimin ndaj tij.

“Gjithë borxhi shqiptar në masën 97 për qind është borxh me risk të vogël tregu dhe vetëm rreth 3 deri 4% është borxh me risk tregu në atë që po flasim që është pjesë e presionit të krizës globale dhe krizës së borxheve që ka Europa”, u shpreh ministri, duke iu referuar eurobondit, me vlerë 300 milionë euro, interesat e të cilit janë rreth 10 për qind.

Në total, Shqipëria ka një borxh që shkon afër 6 miliardë euro, ku më shumë se gjysma i ka në tregun e brendshëm.

“Ne e shërbejmë borxhin përmes bonove të thesarit në tregun tonë të brendshëm në lekë, ose përmes bankave të zhvillimit, borxh i cili është me një afat të gjatë shlyerje dhe me norma të ulëta interesi. Në këtë kuptim edhe kostoja e borxhit tonë është më e ulët, relativisht krahasuar me vendet e tjera të rajonit\", tha ministri. Sipas tij, reformat e kryera deri tani nga qeveria shqiptare kanë bërë të mundur të sigurojnë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe përballim të krizës që vjen nga jashtë.

Ndryshe vlerësojnë ekspertët e lartë të BB-së, të cilët rekomandojnë një ulje të borxhit.

\"Unë mendoj se në rastin e Shqipërisë, gjëja që duhet parë është borxhi publik. Borxhi i Shqipërisë është i lartë, për vende më të ardhura të mesme. Në nivelin 60 për qind ai konsiderohet 20 pikë përqindje ndaj GDP më i madh. Kjo do të thotë se ka një kosto për ta financuar këtë borxh dhe kjo zakonisht merr fonde nga sektorë të tjerë si shëndetësia apo arsimi. Lajmi i mirë është se Shqipëria në disa përbërës të shpenzimeve qeveritare si mbrojtja sociale apo të tjera është më mirë se vendet e tjera, por nga ana tjetër është borxhi i lartë për të cilin ndoshta Shqipëria duhet të bëjë përpjekje më të mëdha\", tha dy ditë më parë kryeekonomisti i Intermit Gill.

Por sipas ministrit është vendosur që borxhi të ulet gradualisht, nga 60 për qind të PBB-së që është sot, të arrijë në 57 për qind pas tri viteve. Edhe FMN rekomandon një ulje të borxhit brenda 5 viteve në masën e 50 për qind të PBB-së, por qeveria është e vendosur të mos ndalë ritmin e shpenzimeve.

Debati tjetër mes palëve ka të bëjë me nivelin e të ardhurave, që sipas ekspertëve Shqipëria duhet të forcojë kapacitetet e mirëmenaxhimit. BB nuk e thotë me siguri që rritja e të ardhurave të vijë nga taksat e larta, ndërsa FMN është shprehur më e drejtpërdrejtë.

Për këtë pjesë, ministri i Financave thotë se, nuk do të ndërhyhet në sistemin e taksave.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)